Shqiptarët në shekullin XIX-XX

Shqiptarët në shekullin XIX-XX

14:47, 09/11/2019

Së pari, duhet vlerësuar dhe të rikujtojmë të mirat që ua solli liria Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi. Diskriminimi ndaj shqiptarëve filloi që në momentin e krijimit të shteteve kombëtare në Ballkan, pra që në fillim të shekullit XIX, kur Serbia, Greqia, Mali i Zi dhe Bullgaria, duke u mbështetur në mbretëritë e tyre mesjetare, filluan të përpilojnë plane dhe projekte, të cilat përfshinin zgjerimet e tyre territoriale në kurriz të hapësirave të banuara me shqiptarë.

Natyrisht, duhet pranuar se vetë shqiptarët, pak ose aspak, nuk punuan si grup i organizuar, qoftë në institucionet perandorake osmane, ku ata, së paku deri në gjysmën e parë të shekullit XIX, ishin një faktor përcaktues ushtarak dhe politik, por duke mos pasur as institucione religjioze të lidhura vetëm me etninë shqiptare, nuk arritën gjatë gjithë shekullit XIX të përpilonin si tërësi, as edhe një alfabet të përbashkët.

Pra, ndonëse i konsideruar si popull i veçantë, autonomia e të cilit nuk vihej në pikëpyetje, pavarësisht përkatësisë së tij religjioze; me fillimin e krijimit të shtetit-komb, ata do të përballeshin për herë të parë me mohimin e etnisë së tyre, duke u konsideruar të gjithë shqiptarët myslimanë si turq-osmalinj, të krishterët ortodoksë si serbë, bullgarë e grekë, e të tjera.

Në rrethana të tilla, shikuar nga një distancë kohore pothuajse dyshekullore, faktet dëshmojnë se ajo elitë shqiptaro-osmane vepronte jo sipas një programi politik afatgjatë dhe të pranuar gjerësisht nga strukturat e ndryshme sociale, por ai aktivizohej vetëm në rrethana lufte, kur cenoheshin drejtpërdrejt zonat e banuara me shqiptarë, pra kur ishte tepër vonë për të parandaluar copëtimin territorial dhe etnik të tyre.

Me një fjalë, shqiptarët, ndonëse kishin vetëdije etnike, atyre u mungonte vetëdija institucionale kombëtare, pra u mungonte arsimimi në gjuhën amtare, rrjedhimisht edhe mundësia për të kultivuar memorien historike, ashtu edhe vetëdija shtetërore, ngase elitat vendore, edhe kur sundonin në mënyrë autonome në zonat shqiptare, nuk kishin në planet e tyre afatgjate shkëputjen nga Porta e Lartë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco