100 ditë, 100 skeçe dhe 10 mashtrime të mëdha

100 ditë, 100 skeçe dhe 10 mashtrime të mëdha

Nga Syri.net - 20/01/2018

Kryeministri Rama do të mbledh sot pasdite në Pallatin e Brigadave, ministrat dhe drejtorët e institucioneve kryesore shtetërore, për të bërë bilancin e muajve të parë të qeverisjes së tij, pasi morri timonin i vetëm ashtu siç jua kërkoi me këmbëngulje shqiptarëve. Në fakt një “bilanc”  të 100 ditëve të para ai e bëri në mbledhjen e fundit të Asamblesë së Partisë Socialiste, të cilën e transmetoi live.

Të gjithë ata që dëgjuan atë dhe ministrat e tij kuptuan vetëm një gjë; objektivat ishin arritur me sukses të plotë. Nuk dihet se çfarë ka ndryshuar këto dy javët e fundit, që e ka shtyrë Edi Ramën të organizojë edhe sot pasdite një tjetër paradë fitoresh, këtë herë në ambientet “mbretërore” të Pallatit të Brigadave, por një gjë është e sigurt; spektakli.

Gjithsesi për të ndihmuar edhe stafin e regjisorëve dhe skenaristëve të shumtë që përgatisin këto evente, Syri.net u kujton se menjëherë pas fitores së zgjedhjeve të fundit (më datë 20 Korrik 2017), kryeministri Rama shpalli me pompozitet 10 objektivat dhe prioritet e qeverisë së tij, për 100 ditshin e parë të mandatit të tij të dytë.

Këto objektiva që dolën nga goja e Edi Ramës janë konkrete dhe meqenëse nuk morrin një përgjigje konkrete nëse janë realizuar apo jo në Asamblenë e PS-së, të paktën të përpiqen ta “rregullojnë muhabetin” sa të munden, në spektaklin e pasdites. Le të shohim pikë për pikë “dekalogun” e Ramës për 100 ditët e tij të para, edhe pse ato po shkojnë 200 e më shumë, që kur mori i vetëm timonin dhe gjithë tepsinë.

1. Hapen regjistrimet e anëtarëve të koalicionit të madh “Për Shqipërinë që Duam”, në Platformën online të Bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi dhe nis lufta e gjithanshme, kundër parazitëve e grabitqarëve në çdo zyrë të shtetit.

Dhe në fakt ja ka arritur që të “fusë” gjithë popullin në koalicion qeverisë, nëpërmjet emërimit me shpejtësi në krye të drejtorive në të gjitha institucionet, të militantëve dhe njerëzve me probleme të theksuara korrupsioni. Brenda 100 ditëve, do të niste një reformë të thellë në administratën publike, duke larguar sipas tij, të korruptuarit dhe të paaftët. Në fakt ajo që ka ndodhur dhe po vazhdon është bllokimi dhe shkatërrimi total i punës së administratës. Edhe aty ku po largohen militantë të partive të tjera me të cilat qeverisi mandatin e kaluar, po i zëvendësojnë me të tjerë të paaftë dhe zhvatës të xhepave të qytetarëve, siç po ndodh së fundmi te hipotekat dhe Aluizni. 

2. Nis procesi i llogaridhënies të gjithë drejtuesve të agjencive, inspektoriateve, drejtorive e zyrave të shtetit, në takime publike dhe në prani të anëtarëve të qeverisë së re e të skuadrave të deputetëve të çdo qarku.

Në fakt ideja ishte që të formonte një trupë gjykuese të përbërë prej tij dhe ministrave që janë përgjegjësit kryesorë dhe përpara turmës, të niste linçimin e atyre që do të largoheshin për tu hapur vendin në tepsi protagonistëve të blerjes dhe vjedhjes së votave.
Po çfarë ndodhi me llogaridhënien e Ahmetajt apo Gjiknurit përshembull? Ka parë kush ndonjë takim publik, ku ministrat e tij të dalin përpara popullit dhe të japin llogari?

3. Fillon lufta kundër shpërdorimit të ujit pijshëm, prerja e lidhjeve të paligjshme, prishja e lavazheve pa leje dhe ndëshkimi i abuzuesve me këtë pasuri të çmuar kombëtare.

Këtë premtim “e mbajti” faktikisht, duke bërë fakt të kryer rritjen e çmimit të ujit, deri në 40%, fillimisht në Tiranë dhe po bëhet gati me shpejtësi që ta shtrijë në gjithë Shqipërinë. Keni parë deri më sot ndonjë prishje lavazhi, apo prishje të lidhjeve të jashtëligjshme që përdorin shumica e bizneseve të klientëve të tij? Arritja më e madhe në këtë drejtim është këcënimi i popullatës së varfër, me burg për ujin.

4. Çelet faza e re e luftës kundër informalitetit në biznes me përshkallëzimin e fuqishëm të presionit ligjor, mbi çdo subjekt të madh e të vogël që nuk operon përmes kuponit tatimor

-  Edhe këtë premtim e realizoi duke ju rritur taksat shqiptarëve me të paktën 20% dhe jua hequr oligarkëve të ndërtimit nga ana tjetër, nëpërmjet të ashtuquajturës taksë të lehtësuar për hotelet me 5 yje.

5. Nis pastrimi rrënjësor i akseve kombëtare nga plehrat, mallrat, tregjet, varrezat e makinave, ferrat, etj., si edhe fillon mbyllja e hyrjeve të paligjshme apo të rrezikshme në rrugën kryesore.

 Përveç një aksioni qesharak në rrethrrotullimin në hyrjen e qytetit të Lushnjes, ku u shfaq edhe vetë me çitjane dhe me ministrat që i vuri të korrnin përpara kamerave ca barishte, edhe për këtë premtim nuk ka bërë asnjë gjë.

6.  Shpallet një luftë si asnjëherë tjetër kundër ndotjes së mjedisit, hedhjes së mbeturinave jashtë vendeve të përcaktuara dhe organizohet e zhvillohet një aksion kombëtar pastrimi në çdo qytet, fshat e metër katror të Shqipërisë.

-  Faktikisht në këto 100 ditë të para ka bërë të kundërtën; i ka shpallur luftë mjedisit dhe shëndetit të shqiptarëve në breza, duke “themeluar” edhe 3 inceneratorë të tjerë në Fier, Elbasan dhe Tiranë, të cilët do të helmojnë ajrin që thithin shqiptarët dhe do të mbushin xhepat e klientëve të tij, me qindra milion euro të taksapaguesve. Një operacion i madh ky “në mbrojtje të mjedisit”, nga i cili përfitojnë mbi 300 milion euro miqtë e tij e të Ahmetajt, që kanë marë edhe paradhënie nga kjo shumë pa nisur ende punë.

7. Fillon beteja e gjatë për sigurinë ushqimore në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët e angazhuar për Shqipërinë që duam, për të vënë përpara përgjegjësisë çdo strukturë shtetërore, kompani furnizimi apo subjekt tregtar, që cënon sigurinë e konsumatorit.

- Në qoftë se një ditë kjo qeveri dhe të gjitha ato paraardhëse do të përgjigjen ndonjëherë seriozisht për çfarë kanë bërë, mëkati më i madh është pikërisht siguria ushqimore. Në këto 100 ditë, përveç deklaratave boshe, asnjë gisht nuk ka lëvizur kjo qeveri në këtë drejtim dhe nuk ka asnjë shans ta bëjë ndonjëherë, sepse pas kësaj fshihen biznese të miqve të kryeministrit.

8. Hapet fushata e re e sigurisë rrugore, për rritjen e ndërgjegjësimit të drejtuesve të automjeteve dhe uljen e mëtejshme të numrit të aksidenteve në rrugë.

- Çfarë do të thotë sot më shumë se çfarë tha në asamblenë e PS; se për 100 ditë u bë punë e madhe nga policia rrugore, që këtë synim e ka punë të përditshme?!

9. Organizohen në çdo qark dëgjesat publike për buxhetin e vitit 2018, si edhe për riorganizimin e administratës shtetërore, shërbimeve ndaj publikut në çdo bashki dhe projektet e vitit në vijim në rang vendi e qarku.

Të gjithë e pamë se çfarë buxheti miratoi me forcën e kartonit dhe pa pyetur askënd.

10. Mbyllet me fitoren e pakontestueshme të Policisë së Shtetit lufta e këtij viti dhe shpallet fundi i historisë së shëmtuar të kultivimit masiv dhe të paligjshëm të kanabisit në Shqipëri.

Po Saimir Tahirin dhe Haki Çakon, ministrin dhe drejtorin e tij më të suksesshëm do ti përmend dhe lavdërojë, sot në Pallatin e Brigadave kur të shpall këtë supersukses?

Sepse po të mos bënte atë që bëri Tahiri me Çakon, kanabisin e paprecedent të vendit, nuk do të kishim sot “mbyllje të këtij kapitulli”, i cili në fakt është në ende në fazën e vjeljes së parave, pasi tonelata drogë shqiptare vazhdojnë të kapen në Itali dhe Greqi çdo ditë.

Faktikisht Edi Rama, për hir të së vërtetës ka punuar shumë në më shumë se 100 ditët që mban të përqafuar gjithë timonin qeverisës, duke improvizuar skeçe përditë, si ai i babagjyshit te Ardit Gjebrea, apo më i fundit fare, me mësuesen nga Rrësheni.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Sonja 20/01/2018 12:14

Nuk jane aq mashtrime, jane shume e me shume, vet qenja Rama eshte nje mashtrim i gjall, pastaj nuk behen analizat per 100 dite, por per 4 vjet + 100 dite

Shto koment

Denonco