Eksperti i IT, Tomi Kallanxhi, i ftuar në emisionin Kafe Shqeto në Syri TV, ka komentuar një analizë të publikuar online që, sipas tij, parashikon evolucionin e inteligjencës artificiale në pesë vitet e ardhshme. Ai i referohet një materiali studimor të publikuar në një adresë që ai ia sugjeroi edhe regjisë, duke theksuar se analiza është hartuar nga ish-shefi për mirëqeverisjen në OpenAI.
Sipas Kallanxhit, studimi tregon se AI pritet të arrijë aftësinë e vetëpërmirësimit (self-improving) në qershor të vitit 2027, çka ai e përshkruan si “pikën pa kthim të teknologjisë”. Eksperti shpjegoi se zhvillimi nga faza zero në fazën një është më i ngadalshëm, por nga momenti kur AI arrin të vetëpërmirësohet, progresi bëhet eksponencial.
Duke e marrë me humor situatën, Kallanxhi solli një skenar ekstrem: një AI e vendosur në serverat e OpenAI që, pasi vlerëson se infrastruktura e saj është e kufizuar, mund të tentojë të nisë një sulm kibernetik ndaj Departamentit Amerikan të Shtetit. “Dhe sulmi kibernetik vjen nga një AI”, tha ai, duke ilustruar sfidat që mund të sjellë një inteligjencë artificiale e pakontrolluar.
Eksperti theksoi se këto skenarë tregojnë nevojën për kuadër të fortë rregullator dhe mirëadministrim të teknologjisë, pasi ritmi i inovacionit po rritet me shpejtësi të paprecedentë.
Kallanxhi:
Unë i kam dhënë regjisë një URL që mund ta hapni edhe ju pak aty, quhet ai.is/2027.com.
E ka bërë si studim analitik ish-shefi për mirëqeverisjen e OpenAI, ëh, që ka bërë një prediction, një parashikim, me gjithë hapat si pritet të shkojë inteligjenca artificiale në pesë vitet e ardhshme, se këtu sfida e teknologjisë është, shkon nga zero te njëshi, më shumë kohë do të shkojë nga zero te njëshi sesa nga njëshi te një milioni.
Dhe kjo është çështja e inovacionit dhe e AI-t. Ish-shefi për, se nuk është më pjesë e OpenAI, ka bërë një parashikim që në qershor të 2027-ës, AI do arrijë të bëjë self-improving, domethënë të, të vetëpërmirësojë veten e vet.
Dhe kjo do jetë pika që, pika pa kthim e teknologjisë.
Tani unë po e bëj pak qesharake gjënë. Tani imagjino një AI që ndodhet sot në serverat e OpenAI, të thotë që ky serveri im është shumë, shumë i vogël dhe do vendosë të sulmojë departamentin amerikan të shtetit. Dhe sulmi kibernetik vjen nga një AI.
© SYRI.net