FOTO/ PD çon në Kuvend projekt-ligjin, tekste falas për nxënësit nga klasa e parë deri në të 9

FOTO/ PD çon në Kuvend projekt-ligjin, tekste falas për nxënësit nga klasa e parë deri në të 9

12:53, 01/11/2017
A+ Aa A-

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, ka depozituar dy ditë më parë në Parlament, amendamentin që parashikon tekstet shkollore falas për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e nëntë.

“Shpenzimet për tekstet shkollore dhe ato ndihmëse të nxënësve në arsimin publik, nga klasa e parë deri në klasën e nëntë, mbulohen plotësisht nga buxheti i shtetit”, ky është propozimi i depozituar në Kuvend, nga Partia Demokratike, me 30 tetor.

Tekstet shkollore të paguara nga shtetit, ka qenë një propozim i Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha prej kohësh.

Qeveria vazhdimisht ka refuzuar ta marrë në konsideratë.

Shumë vende të rajonit e kanë këtë model, si dhe një pjesë e madhe e vendeve të BE.

Tekstet falas për nxënësit, do të ishin një ndihmesë për familjet e varfra shqiptare, që kanë një prej shpenzimeve më të mëdha të vitit blerjen e librave për fëmijët.

    Më poshtë, gjeni amendamentin e depozituar dy ditë më parë në Kuvend.

    REPUBLIKA E SHQIPËRISË

    GRUPI PARLAMENTAR I PARTISË DEMOKRATIKE

    Nr. _____Prot.                                                                        Tiranë, më _____/_____/2017

    DREJTUAR: ZOTIT GRAMOZ RUCI

    KRYETAR I KUVENDIT TË SHQIPËRISË

    OBJEKTI: PROPOZOHET PËR SHQYRTIM DHE MIRATIM NJË PROJEKTLIGJ

    BAZA LIGJORE: Pika 1 e nenit 81 të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë dhe neni 68 i Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

    Z. Ruci,

    Shpërndarja e teksteve falas dhe mjeteve ndihmëse mësimore (fletore të modeluar për klasën e parë, fletore pune në lëndë të ndryshme, atlase etj), krijon mundësinë për të gjithë nxënësit të ndihen të barabartë, si dhe një lehtësim për punën e mësuesit, pasi pajisja me mjetet mësimore ndihmëse është kryer në një makth për shkak të kostos më të lartë që ato kanë krahasuar me vetë tekstin shkollor. Gjithashtu në kushtet e përhapjes së fenomenit të braktisjes shkollore, pamundësisë ekonomike, për shkak të varfërisë, dhënia e teksteve mësimore dhe atyre ndihmëse falas, do të ishte një masë që do të shërbente shumë në uljen e fenomenit të braktisjes shkollore si dhe në krijimin ë një klime shumë më pozitive në lidhjen mes shkollës-nxënësit dhe komunitetit të prindërve.

    Për këtë arsye, bashkëlidhur ju dërgojmë për shqyrtim dhe miratim projektligjin “Për një ndryshim dhe shtesë në ligjin nr. 69/2012 “Për arsimin parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, sëbashku me relacionin shoqërues. Projektligji është iniciativë e deputetëve të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

    Përsa më lart, kërkojmë nga ana juaj, vijimin menjëherë të procedurave të nevojshme parlamentare në përputhje me Rregulloren e Kuvendit.

    KRYETARI

    EDMOND SPAHO

     

    REPUBLIKA E SHQIPËRISË

    KUVENDI

    PROJEKTLIGJ

    Nr. ______/2017

    PËR NJË NDRYSHIM DHE SHTESË NË LIGJIN NR. 69/2012 “PËR ARSIMIN PARAUNIVERSITAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”

    Në mbështetje të neneve 78, 81 pika 1 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e një grupi deputetësh,

    KUVENDI

    I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

    VENDOSI:

    Në ligjin nr. 69/2012 “Për arsimin parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

    Neni 1

    Në nenin 47 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

    a) Paragrafi 4 ndryshon si më poshtë vijon:

    “4. Shpenzimet për tekstet shkollore dhe ato ndihmëse të nxënësve në arsimin publik, nga klasa e parë deri në klasën e nëntë, mbulohen plotësisht nga Buxheti i Shtetit”.

    b) Pas pikës 4, shtohen pikat 5 dhe 6, me përmbajtje si më poshtë vijon:

     “5. Në kuadër të marrëveshjeve dy palëshe në fushën e arsimit, Ministria e Arsimit të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, bashkërendojnë punën dhe bashkë financojnë koston e teksteve shkollore për fëmijët shqiptarë nga 6-16 vjeç, të cilët marrin mësim në gjuhën shqipe në diasporë.

    6. Ministria përgjegjëse për arsimin nxjerr akte nënligjore për shpërndarjen e teksteve shkollore dhe ruajtjen e tyre, sipas dispozitave të këtij neni.”.

    Neni 2

    Hyrja në fuqi

    Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrinë efektet duke filluar nga viti shkollor 2018-2019.

    Miratuar më _____/_____/2017.

    KRYETARI

    GRAMOZ RUCI

     

    © SYRI.net

    Lexo edhe:

    Komentet

    Shto koment

    Denonco