EKSKLUZIVE/ Fatura marramendëse e sterilizimit. Koncesionari merr 275 euro për çdo operacion në shtet

EKSKLUZIVE/ Fatura marramendëse e sterilizimit. Koncesionari merr 275 euro për çdo operacion në shtet

16:45, 23/01/2017
A+ Aa A-

Qytetarët shqiptarë i paguajnë kompanisë koncesionare SaniService Sh.p.k deri në 275 euro për çdo operacion që kryhet në spitalet publike të Shqipërisë, përfshirë lindjen natyrale. SYRI.net publikon për herë të parë në mënyrë EKSKLUZIVE, kontratën e shumëpërfolur të koncesionit për sterilizmin e pajisjeve kirurgjikale dhe sallave të operacionit. 

Kontrata parashikon në detaje termat financiare të koncesionit, fatura e të cilit nuk ka kufij të sipërm dhe mund të rritet pambarimisht.

Edhe pse qeveria ka deklaruar si vlerë totale të koncesionit shifrën 9.6 miliardë lekë, ajo është vetëm shuma minimale që i garantohet koncesionarit privat. Fatura reale e koncesionit mund të jetë dukshëm më e larët, pasi për çdo operacion që do të kryhet në spitalet publike deri në vitin 2025, kompania SaniService do të arkëtojë nga 100-275 euro.

Kjo tarifë do të paguhet jo vetëm për ndërhyrjet kirurgjikale, por edhe për lindjet natyrale dhe aktivitetet invazive në shërbimin ambulator. 

Çmimet

Çmimet që buxheti i paguan kompanisë koncesionare janë të parashikuara në nenin 7 të Kontratës së Koncesionit që qeveria shqiptare ka nënshkruar me kompaninë SaniService.

Sipas këtij neni, Fondi i Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor i paguan kompanisë që ka koncesionin e sterilizimit; 37 mijë e 700 lekë për çdo ndërhyrje me kompleksitet të lartë, 22 mijë e 300 lekë për çdo operacion me kompleksitet të mesëm dhe 13 mijë e 900 lekë ose 100 euro për çdo ndërhyrje të lehtë që kryhet në spitalet publike të Shqipërisë.

Por kompania koncesionare nuk merr para vetëm për operacionet. Ajo paguhet nga buxheti i shtetit 1 090 lekë për çdo paketim me material të sterilizuar me temperaturë të ulët dhe 266 lekë për çdo paketim në autoklavë me avull.

Por këto çmime janë vetëm për vitin e parë të koncesionit. Në kontratë është parashikuar se ato do të rriten çdo vit duke u indeksuar me inflacionin zyrtar që publikon Instituti i Statistikave.

Fatura totale e koncesionit 10 vjeçar të sterilizimit është e paparashikueshme, për shkak se askush nuk mund të parashikojë se sa do të jetë numri i ndërhyrjeve kirurgjikale në spitalet publike të Shqipërisë deri në vitin 2025-ën. Por e sigurtë është se ajo do të jetë dukshëm më e lartë nga vlera 9.6 miliardë lekë, që qeveria ka deklaruar deri më tani.    

Image

Biznes me normë kthimi 10 fish 

Sipas kontratës koncesionare, Saniservice do të investojë 1.53 miliardë lekë në total për të gjithë periudhën e koncesionit. Kjo shifër është 6.2 herë më e ulët se sa minimumi i të ardhurave që qeveria i ka garantuar kompanisë koncesionare, çka e shndërron koncesionin e sterilizimit në një biznes të artë me norma marramendëse fitimi. 

Por në të vërtetë, norma reale e kthimit nga koncesioni i sterilizimit mund të jetë deri në 10 fish më e lartë nga investimi. Qeveria nuk ka vendosur një kufij të sipërm të të ardhurave që do të marrë kompania koncesionare, por vetëm sa ka garantuar nivelin minimal të tyre.

Nëse numri i operacioneve do të jetë i lartë fatura e koncesionit të sterilizimit mund të rritet pafundësisht deri në 15 miliardë lekë dhe më shumë duke e bërë koncesionin e sterilizimit një biznes shumë fitimprurës.   

Koncesioni

SaniService është një bashkim kompanish i krijuar posaçërisht për koncesionin e sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale dhe sallave të operacionit. Ajo përbëhet nga 4 kompani, të cilat janë "Investital LLC", "Servizi Italia", “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”.

Procedura e koncesionit 10 vjeçar është hapur në 13 shkurt 2015, me një vendim të ministrit Ilir Beqaj. Objekti i kontratës së partneritetit publik-privat ka për qëllim ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë sterilë, furnizimin me material mjekësor steril një përdorimesh në sallat kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale dhe ambienteve.

Ky shërbim ofrohet në spitalet universitare dhe rajonale të vendit, apo dhe spitale të tjera, sipas planit të racionalizimit spitalor në Republikën e Shqipërisë.

Ky koncesion do të trajtohet sipas formulës “Pay and Use,” e cila nënkupton se, kompania që do të kryejë shërbimin do të paguhet për njësi, që në këtë rast është ndërhyrja kirurgjikale.

SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

doni23/01/2017 18:08

Duhet revolucion ,te permbyset kjo klike e kuqe e cila ka ardhur dhe po i pin gjakun shqiptareve, ne te kundert u Instalu diktatura si ne kore te veriut

Shto koment

Denonco