Mashtrimet me ndihmën e teknologjisë deepfake kanë kaluar në një nivel industrial, duke u bërë më të përballueshme dhe të lehta për t’u përdorur në masë, sipas ekspertëve të inteligjencës artificiale.
Analiza e databazës AI Incident Database tregon se mashtruesit po krijojnë video dhe audio deepfake për të imituar figura publike, gazetarë, madje edhe presidentë, për të nxjerrë përfitime financiare. Shembuj të fundit përfshijnë video të kryeministrit të Australië Perëndimore që promovon skema investimi dhe mjekë deepfake që reklamojnë produkte kozmetike.
Ekspertët paralajmërojnë se teknologjia po bëhet aq e thjeshtë dhe e lirë sa që pothuajse kushdo mund të krijojë përmbajtje të falsifikuar. Vitin e kaluar, një zyrtar financiar në Singapor humbi pothuajse 500 mijë dollarë duke u mashtruar gjatë një video-thirrjeje që mendoi se ishte me drejtuesit e kompanisë.
Jason Rebholz, drejtues i kompanisë së sigurisë Evoke, rrëfen eksperiencën e tij me një kandidat pune që rezultoi të ishte një deepfake i sofistikuar. Videoja e kandidatit vonoi për t’u shfaqur dhe pozadina dukej krejtësisht e falsifikuar. Një firmë e specializuar konfirmoi se imazhi ishte krijuar nga AI.
Ekspertët paralajmërojnë se efektet e deepfake mund të jenë dramatike për punësime, zgjedhje dhe besimin e shoqërisë në institucione digjitale. Fred Heiding nga Harvard thotë: “Pika kryesore e problematikës do të jetë mungesa totale e besimit në institucionet digjitale dhe materialet që ato ofrojnë.”
Teknologjia e klonimit të zërit është tashmë shumë e sofistikuar, duke lehtësuar imitimin e të afërmve në telefon, ndërsa video-t deepfake vazhdojnë të përmirësohen çdo ditë, duke e bërë sfidën edhe më serioze.
© SYRI.net