Hoti: Shumica absolute e do Kosovën në NATO dhe jo me shamia të kuqe të orientuar nga Lindja

Hoti: Shumica absolute e do Kosovën në NATO dhe jo me shamia të kuqe të orientuar nga Lindja

13:53, 10/02/2021

Kandidati për kryeministër nga LDK-ja, Avdullah Hoti, në tubimin e sotëm në Viti ka thënë se “Zoti e ka bo verë” duke u shprehur i bindur në fitore.

“Prej sot mbetet veç me e shpall që zgjedhjet janë të kryera më 14 shkurt dhe ne duhet të festojmë nga sot. Kudo që po shkojmë nëpër komuna Zoti e ka bo verë, edhe sot është ditë e mrekullueshme në Viti. Unë jam i bindur që të dielën do të festojmë, sepse kudo nëpër komuna ku shkojmë dhe sa herë bisedojmë me grupe të ndryshme të qytetarëve jam i bindur që shumica e qytetarëve në Kosovë e duan demokracinë dhe jo njerëz që duan ta kthejnë vendin prapa në autokraci. Jam i bindur se si në Viti, edhe gjithkund në Kosovë, ka më shumë njerëz të arsyeshëm që kemi punuar tash e 30 vjet për të orientuar këtë vend nga e ka destinimin e fundit – anëtar i BE-së dhe NATO-s – aty ku ka qenë vizioni i presidentit Ibrahim Rugova”.

Ai, duke e thumbuar Vetëvendosjen, ka thënë se zgjedhjet e të dielës janë zgjedhje që e përcaktojnë orientimin e Kosovës.

 

“Zgjedhjet e të dielës nuk janë zgjedhje të thjeshta për të formuar një shumicë parlamentare. Janë zgjedhje për të ruajtur orientimin pro-perëndimor të shtetit të Kosovës. Unë besoj që do të fitojmë, sepse shumica absolute e njerëzve në Kosovë e do Kosovën në BE dhe NATO sesa që e do Kosovën me shamia të kuqe dhe të orientuar nga Lindja”.

Hoti sërish ka përmendur “shamiat e kuqe” dhe “kthimin në autokraci” duke iu referuar Vetëvendosjes. Ai tha se ata kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë pakicë.

“Një grup i njerëzve gjithmonë kanë qenë kundërshtarë të proceseve që kanë ndodhur në Kosovë. Gjithmonë kanë qenë pakicë në Kosovë. Kanë me mbet gjithmonë pakicë, sepse shpirti i lirë i qytetarëve të Kosovës është pro demokracisë, jo pro autokracisë, shamiave të kuqe dhe kthimit të sistemit të mëparshëm. Kemi bërë rrugë të gjatë, plot 30 vjet, për të ardhur këtu dhe ju garantoj që nuk ka kthim prapa në autokraci. Ka vetëm përparim drejt demokracive perëndimore, sado e vështirë që të jetë kjo rrugë”.

Hoti edhe nga Vitia nuk i la pa përmendur disa nga ato që i cilëson suksese të qeverisë së tij e që po i cilëson si të mira të njëpasnjëshme që vijnë nga Zoti.

“E kemi gjetur këtë vend të izoluar dhe me sanksione ekonomike. Vetëm për disa javë kemi shkuar në Shtëpinë e Bardhë dhe kemi nënshkruar marrëveshje ekonomike 1 miliard dollarë amerikanë. Në fillim të mandatit kemi pasë kërcënime për tërheqje të trupave dhe në fund të vitit e kemi përmbyllur me vendimin e madh që Ushtria e Kosovës të bëhet pjesë e Ushtrisë Amerikane. Sikur do Zoti dhe t’i çon të mirat një nga një, natën e Vitit të Ri kemi nënshkruar marrëveshje financiare që bizneset e Kosovës kanë qasje në tregjet amerikane për financimin e projekteve. E mira tjetër, prej miqve të mirë e të fortë, vjen njohja nga Izraeli dhe më pas letra e presidentit të ri amerikane që i drejtohet fqinjit verior e i thotë se duhet të merret vesh me Kosovën dhe të bëjë një marrëveshje që njohjen reciproke e ka në qendër të saj”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco