Meta ka njoftuar se adoleshentët në Instagram do të kufizohen vetëm në përmbajtje të përshtatshme për moshën, të ngjashme me atë të një filmi PG-13, në përpjekje për të mbrojtur të rinjtë nga ekspozimi ndaj materialeve të papërshtatshme.
Sipas kompanisë, përdoruesit adoleshentë nuk do të mund të ndryshojnë vetë cilësimet e tyre pa lejen e prindërve. Përmbajtje që përfshin gjuhë të ashpër, sjellje të rrezikshme, seks, drogë apo materiale që nxisin vetëlëndimin do të fshihet ose nuk do të rekomandohet më.
Meta e cilësoi këtë si “përditësimin më të rëndësishëm që nga prezantimi i llogarive për adoleshentë vitin e kaluar” dhe njoftoi se masa do të nisë fillimisht në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Australi dhe Kanada, për t’u zgjeruar globalisht deri në fund të vitit.
Kompania po përballet me kritika të ashpra për ndikimin negativ që rrjetet e saj kanë tek fëmijët dhe të rinjtë. Një raport i fundit zbuloi se algoritmet e Instagramit rekomandonin ende përmbajtje seksuale dhe vetëlënduese për llogaritë e testuara si adoleshentë.
Përveç kufizimit PG-13, Meta po prezanton edhe një nivel më të rreptë kontrolli, të quajtur “përmbajtje e kufizuar”, që prindërit mund ta aktivizojnë për të bllokuar më shumë lloje materiali dhe ndërveprimesh në platformë.
Kompania tha gjithashtu se inteligjenca artificiale e përdorur në aplikacion do të respektojë të njëjtat standarde të PG-13, duke shmangur përgjigjet e papërshtatshme për moshën.
© SYRI.net