Prej tre ditësh Vlora vijon të jetë e ndotur nga djegia e mbetjeve urbane në lagjen ‘24 Maji’. Kjo situatë duket se është pasojë e aferës tjetër mes qeverisë dhe Klodian Zotos, për ndërtimin e landfillit të Sherishtës. Edhe pse ka marrë deri më tani 21 milionë euro, landfilli nuk ka përfunduar e tashmë është sekuestruar nga SPAK. Ndërsa Vlora mbytet nga tymi i mbetjeve, Bashkia Vlorë ka nisur edhe pagesat shtesë për kredinë e marrë në Bankën Gjermane KFV për një landfill që nuk funksionon

SYRI TV

Afera e ndërtimit të Landfillit të Sherishtës mes qeverisë shqiptare dhe Klodian Zotos, ka sjellë si pasojë djegien e mbetjeve urbane në Vlorë. Prej tre ditësh, në kulmin e sezonit turistik, Vlora është nën pushtetin e resë së tymit dhe ndotjes masive të shkaktuar në nga djegia e mbetjeve urbane në fushën e vjetër që ndodhet në lagjen “24 Maji”. 

Në këtë fushë, vijojnë ende të digjen mbetjet urbane të qytetit të Vlorës, pasi investimi prej 20.8 milionë eurosh për ndërtimin e Landfillit të Sherishtës, ende nuk ka përfunduar për shkak se kompania e Klodian Zotos, që po ndërton këtë objekt, është vënë nën sekuestro nga SPAK. 

Por teksa 20.8 milionë euro janë investuar tashmë, ende pa u vënë në funksion, Landfilli i Sherishtës vijon të djegë paratë e qytetarëve vlonjatë. Prej vitit të kaluar, Bashkia Vlorë ka nisur të paguajë këstet e kredisë ndaj bankës gjermane KFV, sipas detyrimeve kontraktuale. Nga ana tjetër, eksperti i mjedisit Niko Dumani ngre alarmin për ndotjen që shkakton fusha e vjetër e mbetjeve urbane në Vlorë.

Syri Televizion ka raportuar herë pas here skandalin me landfillin e Sherishtës, i cili ende nuk pret grumbullimin dhe më pas diferencimin  e mbetjeve urbane, siç ishte parashikuar.

SYRI TV/ 21 mln euro për landfillin e Zotos në Vlorë që vijon i kyçur dhe mbetjet digjen

Denonco