Vendimi antiamerikan kundër interesave të Shqipërisë dhe partneritetit me SHBA

Vendimi antiamerikan kundër interesave të Shqipërisë dhe partneritetit me SHBA

Nga Kastriot Islami - 22/12/2017

Votimi i 21 dhjetor 2017 i Shqipërisë kundër SHBA është një moment i keqkonsultuar diplomatikisht politikisht e institucionalisht dhe i keqbarazpeshuar me partnerët sipas peshës e rëndësisë së tyre. Gjasat janë që ky qëndrim anti-SHBA të arshivohet si një qëndrim kundër interesave të Shqipërisë.

Por edhe si një qëndrim që do të ketë ndikim në partneritetin Shqipëri-SHBA. Qëndrimi anti-SHBA, siç u shpreh edhe përfaqësuesja e SHBA në OKB, nuk do të ndryshojë asgjë për më tepër që vendimi s’është detyrues; por qëndrimi ndaj kësaj rezolutë ishte dhe vlerësohet thjesht si çështje e respektit për partnerin kryesor, si test besimi për respektimin e marrëdhënies kryesore partneriale dhe ruajtje e dinjitetit të një partneri të rëndësishëm që kërkon reciprokisht ti kthehet mbështetja për një çështje shumë të rëndësishme e delikate që kërkon ta bashkëndajë me vendet partnere dhe mike.

Qeveria Rama e ka rreshtuar Shqipërisë gabimisht, ky duket një vlerësim pothuajse i përgjithshëm në Shqipëri. Ky vendim s’është thjesht vendim kundër Presidentit Trump por një qëndrim kundër SHBA, sepse ky qëndrim që Presidenti Trump e ka vënë në lëvizje është miratuar shumë kohë më parë nga Kongresi i SHBA pra nga përfaqësuesit e popullit amerikan dhe që atëherë nuk ka ndryshuar pavarësisht se cila forcë politike në SHBA ka pasur shumicën në Kongres. Pra në një farë mënyre qëndrimi i Shqipërisë është kundër interesave të popullit amerikan, kundër SHBA dhe së fundmi edhe kundër nismës së Presidentit Trump.

Do të prisja me shumë interes qëndrimin e ambasadës të SHBA në Tiranë për votimin e qeverisë së Shqipërisë në OKB, do të preferoja një qëndrim publik të saj, por edhe një qëndrim konfidencial i bashkëndarë me të gjithë aktorët e rëndësishëm shqiptar do të mjaftonte. Theksoj se ky qëndrim anti-SHBA është qëndrim vetëm i qeverisë Rama, dhe të gjithë faktorët e tjerë, politikë apo institucionalë kanë qenë të përjashtuar nga ky vendim.

Themeli i vendimmarrjes

Marrëdhëniet Shqipëri-SHBA janë të veçanta, janë marrëdhënie e nivelit më të lartë të partneritetit të përcaktuar që nga 1991 nga të gjithë forcat politike kryesore, nga të gjithë qeveritë dhe të miratuara me shumicë të konsiderueshme nga të gjithë parlamentet e vendit dhe të artikuluar nga të gjithë presidentët e zgjedhur pas vitit 1991. Shqiptarët kanë arritur në përfundimin se historikisht interesat e Shqipërisë përputhen me interesat e SHBA më mirë se ato të çdo vendi tjetër apo bashkimi vendesh; ky është një vullnet i qartë i shumicës së qytetarëve shqiptarë. Ngjarjet e 1999 në Kosovë dhe qëndrimin i vazhdueshëm i SHBA ndaj Kosovës e kanë konsoliduar dhe përforcuar këtë aspekt duke e cuar deri në pothuajse absolut këtë vlerësim për të gjithë shqiptarët pavarësisht ku ndodhen. Qëndrimi i SHBA në 1991 për rrëzimin e diktaturës dhe kontributi i veçantë në lindjen dhe konsolidimin e demokracisë në Shqipëri kanë qenë specifike dhe kanë kontribuar në konsolidimin e partneritetit Shqipëri-SHBA. Qëndrimi i vendosur dhe unik i SHBA për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO po ashtu ka përforcuar këtë marrëdhënie partneriteti. Qëndrimet dhe mbështetja e SHBA për integrimin e Shqipërisë në BE kanë qenë të qarta dhe të fuqishme. Këto janë disa nga arsyet historike që i vendosin marrëdhëniet Shqipëri-SHBA në nivelin më të lartë të partneritetit mes dy vendeve dhe i kanë dhënë atyre një pozicion specifik, gati, gati ekskluziv, krahasuar me marrëdhëniet me vendet e tjera.

