Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Juljan Shehu, mund të jetë shumë pranë transferimit në Bundesligë.
Sipas raportimeve nga media polake, një klub i elitës së futbollit gjerman ka shfaqur interes konkret për 27-vjeçarin, i cili aktualisht aktivizohet me Widzew Łódź në kampionatin polak.
Interesimi për Shehun nuk vjen vetëm nga Gjermania.
Dy skuadra të La Ligas po ndjekin gjithashtu nga afër situatën e mesfushorit, i cili ka spikatur me paraqitjet e tij gjatë sezoneve të fundit.
Më herët, klubi turk Konyaspor kishte paraqitur një ofertë zyrtare prej 1.75 milionë eurosh për kartonin e shqiptarit, por ajo u refuzua nga Widzew Łódź.
Edhe një ofertë e mëparshme nga Kasimpasa pati të njëjtin fat.
Megjithatë, situata për klubet gjermane dhe spanjolle është ndryshe.
Në kontratën e Shehut ekziston një klauzolë lirimi që mund të aktivizohet nga klubet e ligave kryesore europiane.
Nëse një prej tyre paguan shumën e përcaktuar dhe lojtari pranon kushtet personale, transferimi mund të realizohet pa pengesa.
Vendimi për të ardhmen e futbollistit shqiptar pritet të merret brenda ditëve në vijim.
Juljan Shehu iu bashkua Widzew Łódź në sezonin 2022-2023 si lojtar i lirë, pasi u largua nga Laçi.
Më parë ai ka luajtur edhe për Kastriotin dhe Paniliakosin në Greqi.
Me skuadrën polake ka zhvilluar 103 ndeshje zyrtare, duke shënuar nëntë gola dhe dhuruar tetë asistime, ndërsa me Kombëtaren shqiptare numëron 11 paraqitje.
Një kalim në Bundesligë do të ishte pa diskutim hapi më i rëndësishëm në karrierën e tij.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: