Haxhiu: Deri në verë do të vaksinojmë 70 për qind të popullatës

Haxhiu: Deri në verë do të vaksinojmë 70 për qind të popullatës

11:09, 10/02/2021

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu, është i bindur se në rast se dalin të parët në zgjedhjet e 14 shkurtit, do të arrijnë që deri në gjysmën e parë të vitit të realizojnë 70 për qind të vaksinimit të qytetarëve me vaksinën anti-COVID.

Haxhiu në një intervistë për KosovaPress ka kritikuar Qeverinë Kurti dhe Hoti për mënyrën se si është menaxhuar situata me pandeminë, pasi sipas tij, përmes këtij menaxhimi të dobët Serbia ka arritur të bëjë propaganda në dobi të saj.

Ai deklaron se me ardhjen e Partisë Demokratike në Kosovës në ekzekutiv do të arrijnë që të implementojnë sigurimet shëndetësore dhe se do të ofrojnë 580 lloje të barnave pa pagesë.

Kandidati për deputet, Bekim Haxhiu shprehet se si PDK parashohin që përmes programit të rimëkëmbje së shëndetësisë , i cili është hartuar nga ekspertë të jashtëm të rrisin numrin e testimeve për COVID-19.

Madje, ai thotë se prioritet i subjektit politik ku garon për deputet janë edhe rritja e pagave për profesionistët shëndetësorë deri në 100 për qind.

“Ju e keni parë se kemi pasur një keqmenaxhim të pandemisë nga Qeveria Kurti dhe Hoti, rritje të numrit të madh të sëmundshmërisë dhe të vdekshmërisë dhe një invazion të Serbisë në Kosovë apo paaftësinë e këtyre dy qeverive e ka shfrytëzuar Serbia për të bërë propaganda për vete. Një herë me 1 mijë teste donacion e pastaj edhe me vaksinimin në kohën e qeverisë Hoti. Ne si PDK në programin tonë të Rimëkëmbjes parashohim një vaksinim të gjithë popullatës mbi moshën 16 vjeç, dhe në muajt e parë të verës do të realizojmë 70 për qind të vaksinimit për gjithë popullatën. Këto janë prioritet tona, sigurimi i vaksinës dhe vaksinimi i qytetarëve në së paku 30 qendra në Kosovë. Përtej kësaj PDK ka planifikuar që të ketë një mirëqenie më të mirë dhe pagesë më të mirë për profesionistët shëndetësorë, andaj do rrisim pagat për të gjithë profesionistët shëndetësorë mbi 100 për qind dhe paga bazë e një mjeku do arrijë deri në 1500 euro. Gjithashtu ka qenë kërkesë edhe e infermierëve pagesa për kujdestaritë dhe do rrisim edhe pagesën e kujdestarive 100 për qind”, tha ai.

Deputeti i legjislaturës së fundit, Haxhiu premton se me qeverisjen e PDK qytetarëve të Kosovës do t’iu sigurohet mirëqenie më e mirë shëndetësore, pasi brenda vitit do të nisë implementimi i sigurimeve shëndetësore.

Për t’ju dalë në ndihmë edhe më tej pacientëve, Haxhiu thotë se në programin për rimëkëmbje shëndetësore kanë paraparë ndërtimin e spitalit të Prishtinës.

Për të krijuar lehtësira, kandidati për deputet nga PDK tha se do angazhohet që të bëhet digjitalizimi i komunikimit të brendshme spitalor por edhe modernizimi i shpërndarjes së barnave.

“Ne kalojmë në fazën tjetër të menaxhimit të shëndetësisë që është implementimi i sigurimeve shëndetësore dhe barna falas për qytetarët për së paku 580 ilaçe, është e domosdoshme që të kemi një shëndetësi e cila i ofron qytetarëve dhe me këtë do e fillojmë rimëkëmbjen e shëndetësisë. Pas kësaj, ne planifikojmë që të bëjmë edhe fazat e ndërtimit të spitalit të Prishtinës me çka të tjerët kanë dështuar që ta bëjnë edhe pse kanë pasur qeverisjen në Prishtinë më shumë se 20 vite një kohë LDK dhe pastaj Vetëvendosje. Ne planifikojmë ta bëjmë spitalin e Prishtinës sepse e kemi këtë mungesë të madhe në zinxhirin shëndetësor sepse qytetarët e Prishtinës, Obiliqit, Besianës ,të Lipjanit iu mungon shkalla e dytë, ajo që është shëndetësia sekondare dhe këta qytetarë nga niveli primar duhet të kalojnë në nivelin terciar pa ndonjë kontroll paraprak”, theksoi Haxhiu.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco