Si ta dalloni që jeni prekur nga 'Sëmundja e Puthjes'

Si ta dalloni që jeni prekur nga 'Sëmundja e Puthjes'

11:06, 23/01/2017
A+ Aa A-

Ndjesia e lodhjes, dhimbjet e fytit, dobësia trupore, temperatura e lartë janë simptoma të shpeshta, prej të cilave vuajmë të gjithë gjatë stinës së dimrit, ose nisjes së pranverës. Në përgjithësi këto simptoma na orientojnë drejt gjendjeve gripale, virozëve apo problemeve të tjera që mund të prekin rrugët e frymëmarrjes. Prania e këtyre simptomave për javë të tëra dëshmon se nuk kemi të bëjmë me grip, apo virozë të stinës, por me sëmundjen e mononukleozës infektive, e cila ndryshe njihet edhe si “sëmundja e puthjes”.

Çfarë është mononukleoza infektive, dhe pse ka marrë emrin si “sëmundja e puthjes”?

Mononukleoza infektive ose e njohur ndryshe si “sëmundja e puthjes”, është një sëmundje infektive mjaft e shpeshtë në stinën e ftohtë të dimrit, por edhe në pranverë. Kjo sëmundje shkaktohet nga virusi i quajtur “Epstein Barr”, i cili i përket familjes së madhe të viruseve herpetike. Emërtimi “monokleoza”, vjen për shkak se gjatë kësaj sëmundjeje kemi rritjen e numrit të qelizave njëbërthamore (mononukleare) që janë limfocitet (një nga llojet e rruazave të bardha të gjakut). Kurse emërtimi tjetër si “sëmundja e puthjes”, ka të bëjë me rrugën e përhapjes aerogene (nëpërmjet ajrit) gjatë kontakteve të ngushta siç është puthja (prandaj trajtohet si sëmundja e puthjes së çifteve). Termi është përdorur për herë të parë në vitin 1920 kur u gjend i rritur numri i limfociteve në gjakun e një grupi studentësh, të cilët paraqisnin shenja të përbashkëta klinike si temperaturë, ethe, zmadhim të gjëndrave limfatike, dhimbje fyti dhe rraskapitje. Sëmundja prek më tepër moshat e reja dhe kulmin e ka midis moshës 15 dhe 25 vjeç. Virusi shkaktar është i përhapur në të gjithë botën dhe shumica e njerëzve para se të arrijnë moshën madhore (35 deri 45 vjeç) marrin kontakt me këtë virus. Në gjakun e njerëzve të infektuar me mononukleozë gjenden antitrupa kundër virusit “Epstein Barr”. Kjo do të thotë se gjatë jetës së tyre, ata kanë rënë në kontakt me virusin, edhe pse mund të mos kenë pasur shenja të dukshme për ta kuptuar.

A ndodh që infeksioni të shfaqet në fëmijërinë e hershme?

Kur infeksioni shfaqet në fëmijëri ndodh shpesh që të mos ketë kuadër klinik të dukshëm. Studimet referojnë se rreth 10 për qind e fëmijëve të prekur nga ky virus paraqesin simptoma klinike, çka do të thotë se në pjesën dërrmuese të rasteve sëmundja nuk para kuptohet. Po kështu edhe shumica e të rriturve, ndoshta për shkak të imunitetit, nuk zhvillojnë shenja klinike. Në përgjithësi sëmundja është më pak e pranishme në moshat e vogla, por edhe mund të imitojë simptoma të sëmundjeve të tjera që kalohen në moshën fëminore, prandaj edhe mbetet më pak e diagnostikuar si sëmundje.

Si përhapet kjo sëmundje?

Mononukleoza përhapet nga personi në person si rezultat i kontaktit të ngushtë. Përhapja realizohet nëpërmjet spërklave të pështymës qoftë nëpërmjet kollës, teshtitjes apo edhe puthjes (prandaj ka edhe një përhapje të gjerë në çiftet e reja). Sëmundja mund të merret edhe në mënyrë indirekte gjatë shfrytëzimit të mjeteve që janë infektuar nga virusi që shkakton sëmundjen, siç mund të jetë rasti i përdorimit të së njëjtës gotë që mund të ketë përdorur personi i sëmurë. Periudha e inkubacionit për këtë sëmundje (koha nga kontakti i parë me virusin e deri në shfaqjen e shenjave klinike) mund të shkojë nga katër deri në tetë javë. Ndërsa periudha ngjitëse gjatë së cilës person i infektuar shërben si burim infeksioni për të tjerët shkon disa javë, por edhe më gjatë, edhe pasi shenjat klinike të jenë zhdukur.

