Sigurimi shëndetësor- Pse nuk po bëhet?

Sigurimi shëndetësor- Pse nuk po bëhet?

07:33, 25/05/2023

Shkruan: Zejnullah Jakupi

Në KTV u dha para katër dite një kronikë problemore e cila fliste për një paciente e cila kishte marrë kredi deri në 20.000 euro për tu shuruar nga sëmundja e kancerit. Mesazhi i kronikës ishte disi paradoksale. Përse?

Sepse nuk është normale që pacientja të kërkojë ndihmë në mënyrë individuale nëpër ministri as në barnatore duke kërkuar ilaçe kundër kancerit të cilat nevoiten për ta luftuar kancerin, asaj i duheshin për çdo tre javë nga 3000 euro. Me këtë tematizim turpërohet jo vetëm pacientja por edhe televizioni, ministria por edhe e gjithë shoqëria. Natyrisht fajin për këtë gjendje e kanë të gjithë qeveritë deri tani dhe kjo gjendje tregon se akoma nuk është zgjidhur problemi kryesor e ky është sigurimi shëndetësor. Dhe me kronikën në fjalë po tregohet se dikush po i bie thumbit e dikush patkoit, deri sa gazetarja nuk e përmendi sigurimin shëndetësor me asnjë fjalë të vetme, por drejtonte fajin te shteti, me kritika se nuk po i ofron asaj ndihmën për ta luftuar kancerin. 
 
E pyeta AI – inteligjencën artificiale por nuk mora përgjigje. Ajo më tha; „unë nuk mund të jap informacion të freskët në lidhje me situatën aktuale të sigurisë shëndetësore në Kosovë. Informacioni im është aktual deri në shtatorin e vitit 2021. Për të marrë informacionin më të përditësuar rreth sigurisë shëndetësore në Kosovë, ju rekomandoj të kontaktoni autoritetet shëndetësore vendore, si Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ose institucionet e shëndetësisë lokale. Ata do të jenë në gjendje të ofrojnë informacionin më të saktë dhe të freskët në lidhje me situatën shëndetësore aktuale në vendin tuaj“.
 
Hulumtova pak në internet dhe gjeta një dokument dhe disa ligje dhe miratimin e tyre para dhjetë viteve. Pse nuk u bë sigurimi shëndetësor deri tani? Po e jap një spjegim të shurtër praktik se si është e rregulluar kjo çështje në Gjermani: Në Gjermani ka sigurim shëndetësor të quajtur ligjor ose me bazë ligjore (gesetzlich) dhe aso privat.
Ky me bazë ligjore është standard. Secili që punon paguan një pjesë të sigurimit, pra çdo punëmarrës dhe punëdhënës paguan në vit diku 2700 Euro dhe pjesa tjetër e paguan punëdhënësi.
 
Individi i siguruar merrë trajtim të plotë në raste kur diagnostifikohet me sëmundjen e kancerit apo çdo sëmundje tjetër ose çfardo trajtimi tjetër mjekësor sipas përkufizimit ligjor.
 
Pacienti merrë trajtimin në spitalin e specializuar (në entet shëndetësore) për këtë sëmundje. Dhe nuk ka kategrorizime si në Kosovë, trajtim themelor, sekundar dhe terciar që lidhet me pagesa dhe ku bëhen diskriminime në trajtim. 
Në Gjermani, për shembull, nëse një pacient diagnostifikohet me sëmundjen e kancerit, pacienti nuk qanë kokën për paratë. Pas diagnostifikimit atij i jepet mundësia të nënshkruaj se a dëshiron trajtim dhe i jepet chemoterapia e kombinuar me terapinë imuniale (Immuntherapie). Pacienti që vendos të mos e merrë chemoterapinë nuk mund pastaj ta merrë terapinë e imunitetit e cila natyrisht është më e shtrenjtë dhe atëherë sigurimi shëndetësor nuk e merrë përsipër ta mbulojë dhe pacienti duhet ta mbulojë vetvetiu e që do kushtonte 10.000 euro në muaj e që bëhet e pamundur trajtimi për ata që nuk kanë mundësi financiare.
 
Për çdo smundje, pacienti i siguruar nuk ka nevojë të brengoset për paratë dhe mjetet financare, siç ndodh në Kosovë. Qasje në sigurimin shëndetësor dhe tretman në spitale dhe entet shëndetësore kanë jo vetëm ata që punojnë, por edhe ata që kanë sigurim të liruar pra, nëse marrin ndihma sociale, janë të papunë ose janë të mitur dhe gëzojnë sigurimin shëndetësor të një pjesëtari të familjes përmes sigurimit shëndetësor familjar.
 
Prandaj në kronikë nuk u tha s´paku një fjalë se pse nuk kemi deri tani sigurim shëndetësor? Qeveria Kurti po punon në këtë drejtim dhe me sa dihet ligji akoma nuk është miratuar, ose më mirë të themi Fondi për Sigurimet Shëndetësore nuk po funksionon, por pritet të bëhet dhe njëherë e mirë të kryehet puna e sigurimit shëndetësor dhe çdo pacient me çfardo sëmundje të mund të gëzojë të drejtën e sigurimit shëndetësor dhe të marrë shërbimet përkatëse shëndetësore.
 
Ligji për Shëndetësi që përfshin sigurimin shëndetësor ka hyrë në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën zyrtare të Republikës së Kosovës, shih Ligjin Nr. 04/L-125 që mban datën 13 dhjetor 2012, i shpallur me dekretin Nr.DL-018-2013, me datën 26.04.2013 nga Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga, por, deri tani në Kosovë nuk kemi sigurim të kujdesit shëndetësor dhe i cili po kalon disa reforma që akoma nuk janë finalizuar e që synojnë ofrimin e shërbimeve të decentralizuara dhe mbulimin e të gjithë banorëve të Republikë nga paketat e sigurimeve shëndetësore . Pra, duhet thënë se kujdesi shëndetësor është ai që ofrohet në spitale por kjo nuk nënkupton në asnjë rast sigurimin shëndetësor i cili në Kosovë mungon akoma. Gjithashtu edhe nocioni „sistem shëndetësor“ nuk nënkupton sigurimin shëndetësor- i cili nënkupton koston financiare të këtij sigurimi.
 
Pa patur sigurim shëndetësor Republika e Kosovës nuk mund të harmonizojë sistemin shëndetësor me ate të BE-së, dhe ligjet e Kosovës duhet të jenë kompatibile me ligjet e BE-së, siç thuhet, qartazi në Marrëveshjen për Stabilizim Asociim (MSA) në mes të Kosovës dhe BE-së, pra që Republika e Kosovës duhet ta këtë sigurimin shëndetësor.
 
Sipas Ligjit Nr 2004/38 për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Qytetarëve në Kujdesin Shëndetësor. 27 Udhëzimi Administrativ 15/2013 Karta e të të Drejtave dhe Përgjegjësive të Pacientit, ligji Nr 2004/38 për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Qytetarëve në Kujdesin Shëndetësor, në nenin 4. 13 thuhet se çdo person ka të drejtë në kujdes emergjent me qëllim të parandalimit të dëmtimit permanent dhe serioz të shëndetit. Ligji i njejtë iu mundëson grupeve të caktuara të qytetarëve kujdes shëndetësor pa pagesë. Ligji momental për Shëndetësinë (2013) nuk përmban një listë të tillë. 
 
Sidoqoftë, këto grupe të qytetarëve mund të marrin shërbime shëndetësore pa pagesë në institucionet shëndetësore publike: gratë, para dhe pas shtatzanisë, lindjes dhe periudhës së lehonisë kanë të drejtë në këshilla para mbarësimit, kujdes shëndetësor antenatal dhe postpartal, familjarët e ngushtë të dëshmorëve, të personave të zhdukur dhe personave me aftësi të kufizuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe anëtarët e familjeve të ngushta të viktmave civile të luftës (vetëm të drejtë në kujdes shëndetësor primar dhe sekondar). Mungesa e sigurimit shëndetësor e ka bërë gjendjen kaotike në Kosovë duke krijuar anomali e kompliksitet përmes kategorizimeve të „kujdesi shëndetësor primar“ ai „sekundar“, dhe „terciar“.
 
Nuk po e kuptoj gjithashtu pse në literaturë flitet për Ligjin Nr. 04/L-249 për Sigurimet Shëndetësore, nga viti 2014, por nuk ka sigurim shëndetësor si në Gjermani.
 
Citati në vijim është i pakuptueshëm për ne që jetojmë jashta Kosovës, në shtetet perëndimore. Dhe duhet të na spjegohet se a ka sigurim shëndetësor siç e ka Gjermania që për secilin që ka sigurimin bazë ligjor e gëzon kujdesin shëndetësor apo nuk ka?
 
Lidhur me Ligjin për sigurime shëndetësore thuhet se „Të gjithë qytetarët dhe banorët e Republikës së Kosovës kanë të drejtë dhe obligim për sigurim shëndetësor të detyrueshëm, siç theksohet në Nenin 6 të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore. Sigurimi Shëndetësor mbulon shërbimet themelore shëndetësore, që quhet “paketa themelore”.Qytetarët të cilët kanë sigurim shëndetësor iu takon një numër i shërbimeve shëndetësore të ofruara nga institucionet primare, sekondare dhe terciare shëndetësore. Një parakusht për marrjen e këtyre shërbimeve është që qytetarët t’i kenë paguar premiumet, vetëm nëse ata janë të përjashtuar nga pagesa. Gjithashtu thuhet se edhe „qytetarët dhe banorët pa sigurime shëndetësore do të mund të përfitojnë nga “shërbimet e garantuara shëndetësore”, të cilat do tu ofrohen pa marrë parasysh statusin e sigurimit shëndetësor. Këtu përfshihen: Shërbimet shëndetësore emergjente; shërbimet shëndetësore për fëmijët deri në moshën 18 vjeqare; shërbimet shëndetësore esenciale për gratë shtatzëna dhe lehona; dhe shërbimet tjera esenciale të përcaktuara në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore. Shërbimet e garantuara ofrohen pa pagesë si pjesë e kujdesit themelor shëndetësor në Kosovë.“ (e huazuar nga studimi - RrGGK_Raporti-per-kujdes-shendetesor_2016)
 
Në këtë studim thuhet si me poshtë: „Sigurimi shëndetësr duhet të financohet nëpërmes të sistemit të detyruar të premiumeve të sigurimeve shëndetësore me ç’rast secili kosovar paguan një shumë të caktuar të të ardhurave të saj/tij në Fondin për Sigurime Shëndetësore. Problemi kryesor mbetet funksionalizimi i këtij fondi. Sepse niveli i lartë i papunësisë në Kosovë dhe një përqindje e lartë e popullatës që besohet se punon në sektorin joformal e bën gati të pamundur për të punësuarit të paguajnë fonde të mjaftueshme për t’i mbuluar shpenzimet shëndetësore për të gjithë qytetarët. Bashkë-pagesat dhe taksat e reja, siç është taksa e rritur për duhan, alkohol dhe të mirat luksoze, janë propozuar si një zgjidhje për mbulimin e dallimit. Që nga viti 2016, pra, Fondi i Sigurimit Shëndetësor nuk është funksionalizuar ende, dhe e drejta për sigurim shëndetësor nuk është zbatuar dhe nuk po zbatohet.
 
Shpenzimet e planifikuara për kujdes shëndetësor sipas këtij studimi arrinë rreth €108 milion. Kjo shumë mbulon përafërsisht 60% të të gjitha shpenzimeve të kujdesit shëndetësor publik. Prandaj, 40% apo diq si kjo, të shpenzimeve të kujdeist shëndetësor duhet të mbulohet nga bashkë-pagesat dhe shpenzimet nga xhepat e pacientëve. Sigurimi shëndetësor publik është e drejtë e të gjithë qytetarëve, por Fondi për Sigurime Shëndetësore nuk është themeluar ende. Disa kompani ofrojnë sigurime shëndetësore private, por vetëm gjashtë përqind të Kosovarëve, sipas këtij hulumtimi, duket se kanë sigurime shëndetësore private e që nuk është zgjidhja e problemit…
 
Në mungesë të sigurimit shëndetësor pacientët si në rastin e kronikës televizive duhet të marrin kredi për të marrur trajtim – barëra në spital. Dhe natyrisht në mungesë të sigurimit pacientët nuk kanë mundësi të bëjnë me kohë kontrolle paraprake siç është ai i „Skriningu i kancerit“. Sipas hulumtimit në fjalë nga viti 2016 thuhet se programet e skriningut mund të parandalojnë vdekshmërinë duke detektuar lezionet (para) kanceroze mjaftë herët pë trajtim. Sondazhi i zhvilluar për këtë hulumtim përmbante disa pyetje në lidhje me skriningun e kancerit të zorrës së trashë, por natyrisht edhe të organeve tjera trupore. Përafërsisht 97.4% e respondentëve kurrë nuk kishin bërë skrining për kancer të zorrës së trashë, dhe 95.3% kurrë nuk kishin bërë kolonoscopi. Natyrisht sigurimi shëndetësor do të mbulonte të gjitha trajtimet primare, sekundare dhe ato terciare dhe natyrisht edhe kontrollet rutinë si skriningun i cili mund të parandalojë dhe detektojë kancerin e gjirit, kancerinë në mushkri, etj.
 
Natyrisht sigurimi shëndetësor do të mbulonte edhe shfrytëzimin e shërbimeve shëndetësore mendore kur dihet se Kosova si një shoqëri post konfliktuoze, po ballafaqohet me peshën e rëndë të sëmundjeve mendore me nivel të lartë të Çrregullimit siç është Stresi Post Traumatik (ÇSPT), depresionit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco