Kryediplomati gjerman paralajmëron Kosovën: Ju presin çështje jo të këndshme...

Kryediplomati gjerman paralajmëron Kosovën: Ju presin çështje jo të këndshme...

21:33, 14/02/2018

Kosova duhet të jetë e përgatitur për çështje jo të këndshme, që do ta presin gjatë këtij viti. Paralajmërimi është bërë nga ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, pas takimit me kryeministrin e Kosovës,  Ramush Haradinaj. Gabriel theksoi se Kosova do të ketë sfida të mëdha, ndërsa  përmendi sundimin e ligjit, zbatimin e reformave dhe sigurimin e gjyqësorit të pavarur, ndër me të rëndësishmet në rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane.

Por, ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Sigmar Gabriel, theksoi se Dhomat e Specializuara janë një nga çështjet jo të këndshme, që do ta presin Kosovën në këtë vit.

 “Ne angazhohemi që Kosova edhe me tej të përgatitet për çështjet jo të këndshme, dhe një nga to janë edhe Dhomat e Specializuara, të cilat duhet të trajtojnë krimet e mundshme të luftës. Unë jam i lumtur që kam dëgjuar që ka vullnet për t’u zgjidhur edhe çështja e demarkacionit me Malin e Zi. Ne e mbështesim këtë, sepse është në të mirë të qytetarëve të Kosovës, në mënyrë që ky kriter të plotësohet dhe të ketë liberalizim të vizave”, tha Gabriel.

Kryediplomati gjerman bëri me dije se ia ka bërë të qartë edhe shtetit të Serbisë që nëse dëshiron integrimin evropian, duhet ta njoh Kosovën, pos plotësimit të kriterit për shtet ligjor.

“Ne sot edhe në Beograd e kemi theksuar, që nëse Serbia dëshiron të shkojë në drejtim të BE-së, duhet që të plotësojë kriteret e shtetit ligjor dhe natyrisht edhe pranimin e pavarësisë së Kosovës. Ky është një parakusht për rrugën e tyre për në BE dhe për këtë ju mund të llogarisni në mbështetjen tonë”, u shpreh ai, raporton KosovaPress.

Rreth integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe liberalizimin e vizave, Gabriel tha se Kosova duhet të plotësojë kriteret, siç është ai i demarkacionit.

 “Sa i përket liberalizimit të vizave, këtu ka pasur një marrëveshje të demarkacionit me Malin e Zi dhe për shkak se ky kusht nuk është përmbushur edhe nuk ka ndodhur liberalizimi i vizave dhe shpresoj që kjo të ndodh së shpejti dhe që marrëveshja të ratifikohet me Malin e Zi. Unë u gëzova që ka hapa që janë diskutuar për të ardhur të një zgjidhje. Unë e kuptoj që vendi juaj dëshiron të marr liberalizimin dhe këtë gjë e duam edhe ne por duhet që kriteri të përmbushet. Po ashtu ne dëshirojmë që ta shoqërojmë Kosovën drejt BE-së dhe drejt zhvillimit dhe përmirësimit ekonomik”, theksoi Gabriel.

Gjatë një konference për media, ai ka uruar qytetarët e Kosovës për dhjetë vjetorin e pavarësisë.

“Ju përgëzoj për 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Gjermania bën pjesë në vendet e para që e kanë njohur Kosovën dhe është krenare me të arriturat e deritanishme. Gjermania dëshiron që edhe në të ardhmen të mbetet një partner i qëndrueshëm në Kosovë. Shpresojmë që Kosova të ketë stabilitet politik dhe ekonomik”, ka thënë  Gabriel.

Ai ka theksuar se sfidat të cilat duhet t’i kalojë Kosova janë zbatimi i ligjit, zbatimi i reformave po ashtu edhe çështja e gjyqësorit të pavarur, duke shtuar se duhet të zgjidhen edhe vrasjet në veri të vendit.

“Ne angazhohemi që Kosova të përgatitet për çështjet jo të këndshme janë ato Dhomat e Specializuara të cilat do të trajtojnë krimet e mundshme të luftës. Jam i lumtur që ka vullnet të zgjidhet edhe çështja e demarkacionit me Malin e  Zi është mirë që ky kriter të plotësohet dhe të zgjidhet çështja e vizave”, ka thënë ministri i Jashtëm gjerman.

“Këto takime janë të rëndësishme, ne gjermanët themi se ‘udhëtimi i formon njeriun’, është e rëndësishme që të dëgjojmë njëri-tjetrin. Do të ketë takim në mesin e ministrave të jashtëm edhe në Sofje”, ka përfunduar Gabriel.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, vlerësoi rolin e Gjermanisë në të gjitha etapat që ka kaluar Kosova.

 “Kjo ishte një mundësi ideale t’i shpjegoj ministrit për zhvillimet në Kosovë. T’i japim ato bindjet tona për të arriturat e Kosovës meqë jemi në 10 vjetorin e pavarësisë dhe njëkohësisht ta falënderoj Gjermanin për përkrahjen që i ka dhënë Kosovës që nga koha e vështirë e deri në ditën e sotme në të gjitha dimensionet, në atë ushtarake të kohës së vështirë, ekonomike të rindërtimit të jetës politike. Po ashtu tani në perspektiven tonë evropiane dhe euroatlantike”, tha Haradinaj.

Ai tha se strategjia e publikuar ditë më parë nga Komisioni Evropian, i ka hapë rrugë edhe Kosovës për integrim, porse duhet të ndodh një normalizim i marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

fery15/02/2018 09:16

Gjera jo te kendeshme po perjeton populli i Kosoves dhe gjithe qytetaret e saje z.Gabrijell kurse , keta te cileve ju po u folni, jetojne si qingji ne derrase ,me familjet dhe te afermit e tyre qojne jete perrallore me benifite e privilegje te pafund , udhtojne jashte shtetit neper bote kure te dojne dhe shkojne ku te dojne , marrin meditje dhe para nga buxheti por , edhe nga oligarket e tyre biznesor sa te dojne keshtu qe , ju gjerat e pakendeshme z.Gabrijel i paskemi rezervuar per qytetaret e thjeshte te Kosoves qe kane mbetur te mbyllur ne karantene tashe e 18 vite dhe nuke dihet se kure do te dalin nga ky " burg shtepijak "

Shto koment