Gjaku, testiset, veshka, zemra – organet e kafshëve që u transplantuan te njeriu

Gjaku, testiset, veshka, zemra – organet e kafshëve që u transplantuan te njeriu

18:49, 11/01/2022

57-vjeçari David Bennett nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bë personi i parë, të cilit iu vendos zemra e derrit.

Mjekët treguan se ai është në gjendje të mirë shëndetësore tre ditë pas procedurës eksperimentale, e cila zgjati shtatë orë në Baltimore.

Por, ky nuk është rasti i vetëm i transplantimit të organeve të kafshëve te njeriu.

Ky proces daton që nga mesi i shekujve 17 e 20, ku gjaku u transfuzua nga specie të ndryshme kafshësh te pacientët me një sërë gjendjesh patologjike.

Në vitet 1920 u bë transplantimi i testikujve të shimpanzeve te disa burra të moshuar, gjendja e të cilëve po përkeqësohej. Kjo u bë duke besuar se hormonet e prodhuara nga testisi do të rinovonin pacientët.

Në vitet 1963 deri 1964, kur organet njerëzore nuk ishin të disponueshme dhe dializa kronike nuk ishte ende në përdorim, u bë transplantimi i veshkave të shimpanzeve në 13 pacientë, njëri prej të cilëve u kthye në punë për gati 9 muaj.

Transplanti i parë i zemrës te një njeri i kryer ndonjëherë ishte nga Hardy në 1964, duke përdorur një zemër shimpanzeje, por pacienti vdiq brenda 2 orësh.

Në vitin 1966 u krye transplanti i parë i mëlçisë së një shimpanzeje te njeriu, ai jetoi 70 ditë pas këtij transplanti.

Ndërkaq, vitin që lamë pas, një veshkë derri është transplantuar te një njeri pa shkaktuar refuzim të menjëhershëm nga sistemi imunitar i marrësit, një përparim potencialisht i madh që do t’u jepte fund stërmundimeve, me të cilat shumë njerëz përballen për të marrë një organ dhe radhëve të gjata në pritje.

Procedura u bë në një spital në Nju-Jork, që përfshinte në fillim përdorimin e një procedure që ndryshonte gjenet e derrit, në mënyrë që indet e tij të mos përmbanin më molekula që shkaktonin refuzimin e menjëhershëm nga trupi i marrësit.

Marrësi ishte një paciente në vdekje klinike, me shenja të mosfunksionimit të veshkave, familja e së cilës, lejoi të kryhej ky eksperiment.

Eksperimenti i bërë përfshiu një transplant që zgjati vetëm tre ditë, kështu që çdo provë e ardhshme ka të ngjarë të zbulojë barriera të reja që do të duhet të kapërcehen. Pranueshmëria mund të varet edhe nga prognoza.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco