Vetëm 2 javë pas përballjes live për skandalin McGonigal, kryeministri Edi Rama i ka çuar policinë bizneseve të Agron Shehajt. Dhjetëra forca policie dhe IKMT kanë nxjerrë me forcë nga godina punonjësit e biznesit në pronësi të deputetit demokrat, për të shembur më pas godinën, edhe pse Shehaj disponon kontratë të rregullt qiraje për ushtrimin e aktivitetit në atë ambient. Vetë deputeti e cilëson sulmin politik, ndërsa nga dëshmitë e punonjësve mësohet se nuk kanë munguar as kërcënimet me arrestime

SYRI TV

IKMT, në bashkëpunim me policinë, ka bllokuar biznesin në pronësi të deputetit të PD, Agron Shehaj. Forcat e policisë  rrethuan me shirit një ditë më parë biznesin, ndërsa këtë të premte nxorën jashtë punonjësit.

Ky aksion bëhet përmes një urdhri konfiskimi që mban datën 24 tetor të lëshuar nga IKMT me pretendimin se biznesi i Agron Shehajt ndodhet në një ndërtese pjesërisht pa leje. Përfaqësuesin ligjor i kompanisë shprehet se urdhri është i paligjshëm dhe se biznesi është me kontratë të rregullt qiraje.

Burime për Syri TV bëjnë me dije se policia i ka kërcënuar punëtorët me arrestime dhe i kanë nxjerrë nga zyrat, ndërkohë që vazhdonin punën në ambientet e brendshme të saj.

Pasditen e të enjtes pranë biznesit të Shehajt ishte edhe një oficer policie nga drejtoria e krimit ekonomik, i cili merrte në referencë urdhrin e datës 24 tetor, por pa dhënë shpjegime se pse po i bllokojnë biznesit. Syri TV ka siguruar edhe momentet të debateve të tij me deputetin Shehaj.

Sulm të paligjshëm të urdhëruar nga Edi Rama e cilësoi deputeti Shehaj bllokimin e biznesit të tij. Në një reagim në profilin zyrtar, Shehaj shkruan se kjo nuk do ta ndalë që të denoncojë çdo aferë ku është përfshirë kryemnistri dhe qeveria.

“Për herë të katërt, pa asnjë urdhër dhe pa asnjë vendim gjykate, policia politike e Edi Ramës ka mësyrë sërish bizneset e mia duke terrorizuar dhe nxjerrë me forcë jashtë punonjësit.

Prej disa kohësh, sipërmarrjet e mia janë vënë nën sulmin e paligjshëm të policisë së shtetit, e cila me urdhër direkt të Kryeministrit përdoret si kamzhik kundër kundërshtarëve politikë.  Do të vazhdoj të them të vërtetën dhe të denoncoj çdo aferë ku është përfshirë Kryeministri dhe qeveria si në rastin e kompanisë quaskë të inceneratorëve, të Xhaçkës, Gjiknurit apo megaskandalit të Ramës në SHBA”.

Përballja më e fundit mes kryeministrit Rama dhe deputetit demokrat Agron Shehaj ka ndodhur pak ditë më parë gjatë një debati televiziv, ku pasi Shehaj i ka kërkuar llogari mbi skandalin, kryeministri braktisi intervistën.

SYRI TV/ E akuzoi live, Rama i çon policinë deputetit demokrat Shehaj

Denonco