Mungesë konsultimi dhe transparence

Konsultimi me Presidentin duket se ka munguar. Konsultimi me Kuvendin ka munguar. Mbetet te sqarohet nëse ka pasur një demarsh nga ambasada e SHBA në Tiranë dhe nëse ka pasur konsultime me përfaqësues të ambasadës së SHBA në Tiranë apo përfaqësuesit të Shtëpisë së Bardhë apo Departamentit të Shtetit. Po ashtu për arsye transparence duhet të sqarohet nëse ka pasur konsultime/takime me përfaqësuesit e vendeve të tjera, konkretisht me BE, Itali, Greqi, Turqi e Gjermani.

Metodologjia e ndjekur nga Shqipëria për çështje delikate

Nuk është hera e parë që Shqipëria ballafaqohet me vendime të vështira e delikate që duhet të merren në institucionet ndërkombëtare. Në të gjithë këto qëndrime janë pasur parasysh interesat e Shqipërisë dhe përputhja e tyre sa më e mirë me interesat e partnerëve të saj, të përkufizuara qartësisht në vendime të kuvendit. Është kryer gjithnjë një konsultim diplomatik-profesional në nivelin më të lartë të shërbimit diplomatik. Është kryer një konsultim me Kuvendin për të thithur mendimet alternative politike dhe me Presidentin e Republikës për të përfshirë në vendimmarrjen delikate mendimet dhe qëndrimin e drejtuesit më të lartë të shtetit. Janë bërë konsultime/biseda me SHBA, BE dhe vendet e tjera partnere sipas interesit të tyre për çështjen në diskutim.

Vendimmarrjet e Shqipërisë për çështjet delikate…

Rastet e vështirësisë së vendimmarrjeve për çështje delikate kanë qenë të ndryshme për diplomacinë dhe politikën shqiptare; madje ato janë komplikuar me kalimin e kohës sidomos po të kemi parasysh se në jo pak raste qëndrimet e SHBA e BE por të partnerëve të tjerë të rëndësishëm të Shqipërisë kanë qenë të ndryshme dhe deri divergjente.

  • Rasti më i thjeshtë ka qenë kur SHBA, BE dhe partnerët kryesorë të Shqipërisë kanë pasur qëndrim të përbashkët; në këtë rast qëndrimi i Shqipërisë ka qënë i lehtë dhe evident, PRO SHBA dhe PRO BE.
  • Një rast mesatarisht i vështirë ka qenë kur BE nuk ka pasur qëndrim të unifikuar; në këtë rast Shqipëria përgjithësisht ka votuar PRO SHBA dhe në ndonjë rast shumë të rrallë Shqipëria ka ABSTENUAR vetëm nëse ka pasur hapësirë për ta kryer këtë veprim pa dëmtuar interesat e SHBA dhe partneritetin SHBA-Shqipëri, gjë të cilën e ka konsultuar me shumë transparencë e sinqeritet me përfaqësuesit e SHBA.
  • Rasti më i vështirë ka qenë kur BE ka pasur qëndrim të unifikuar të ndryshëm nga ai i SHBA. Edhe në këtë rast Shqipëria ka votuar përgjithësisht PRO SHBA duke i dhënë prioritet partneritet Shqipëri-SHBA dhe vetëm në disa pak raste mund të ketë ABSTENUAR, por gjithnjë në konsultim me palën amerikane. Ndonjë rast që Shqipëria ka votuar KUNDËR SHBA, ka munguar transparenca dhe konsultimi me të gjithë faktorët e brendshëm të rëndësishëm dhe me përfaqësuesit e partnerëve kryesorë; dhe kjo ka shkaktuar një debat të konsiderueshëm në vend dhe natyrisht është mbajtur shënim nga SHBA.

*Autori është ish-Ministër i Jashtëm i Shqipërisë

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

lushingabarbullushi22/12/2017 11:24

Si etrit e tyre... perpara lu! Se dhe pak arritem ne komunizem.

Shto koment

Denonco