Një dokument i përcjellë ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, nga drejtori i Agjencisë së Prokurorimit Publik, Eduart Ahmeti, ngre dyshime të forta për orientimin abuziv të kontratës 22 milionë euroshe të inceneratorit të Elbasanit. Ahmeti vinte në dijeni dy zyrtarët se procedura me negocim për koncesionin, nuk mbështetet në ligj. SPAK e ka mbështetur akuzën e saj mbi këtë dokument, ndërsa ky i fundit nuk shkoi kurrë tek anëtarët e Komisionit të Koncesionit, të cilët edhe u arrestuan për aferën. 

Syri Tv

Anëtarët e Komisionit të Koncesionit për inceneratorin e Elbasanit u arrestuan nga SPAK-u, me argumentin se kishin miratuar procedurën e paligjshme të “negocimit, pa shpallje paraprake” për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit nga kompania “Albtek Energy”.

Prokuroria e Posaçme mbështet akuzën e saj mbi një dokument të Agjencisë së Prokurimit Publik, e cila kundërshtonte këtë procedurë, duke e konsideruar se nuk mbështetej në legjislacionin shqiptar.

Por, ky dokument nuk shkoi kurrë në dorë anëtarëve të Komisionit të Koncesionit. Ata kanë deklaruar para SPAK-ut se nuk ishin në dijeni të qëndrimit të Agjencisë së Prokurimit Publik dhe nuk e kishin parë asnjëherë atë shkresë.

Ky deklarim ngre dyshime për një fshehje të mundshme të dokumentit dhe orientim abuziv të të gjithë kontratës 22 milionë euroshe.

Drejtori i atëhershëm i Agjencisë së Prokurimit Publik, Eduart Ahmeti, njoftoi ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, se procedura e parashikuar me negocim pa shpallje për koncesionin e landfillit të Elbasanit, nuk mbështetet në ligj.

Shkresa mban numrin Protokolli 12 303 dhe datë 18 nëntor 2014.

Kjo shkresë, e cila i drejtohej Kokës dhe Agaçit, nuk mbërriti asnjëherë në duart e anëtarëve të Komisionit të Koncesionit, siç citohet edhe në një vendim të Gjykatës së Lartë për këtë çështje.

Disa nga anëtarët e Komisionit kanë deklaruar se nuk kanë pasur formimin e duhur për të vlerësuar llojin e procedurës, ndërsa disa të tjerë kanë vlerësuar se ajo me negocim pa shpallje paraprake ishte më e mundshmja në një situatë emergjence mjedisore të shpallur nga Këshilli i Ministrave.

Por, qëndrimi i tyre mund të kishte qenë i ndryshëm, nëse do të kishin në duar shkresën që Agjencia e Prokurimit Publik ia kishte dërguar Sekretarit të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi.

SYRI TV/ Djegësi i Elbasanit, kush e fshehu dokumentin e APP? Agjencia-Agaçit: Procedura, e paligjshme

Denonco