Në një laborator të Londrës veriperëndimore, tre duar robotike prej metali të zi lëvizin me saktësi befasuese, duke treguar se teknologjia është gjithnjë e më afër të imitojë njeriun. Kompania britanike “Shadow Robot”, e drejtuar nga Rich Walker, po zhvillon robotë që synojnë të ndihmojnë njerëzit në përditshmëri — dhe potencialisht të përballin një nga sfidat më të mëdha të Mbretërisë së Bashkuar: mungesën e fuqisë punëtore në kujdesin social. Vetëm vitin e kaluar, në Angli u raportuan mbi 131 mijë vende të lira pune për kujdestarë, ndërsa deri në vitin 2050 një në katër qytetarë pritet të jetë mbi 65 vjeç.
Në këtë sfond, qeveria britanike ka investuar 34 milionë funte për zhvillimin e robotëve që mund të përdoren në kujdesin ndaj të moshuarve. Modelet eksperimentale si Pepper, Paro apo HUG janë testuar fillimisht në Japoni, ku përvoja tregoi si përfitimet, ashtu edhe sfidat e bashkëjetesës me teknologjinë. Robotët ndihmonin pacientët me demencë, jepnin ushtrime fizike apo ndihmonin në ngritjen e të moshuarve nga shtrati, por shpesh kërkonin mirëmbajtje të vazhdueshme, çka u bë pengesë për stafin.
Studiuesit theksojnë se gjenerata e ardhshme e robotëve do të jetë shumë më inteligjente dhe e aftë për t’u përshtatur me nevojat reale të njerëzve. Profesorja Praminda Caleb-Solly në Universitetin e Nottinghamit po udhëheq një rrjet kërkimor që lidh prodhuesit me përdoruesit potencialë, ndërsa inovacione si projekti ARIA po zhvillojnë duar robotike me 100 sensorë, të afta të ndjejnë presionin dhe të kapin me delikatesë – madje edhe të kompletojnë një Kub Rubiku.
Përpjekje të tjera synojnë të zëvendësojnë motorët me muskuj artificialë që tkurret dhe zgjatet si muskujt njerëzorë, duke e bërë lëvizjen më natyrale. Këto zhvillime, megjithatë, ngrenë edhe dilema etike e sociale: a do të zëvendësojnë robotët kujdestarët njerëzorë apo do t’i ndihmojnë ata?
Ekspertët ndahen. Disa paralajmërojnë se automatizimi mund të çojë në ulje pagash dhe në standardizim të kujdesit, ndërsa të tjerë e shohin si një domosdoshmëri përballë plakjes së popullsisë dhe mungesës së stafit. Siç paralajmëron profesori Gopal Ramchurn nga Universiteti i Southampton, “robotët po vijnë, ndaj duhet të përgatitemi me rregullat dhe etikën e duhur që ata të punojnë për ne, jo kundër nesh”.
Në fund të fundit, teknologjia po afrohet me një moment vendimtar: a do të jetë e ardhmja e kujdesit më humane falë robotëve – apo më mekanike?/ BBC - Syri.Net
© SYRI.net