Situata me zjarret vijon të jetë alarmante. Shqipëria është në pushtetin e flakëve. I gjithë vendi po përvëlohet nga vatra të shumta të zjarrit, të favorizuara edhe nga temperaturat tepër të larta, si dhe era e fortë në disa zona.
Me kritike paraqitet situata në malin e Shpiragut në Berat ku flakët janë riaktivizuar pasditen e e kësaj te shtune. Flakët kanë zbritur poshtë në fshatin Paftali ku është dashur të bëhet evakuimi i banorëve.
Edhe në bashkinë Konispol në fshatin Markat situata paraqitet problematike, pasi zjarri është riaktivizuar dhe flakët kanë përparuar drejt banesave.
Deri tani është djegur një banesë në Markat, ndërsa jane evakuar banorët e zonës. Shuarja e zjarrit bëhet me mjete manuale pasi zjarrfikësja nuk shkon dot për shkak të terrenit të vështirë.
Ndërkohë vijojnë prej 3 ditesh zjarret në fshatrat e Delvinës. Autoritetet kanë evakuuar rreth 2 mijë banorë nga 3 fshatra te Delvines, për shkak të rrezikut nga flaket që po perhapehen me shpejtësi për shkak të erës dhe temperaturave të larta. Aktualisht vazhdon të jetë aktiv zjarri te kodra përballë fshatit Palavi si dhe sipër baxhos në fshatin Kopaçez, nga ku dyshohet të ketë shkuar edhe në malin mbi Borsh.
Aktualisht nuk rrezikohen banesat pasi zjarri shtrihet në mal mbi rrugën nacionale midis Piqerasit dhe Borshit. Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe të gjerë me shkurre e bimësi, ndërkohe kërkohet ndërhyrje emergjente për të mos u agravuar më tej. Gjithë zona është e mbuluar me tym duke shqetësuar turistët vendas dhe te huaj.
Gjithashtu një nga vatrat e zjarrit të Delvinës ka përparur drejt qarkut Gjirokastër. Zjarri është zhvendosur pranë tunelit te Skerfices ku forcat zjarrfikëse po punojnë për shuarjen e saj për të frenuar përparimin drejt qytetit. Zjarri po përparon drejt fshatit Fushebardhe.
Edhe ne qarkun e Vlorës, në Selenicë zjarri i rënë prej dy ditësh në fshatin Pllocë ka kaluar shpatin e malit dhe është përhapur në fshatrat Velcë, Ramicë, Verbas dhe Matogjinë. Zjarri rrezikon banesat. Në ndihmë të forcave të ushtrisë ka shkuar dhe një helikopter i ushtrisë.
Ndërkohë policia ka vënë në pranga dy persona për zjarrvënie në Shkopet të Kurbinit dhe në fshatin Frakull të vogël në Fier, duke rrezikuar banesat dhe pyjet.