Shumica e qyteteve kanë disa atraksione turistike, si muze, vende historike dhe aktivitete në natyrë, që tërheqin vizitorë. Por në disa raste, atraksioni më interesant i një zone mund të jetë poshtë sipërfaqes, fjalë për fjalë.
Në të gjithë Shtetet e Bashkuara gjenden vende nëntokësore që tregojnë histori të fshehura nga e kaluara. Këto tetë tunele, dhoma dhe bunkerë ofrojnë një vështrim në anën e padukshme të jetës.
1. Tunelet e birrës në Cincinnati
Në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, Cincinnati ishte një nga qendrat kryesore të prodhimit të birrës në Shtetet e Bashkuara, thotë Aaron Deininger, drejtor ekzekutiv i Brewing Heritage Trail në Cincinnati. Shumë fabrika birre mbështeteshin te bodrumet dhe tunelet nëntokësore, të ndërtuara mes viteve 1840 dhe 1880, për prodhimin e birrës lager, e cila ka nevojë për temperatura të ulëta gjatë fermentimit.
"Ishte koha përpara shpikjes dhe përdorimit të gjerë të frigoriferëve mekanikë, ndaj krijimi i kushteve të ngjashme me një shpellë, së bashku me akullin e mbledhur gjatë dimrit, u mundësonte të prodhonin këtë lloj birre," shpjegon ai.
Fabrikat vazhduan t’i përdornin këto tunele edhe pasi u përhap teknologjia e ftohjes, deri në periudhën e Ndalimit të Alkoolit, sepse hapësirat nëntokësore ishin natyrshëm të freskëta dhe me kosto të ulët. Kur fabrikat u mbyllën dhe ndërtesat u shembën, shumë tunele u mbyllën ose u mbushën pjesërisht. "Ndonjëherë bizneset që përdornin ndërtesat sipër tokës gjatë shekullit XX i shndërronin bodrumet në vende për hedhjen e mbeturinave dhe i mbushnin me inerte," thotë Deininger. "Meqenëse ishin ndërtuar shumë mirë, ato i rezistuan dekada të tëra neglizhence, derisa u rizbuluan rreth një shekull më vonë."
Sot, Cincinnati ka përqendrimin më të madh në vend të objekteve të prodhimit të birrës nga periudha para Ndalimit të Alkoolit. Deri tani janë zbuluar më shumë se një duzinë tunelesh të tilla, por Deininger beson se mund të ketë edhe të tjerë. Disa prej tyre mund të vizitohen me guida.
Në shekullin XIX dhe në fillim të shekullit XX, fabrikat e birrës në Cincinnati fermentonin birrën lager në tunele të ftohta nëntokësore.
2. Milton House
E ndodhur në Milton, Wisconsin, Milton House ishte një bujtinë për karrocat e udhëtarëve dhe një ndalesë në Underground Railroad, rrjeti sekret që ndihmonte skllevërit e arratisur të arrinin në liri. Themeluesi i qytetit, Joseph Goodrich, ndërtoi këtë bujtinë me formë gjashtëkëndore dhe një ndërtesë ngjitur për banim e tregti në vitin 1844, pranë një kabine pionierësh të ndërtuar në vitin 1837. Të dyja lidhen me një tunel nëntokësor rreth 14 metra të gjatë dhe afërsisht 1–1,2 metra të lartë.
Sipas kërkimeve dhe dëshmive gojore, njerëzit që kërkonin lirinë silleshin në bodrumin ku ruheshin perimet e kabinës, prej nga hynin në tunelin prej dheu. "Ata përdornin kalimin nëntokësor për të arritur në bodrumin e bujtinës, ku gjenin siguri dhe strehim... derisa vinte koha të dërgoheshin në ndalesën tjetër të udhëtimit," thotë Keighton Klos, drejtor ekzekutiv i Muzeut Milton House. "Më pas procesi përsëritej në drejtim të kundërt dhe ata kalonin sërish përmes tunelit drejt kabinës, ku i priste një qerre që i çonte në destinacionin e radhës."
Milton House funksionon si muze historik që nga viti 1954 dhe ofron guida gjatë gjithë vitit.
3. Tunelet e ish-Spitalit Shtetëror të Traverse City
Ish-Spitali Shtetëror i Traverse City në Michigan, i njohur fillimisht si Azili i Miçiganit Verior, hapi dyert në vitin 1885 për pacientët me sëmundje mendore. Ndërtesa kishte një sistem modern ajrimi për kohën: ventilatorë të mëdhenj shtynin ajrin përmes tuneleve nëntokësore dhe më pas lart nëpër kanale ajrimi në pjesë të ndryshme të godinës. Tunelet shërbenin gjithashtu për transportimin e energjisë elektrike, ngrohjes dhe ujit të ngrohtë mes ndërtesave. Në disa raste, punonjësit i përdornin edhe për të lëvizur nga një ndërtesë në tjetrën.
Sot, shumica e tuneleve nën kompleksin që tani quhet The Village at Grand Traverse Commons janë bllokuar ose janë shembur dhe përmbajnë materiale të rrezikshme. Megjithatë, një tunel avulli rreth 120 metra i gjatë është pastruar dhe është hapur për vizita me guida.
4. Katakombet e Indianapolisit
Nën tregun e qytetit të Indianapolisit fshihet një rrjet kalimesh të lidhura me harqe prej tullash. Edhe pse ngjajnë me një kriptë, ato nuk përmbajnë eshtra. Të njohura si Katakombet e Indianapolisit, ato janë mbetjet e ndërtesës Tomlinson Hall, e përuruar në vitin 1886, thotë Kelly Harris, menaxhere programesh në organizatën Indiana Landmarks.
"Edhe pse u projektuan si hapësira magazinimi për tregtarët e City Market, katakombet kanë pasur shumë përdorime të ndryshme me kalimin e kohës," thotë Harris. "Ato u përdorën edhe si zonë përgatitore për aktivitetet që zhvilloheshin në Tomlinson Hall," përfshirë shfaqje me akrobaci me biçikleta.
Në vitin 1958, Tomlinson Hall u përfshi nga një zjarr që shkatërroi tërësisht katin e sipërm. Gazetat e kohës fajësuan një pëllumb, duke pretenduar se kishte hedhur një cigare të ndezur mbi çati. "Sot ka mbetur vetëm një hark, pranë Indianapolis City Market, dhe hapësira që tani e quajmë Katakombet," thotë Harris.
Indiana Landmarks nisi vizitat me guida në vitin 2012, kur Indianapolisi priti Super Bowl. Për shkak të punimeve pranë City Market, vizitat nuk do të zhvillohen gjatë viteve 2026 dhe 2027.
5. Nëntoka e Seattle-it
Zjarri i Madh i Seattle, në vitin 1889, shkatërroi 25 blloqe në qendrën e qytetit. Në vend që të zhvendoseshin, shumica e bizneseve rindërtuan në të njëjtin vend, pasi rrugët u ngritën me më shumë se 6 metra në disa zona për të përmirësuar kullimin e ujërave. Kjo bëri që katet e para të shumë dyqaneve të mbeteshin nën nivelin e rrugës, duke krijuar një rrjet bodrumesh të lidhura mes tyre, të njohur si Seattle Underground.
Këto tunele u shndërruan në një zonë tregtare, ku njerëzit mund të bënin blerje pa u lagur nga shiu. Por kjo zgjati vetëm disa vite. Pas shpërthimit të murtajës bubonike në Seattle në vitin 1907, tunelet u mbyllën dhe u braktisën.
Në vitet 1960, kur qendra e qytetit po përgatitej për një projekt të madh rindërtimi urban, banorë si gazetari dhe historiani William "Bill" Speidel kundërshtuan planin. Speidel kishte dëgjuar histori për kalimet nëntokësore dhe, me ndihmën e banorëve të tjerë, arriti t'i gjente. Pak më vonë ai nisi të organizonte vizita me guida. Vetëm në vitin 1965, rreth 15 mijë njerëz morën pjesë në këto ture. Interesi i ri për zonën ndihmoi në ruajtjen e saj dhe vizitat vazhdojnë edhe sot.
Pas Zjarrit të Madh të Seattle-it në vitin 1889, u krijua Seattle Underground, një zonë tregtare nëntokësore ku njerëzit bënin blerje derisa u mbyll më pak se dhjetë vjet më vonë.
6. Tunelet Shanghai
Edhe Portlandi në Oregon ka rrjetin e vet të kalimeve nëntokësore, të njohur si Portland Underground, por më shpesh si Tunelet Shanghai. Të vendosura nën lagjet Old Town, Chinatown dhe qendrën e qytetit, këto tunele lidhnin bodrumet e tavernave, lokaleve dhe ndërtesave të tjera me bregun e lumit Willamette.
Sipas legjendave, tunelet përdoreshin për të droguar dhe rrëmbyer marinarë kundër vullnetit të tyre. Në të vërtetë, ato u ndërtuan pas Përmbytjes së Madhe të Portlandit në vitin 1894 për të përmirësuar kullimin e ujërave dhe për të transportuar mallra nga porti drejt bizneseve të qytetit. Shumica e kalimeve u mbyllën në vitet 1950 dhe u rizbuluan rreth dy dekada më vonë. Sot mund të vizitohen me guida.
7. Bunkeri Greenbrier
Resorti Greenbrier, në White Sulfur Springs, Virxhinia Perëndimore, u themelua në vitin 1778 dhe ka pritur pesë presidentë amerikanë përpara Luftës Civile, si edhe disa të tjerë më pas. Hoteli i madh shërbeu si qendër komanduese ushtarake gjatë Luftës Civile, si strehë diplomatike gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe dy herë si spital ushtarak.
Megjithatë, roli i tij më i rëndësishëm erdhi gjatë Luftës së Ftohtë. Në vitin 1958, Kongresi i SHBA urdhëroi ndërtimin e një godine të re për të fshehur ndërtimin e një strehe sekrete kundër sulmeve bërthamore, të projektuar për të strehuar anëtarët e Kongresit për një kohë të pacaktuar në rast lufte bërthamore. Projekti, me emrin e koduar "Greek Island", përfundoi në vitin 1962. Qendra gjigante e emergjencës ndodhet rreth 220 metra nën tokë dhe u mbajt vazhdimisht gati për përdorim për 30 vjet.
Publiku nuk mësoi për ekzistencën e bunkerit deri në vitin 1992, kur u zbulua në një artikull të The Washington Post. Tre vjet më vonë, qeveria i dha fund marrëveshjes me Greenbrier dhe hoteli nisi të organizojë vizita në bunkerin dikur tepër sekret.
8. Cisterna e Buffalo Bayou Park
E ndodhur në Houston, cisterna e Buffalo Bayou Park u ndërtua në vitin 1926 si rezervuar për ujin e pijshëm të qytetit. Ajo mori emrin për shkak të ngjashmërisë me cisternat e lashta bizantine nën Stamboll. Rezervuari nëntokësor shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 8100 metrash katrorë, sa një fushë e gjysmë futbolli, dhe ka 221 kolona betoni, secila rreth 7,5 metra e lartë. Kur ishte në funksion të plotë, mbante rreth 57 milionë litra ujë të pijshëm.
Pasi u zbulua një rrjedhje që nuk mund të riparohej, cisterna u nxor jashtë përdorimit në vitin 2007. Tre vjet më vonë nisën punimet për restaurimin dhe përshtatjen e saj për përdorime të reja, ndërsa u hap për publikun në maj 2016.
Sot, cisterna është e hapur për vizita me guida, shfaqje artistike dhe instalacione arti.
© SYRI.net