Cilat janë shenjat klinike të mononukleozës infektive?

Shenjat e para klinike janë: dobësi e përgjithshme, lodhje e shprehur, ulje e oreksit, gjendje ethore (me të dridhura), shenja që zgjasin rreth tre ditë përpara se klinika të intensifikohet. Pastaj fillon dhimbja e fytit, e cila vjen duke u rënduar nga dita në ditë, si edhe zmadhimi i gjëndrave limfatike në zonën e qafës. Janë pikërisht këto të fundit që e detyrojnë të sëmurin të kërkojë ndihmën e mjekut. Temperatura është e lartë 38 deri 40 gradë celsius. Ndërkohë grykët mund të infektohen e të vishen me qelb. Fillimisht diagnoza dyshohet në bazë të shenjave klinike.

Çfarë ekzaminimesh zhvillohen për të zbuluar sëmundjen?

Në një ekzaminim të thjeshtë të gjakut periferik vihet re një rritje e konsiderueshme e një prej llojit të qelizave të bardha të gjakut (limfocitet). Gjatë ekzaminimit mikroskopik të tyre ato kanë një pamje atipike, e cila sugjeron për mononukleozë. Ndërsa testet më specifike të gjakut mund të konfirmojnë diagnozën. Ato bazohen në sistemin imunitar të organizmit, i cili prodhon antitrupa mbrojtëse kundër virusit pas kontaktit që merr me të. Por, këta antitrupa nuk mund të jenë të dallueshëm deri në javën e dytë ose të tretë të sëmundjes. Gjatë kësaj sëmundjeje kemi ndryshime edhe të enzimave të mëlçisë. Po ashtu në shumicën e rasteve kemi edhe zmadhim të shpretkës.

Si trajtohet mononukleoza ?

Trajtimi synon të lehtësojë kryesisht shenjat klinike. Trajtimi me antiviralë nuk mendohet se çon në ndryshimin e rrjedhës së sëmundjes. Në rastin e infeksionit të grykëve mund të përdoren antibiotikët, sigurisht që vetëm me këshillimin e mjekut. Edhe kortizonikët gjejnë vend në rastin e fryrjes së gjëndrave limfatike, sidomos kur ato shtypin organet përreth dhe shkaktojnë vështirësi në frymëmarrje apo dhimbje të forta. Paracetamoli apo ibuprofeni qetësojnë dhimbjet dhe ulin temperaturën. Shërimi i fytit vjen pas rreth dhjetë ditësh ndërsa ulja e gjëndrave limfatike kërkon dy deri në tre javë. Ndërsa ndjesia e lodhjes mund të vazhdojë për disa muaj, prandaj pacientët kanë nevojë për pushim dhe punë jo shumë të lodhshme gjatë kësaj periudhe.

Nëse nuk tregohet kujdes me çfarë ndërlikimesh shoqërohet sëmundja?

Kujdes i madh duhet treguar për zmadhimin e shpretkës, e cila mund të pësojë çarje (rupturë) dhe të rrezikojë jetën e pacientit. Prandaj pacientit i rekomandohet që për një periudhë të gjatë të mos kryejë veprimtari sportive deri sa parametrat të stabilizohen. Kur simptomat vazhdojnë më tepër se gjashtë muaj, gjendja emërtohet si kronike. Si komplikacion të kësaj sëmundje mund të përmendim hepatitin (infeksionin e mëlçisë nga virusi “Epstein Barr”). Mund të ndodhin edhe komplikacione të rralla si për shembull miokarditi (prekja e muskulit të zemrës), apo encefaliti (infeksioni i trurit). Sëmundja është mjaft e ashpër në personat me imunitet të dëmtuar (siç janë të sëmurët me kancer apo ata me SIDA).

Sa i vështirë është parandalimi i sëmundjes?

Parandalimi sëmundjes është i vështirë për shkak të rrugës aerogene të sëmundjes. Këtë e vërteton dhe fakti se rreth 95 për qind e popullatës kanë në gjakun e tyre antitrupa kundër virusit të mononukleozës. Arsyeja se pse vetëm një përqindje e vogël e njerëzve e zhvillojnë sëmundjen mbetet ende e panjohur. Prandaj i kushtohet rëndësi e madhe forcimit të imunitetit si nëpërmjet ushqyerjes ashtu edhe stilit të shëndetshëm të jetesës. Për rastet kur sëmundja është diagnostikuar pacienti duhet të qëndrojë në regjim shtrati dhe të pushojë, për t’iu rikthyer aktiviteteve vetëm pasi shenjat të jenë larguar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco