Moti i keq ka sjellë edhe aksidente të shumta rrugore këtë të shtunë në rang bvendi. 3 të plagosur është bilanci i tyre deri tani, 2 nga të cilët në Devoll e një në Vlorë. Një taksi me pasagjer doli nga rruga në Devoll, ndërsa dallgët që arrinin deri në Lungomare shkaktoi përplasjen e dy makinave. Dy  kamionë janë kthyer nga era në Milot, fatmirësisht pa pasoja në njerëz, ndërkohë në rrugën e kombit u përmbys një borëpastruese.

Nga SYRI TV

Moti i keq ka shkaktuar edhe disa aksidente në vend. Në Devoll, në vendin e njohur si kthesa e fshatit Cangonj një automjet taksi ka dalë nga rruga.

Raportohet për 2 të lënduar që janë shoqëruar për në spital për të marrë ndihmën mjekësore, teksa shkak dyshohet rrëshqitja në rrugë pasi ka patur reshje të dendura shiu. Në automjet po udhëtonin 5 persona.

Në Vlorë u regjistrua një tjetër aksident me pasojë një të lënduar që është nisur me urgjencë në spital. Ngjarja ndodhi në zonën e Lungomares ku janë përplasur dy automjete, e për pasojë njëri nga drejtuesit mbeti i plagosur. Si pasojë e aksidentit u bllokua njëra korsi e rrugës duke shkaktuar edhe trafik.

Ndërkohë në Lezhë, era e fortë dhe reshjet e dendura kanë vështirësuar qarkullimin. Për pasojë në urën e Milotit era rrezikoi përmbysjen e një kamioni ndërsa dëmtoi pjesë të tij. Një tjetër kamion jo shumë larg vendit të ngjarjes së parë, u përmbys në rrugë, por fatmirësisht nuk raportohen dëme në njerëz. Trafiku në këtë segment paraqitet i rënduar përgjatë pjesës së parë të ditës.

Në Pogradec, si pasojë e erës së fortë është thyer një pemë në parkun e qytetit gjatë shëtitores ‘10 Dëshmorët e Pojskës’. Fatmirësisht në momentin që ka rënë pema nuk ka pasur njerëz apo mjete në rrugë. Në zonë mbërritën punonjësit të cilët bënë të mundur heqjen e saj dhe pastrimin e zonës. Qarkullimi është bllokuar në këtë zonë deri në momentin që të largohet pema e rrëzuar.

VIDEO SYRI TV/ Moti i keq me shi e borë, aksidente në disa qytete të vendit

Denonco