Trump po shkëlqen në ato çështje morale që kanë vërtet rëndësi

Trump po shkëlqen në ato çështje morale që kanë vërtet rëndësi

Nga Michael Goodwin - 21/08/2017

Shumë kritikë të hershëm të Presidentit Trump, duke zgjeruar sulmet e tyre, po e akuzojnë për “dështim moral”. Ata pretendojnë se vërejtjet e tij pas rrëmujës në Charlottesville nuk dënuan mjaftueshëm nezonazistët dhe aspirantët e Ku Klux Klanit.

Ndërsa besoj se Trump po akuzohet padrejtësisht për lavdërim të supremacistëve të bardhë, ai është sigurisht fajtor për përpjekjen e kotë për të bërë dallime midis të djathtëve në vorbullën pas vdekjes së Heather Heyer. Fjalimi i tij i papërgatitur në një konferencë shtypi në Trump Tower iu dha material atyre që janë të prirur për ta parë me syzet më të errëta.

Megjithatë, morali është për sytë e atij që dëshiron ta shohë dhe, ndonëse nuk dua të debatoj me korin e “dështimit moral”,  ka edhe çështje të tjera të rëndësishme.

Këto çështje i shoh më të rëndësishme se sa ato retorike dhe pikërisht për shkak të tyre nuk e kam hedhur ende përtokë peshqirin për presidencën e Trumpit.

E thënë më shkoqur, këto teste morale ndahen në dy kategori: Ekonomia dhe siguria kombëtare.

Këto janë çështje politike, por ajo që i bën morale është shkalla me të cilën ato ndihmojnë e mbrojnë amerikanët e të gjitha racave. Llogaritë janë të thjeshta: Nëse nga një politikë përfitojnë 100 milionë njerëz, për mua ajo ka më tepër moral se një politikë nga e cila përfitojnë 10 milionë.

Është gjithashtu çështje përfitimesh. Nëse një politikë bën të rehatuarit të ndihen edhe më rehat, ajo nuk është aq morale sa politika që i shtrin mundësitë edhe për ata që janë lënë pas nga politikat e mëparshme.

Dhe rritja e ekonomisë në mënyrë që sa më tepër njerëz të përfitojnë është më morale se thjesht të rishpërndash të mirat ekonomike ekzistuese, ashtu si një qeveri e përkushtuar për lirinë individuale është morale se ajo që kufizon zgjedhjet personale në emër të ndershmërisë.

Në këtë aspekt, politikat ekonomike të Trumpit, ato për të cilat bëri fushatë dhe ato që po përpiqet të zbatojë, kanë një potencial moral të lartë. Apeli i tij për klasat e ulëta, të mesme e punëtore, shumë prej të cilave ndihen me të drejtë të tradhtuara nga qeveria e tyre dhe të dyja partitë politike, i siguroi në pjesën më të madhe fitoren dhe zbuloi një përçarje të madhe në vend.

Fitorja e tij ishte një refuzim i ekonomisë së Washingtonit, e cila dyfishoi borxhin kombëtar ndërsa mbyste rritjen. Kuponët ushqimorë u bënë më të lehtë për t’i gjetur se sa punët e mira.

Pavarësisht hapave të gabuar të Trumpit, korrigjimi i kursit që fitorja e tij përfaqëson mbetet i duhur për Amerikën, sepse pretendimet që kanë votuesit e tij janë ende po aq legjitimë e urgjentë sa çdo tjetër kërkesë për vëmendjen  e qeverisë.

Nëse politika e Trumpit për tregtinë, taksat, emigracionin dhe rregullat çojnë në punë me paga të mira për më shumë njerëz në sektorin privat dhe rinovim të fuqisë industriale të vendit, ajo do të jetë shumë më e mirë se, le të themi, rritja e burokracisë duke shtuar hetuesit që kërkojnë gjilpërën në kashtë në Agjencinë e Mbrojtjes së Mjedisit apo duke shtuar burokratë që diktojnë rregullat e banjave në shkollat publike.

Po ashtu, në çështjet e sigurisë së publikut, fushata e Trumpit dhe veprimet e tij deri tani i mbajnë premtimet për të ndihmuar njerëzit në dy zona.

Së pari, plani i tij për të rindërtuar ushtrinë është thelbësor për t’iu kundërvënë rreziqeve kundër Amerikës dhe qytetërimit perëndimor. Rrjedha e vazhdueshme e sulmeve terroriste në Evropë, përfshirë Barcelonën e bukur javën e kaluar, duhet të na kujtojë sërish se xhihadistët e dhunshëm nuk do të tregojnë mëshirë nëse i lëmë të fusin këmbë këtu.

Premtimet e Trumpit për të rritur kontrollin e refugjatëve dhe kufijve, dhe vazhdimi i fushatës së pamëshirshme kundër terroristëve kudo që na kërcënojnë janë në përputhje me vlerat themelore të Amerikës. Të mohosh këtë është njësoj si të thuash që Kushtetuta është një pakt vetëvrasjeje me armiqtë tanë.

Krahasoni politikat e sigurisë të Trumpit me ato të Barack Obama. Ish-presidenti mohonte lidhjen mes Islamit dhe shumicës së terroristëve dhe i hapi rrugë ngritjes së Shtetit Islamik duke e braktisur para kohe Irakun.

Për shkak të pasojave, ato zgjidhje mund të shihen si imorale. E njëjta gjë vlen edhe për politikën e Obamës për reduktimet ushtarake me synimin e qartë për të kufizuar kapacitetin në kohë lufte. Ngritja e fuqive të tjera, sidomos Rusisë e Kinës, erdhi si pasojë e dobësisë së tij.

Pastaj është edhe Irani e Koreja e Veriut. Është më se e qartë që politika e Obamës me të dyja e bëri botën një vend shumë më të rrezikshëm, teksa armët bërthamore po përhapen në vende që betohen t’i përdorin kundër nesh dhe aleatëve tanë. Këto politika janë dështime morale të një shkalle gjigante.

Çështja e dytë e sigurisë është lufta kundër krimit të brendshëm. Përsëri, kontrolli i kufinjve, deportimi i të huajve kriminelë dhe përkrahja e zbatimit të ligjit janë politika që synojnë të shpëtojnë jetën e amerikanëve të pafajshëm.

Nga ana tjetër, denigrimi i vazhdueshëm i ligjzbatimit dhe lëvdimi i grupeve anti-polici teksa numri i vrasjeve rritej në shumë qytete ishte më e pakta kthim prapa.

Megjithëse Chicago ishte qyteti i adoptuar i Obamës, atje pati mbi katër mijë vrasje gjatë kohës që ai ishte president. Nëse qeveria federale bëri ndonjë gjë për të ndaluar gjakderdhjen, ky ka qenë një sekret i ruajtur shkëlqyeshëm.

Pa dyshim, Trump ka shumë punë për të bërë për të fituar besimin e vendit. Por faktet thonë se zgjedhjet politike dhe veprimet e tij deri tani kanë potencialin të ndihmojnë më tepër njerëz në nevojë se ato të paraardhësit të tij.

Marrë nga New York Post - Përgatiti: SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Daj Jaku23/08/2017 16:58

Artikull i një niveli dhumë të lartë realist politik. Desha ta shtrij edhe në një këndvështrim tjetër ku nuk do guxonte autori. Në lajmet e botuara sot nga "Syri" bëhet një analizë statistikore e përkatësisë fetare të dhiputetëve shqiptarë. Pyetje: "Cila është përkatësia fetare e Barak Obamës dhe e prindërve të tij" ?

Daj Jaku23/08/2017 16:52

Artikull i një niveli dhumë të lartë realist politik. Desha ta shtrij edhe në një këndvështrim tjetër ku nuk do guxonte autori. Në lajmet e botuara sot nga "Syri" bëhet një analizë statistikore e përkatësisë fetare të dhiputetëve shqiptarë. Pyetje: "Cila është përkatësia fetare e Barak Obamës dhe e prindërve të tij" ?

d23/08/2017 15:46

Mese fundit po lexoj nje shkrim ne mediat shqip, qe i thote hapur te vertetat mbi presidentin aktual te SHBA, z.Trump. Kam pershtypjen se z.Trump, mund te jete presidenti me i sulmuar nga opozita e nga mediat ne gjithe historine e SHBA. Ne fillimet, qe nga fushata e zgjedhjeve presidenciale, pa u njohur me veprimtarine e z.Trump, kisha krijuar edhe une nje pershtypje negative per te. Vecanerisht antipatia ime si shqiptar per z.Trump, mu shtua kur mediat e akuzuan se ai i paskej dale ne mbrojtje Serbise duke akuzuar NATO-n qe e bombardoi ate ne konfliktin ne Kosove. Por nuk kaloi shume kohe, e doli qe kjo ishte e kurdisur si genjeshter nga nje gazete serbe. U tha se z.Trump jo vetem qe nuk i ka dale ne mbrojtje Serbise, por perkundrazi ka kritikuar pavendosmerine e qeverive perendimore, qe pas bombardimiit, te shkonin me trupa tokesore ne Beograd, per te shkulur gjithmone nga ky vend, berthamen e krimeve te nacional-socialiizmit shovinist. Nese trupat e NATO-s apo te OKB, do te shkonin e te vendoseshin edhe ne Beograd, kryeqytetin nga nisen lufterat e pergjakeshme ne ish Jugosllavi e jo vetem ne Prishtine, sot Serbia nuk do te vazhdonte te trimerohej me miqesine e saj me Rusine, per te bere karshillek me BE e NATO.
Pas ketij zhgenjimi qe pata nga mediat sa i takon ceshtjes me me interes per ne shqiptaret, qendrimit ndaj Serbise, fillova te shoh me dyshim te gjitha akuzat qe i beheshin atij.
Akuzohej z Trump se fitoi zgjedhjet me ndihmen e Rusise, pasi kjo paskej bere lufte kibernetike ne favor te tij. Nga njera ane sulmohet z.Trump si politikani i djathte ekstremist republikan qe historkisht dihet se kane qene kundershtaret me te repte te BS e Rusise se Putinit, e nga ana tjeter aludohet se Trump qenka "mik" i Putinit ????
Po kush e kishte pergjegjesine e sigurise kombetare per tu ruajtur nga "sulmet" e cdo lloji ndaj SHBA qe mund te vinin nga Rusia , Kina apo cilido vend tjeter antiamerikan ? E kishte biznesmeni Trump qe nuk kishte asnje funksion partiak e shteteror, apo administrata Obama qe kishte ne kontroll edhe institucionet e sigurise kombetare ?
Vereja se ne mediat e majta, tentohej te karrikaturizohej portreti i presidentit aktual, e te interpretohej cdo fjale qe nxirte nga goja si nje herezi antidemokratike.
U amplifikua si nje faj i madh i z.Trump, deklarata e tij se kerkonte ta bente Ameriken te paren, kur cilido lider i cilitdo vend demokratik , as mund te mendohej se mund te zgjidhej, nese nuk do te luftonte ta bente vendin e tij me te parin, me te zhvilluarin e me te fuqishmin. Ne cdo vend te botes demokratike, presidentet apo kryeministrat i zgjedh elektorati te cilit keta i premtojne se do ta begatojne e zhvillojne vendin e tyre. Mos duhej te thoshte z.Trump se une do ta sakrifikoj SHBA per te bere te fuqisheme gjithe boten ?
Nje tjeter abuzim i dyshimte mediatik, eshte interpretimi i qendrimit te tij te vendosur kunder terrorizmit islamik e kunder mafies se emigracionit te huaj te perzjere me trafiqet e droges, si nje qendrim racist e armiqesor ndaj fese myslimane. Me kujtohet se ne Zerin e Amerikes, pata lexuar nje njoftim gjate fushates, qe pohonte se vellai kenian mysliman nga babai i presidentit Obama, mbeshteste z,Trump. Qe atehere Zeri i Amerikes pothuajse per cdo dite ne faqen e tij online, ka vetem shkrime kunder presidentit te Amerikes.
Eshte fajtor Trump, se diktatori komunist i Korese se veriut i ka shtuar provat e hedhjes se raketave me rreze te gjate veprimi, duke u zotuar se do ta beje tere SHBA shkrumb e hi me bombat e tij atomike.
Eshte fajtor z.Trump qe ne incidentet e demostratave e antidemostratave me motive racore ne Virginia e gjetke, ka mbrojtur "supremacistet" (nje etiketim i ri i sajuar ky enkas per presidentin), kur ka denuar njelloj dhunen nga te dy palet. Eshte detyre paresore e cilitdo presidenti te nje vendi demokratik, qe te dale mbi te gjitha palet ne konflikt, e fajesine e krimit, eshte vetem drejtesia qe mund ta percaktoje e jo presidenti.

Lintirinn21/08/2017 23:54

Cool! ))

Shto koment

Denonco