Shqipëria mban numrin rekord të personave që kanë aplikuar për azil në vendet e Bashkimit Europian. Muaji gush i këtij viti shënon rritje të numrit të aplikimeve dhe në krahasim me shtetet e rajonit, vendi ynë ka numrin më të lartë edhe të personave që riaplikojnë sërish.

Nga Syri Tv

Në muajt e verës aplikimet për azil nga shtetasit shqiptarë në një nga vendet e Bashkimit Europian shënuan një rritje të shpejtë duke tejkaluar dhe nivelet e para pandemisë.

Sipas të dhënave nga zyra europiane e azilantëve, aplikimet për azil në muajin gusht arritën në mbi 1400, me një rritje prej 46% në krahasim me korrikun dhe më shumë se dyfishi në raport me muajin qershor.

Në gusht, aplikimet ishin më të larta dhe se muajt e fundit përpara se të fillonte pandemia, dhjetor 2019 dhe janar e shkurt 2020.

Në gusht 2021, rreth 1200 ishin aplikime të reja dhe rreth 230 ishin riaplikime.

Në krahasim me shtetet e tjera të rajonit, shqiptarët mbajnë rekord për numrin e aplikimeve në gusht, duke rezultuar gati katër herë më të larta sesa shteti i dytë pas nesh, që është Maqedonia e Veriut.  

Cikli i emigrimit, i nisur që pas viteve ’90 nuk po njeh ngadalësim, përkundrazi ai është përshpejtuar sërish që pas vitit 2015. Të dhëna të tjera të  Eurostat bëjnë të ditur se që nga janari i vitit 2008 deri në korrik 2021 janë rreth 234 mijë shqiptarë që kanë kërkuar gjithsej azil në një nga vendet e Bashkimit Europian (BE).

Sipas viteve, numri më i madh i aplikimeve për mbrojtje ndërkombëtare (azil) është shënuar në vitin 2016, me gati 69 mijë, ku gati 80% kishin destinacion Gjermaninë. Vitet e mëvonshme, aplikimet u përgjysmuan, ndërsa në 2019-n u shënua një tendencë rritëse e lehtë. 

Në 2020-n, pandemia i frenoi përkohësisht aplikimet, për shkak të karantinave dhe kufizimeve të udhëtimeve, por nuk i ndali tërësisht.

Sipas Monitor,  në verën e këtij viti u konstatua sërish rritje e kërkesave për azil, duke arritur nivelet e para pandemisë.

Krahas kërkesave për azil, që në pjesën më të madhe, mbi 90%, refuzohen për shkak se Shqipëria është në listën e vendeve të sigurta, rrugët për të ikur janë të shumta. Po sipas Eurostat, që nga viti 2008 deri në 2020-n, janë rreth 700 mijë shtetas shqiptarë që kanë marrë leje qëndrimi në një nga shtetet e Bashkimit Europian. Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria mban rekordin për numrin e shtetasve të saj që kanë zgjedhur të jetojnë e punojnë në një shtet të Bashkimit Europian.

VIDEO – SYRI TV/ Shqiptarët duan të ikin nga vendi, aplikimet për azil në gusht shumë të larta

Denonco