Venezia është shumë pranë realizimit të një goditjeje të rëndësishme në merkato, duke synuar të sigurojë shërbimet e sulmuesit kosovar, Albion Rrahmani, i cili pritet të jetë përforcimi kryesor për repartin ofensiv në sezonin e ri.
Klubi italian, që militon në Serie A, ka intensifikuar negociatat me Spartën e Pragës dhe sipas raportimeve të fundit, marrëveshja mund të mbyllet shumë shpejt, madje edhe gjatë ditës së sotme, nëse palët arrijnë kompromisin përfundimtar financiar.
Drejtuesit e Venezias kanë vendosur në tavolinë një ofertë prej 7.5 milionë eurosh si shumë fikse, plus 2 milionë euro bonuse. Nga ana tjetër, klubi çek kërkon 8 milionë euro të garantuara dhe 2 milionë euro të tjera në formë bonusesh. Diferenca mes palëve mbetet vetëm 500 mijë euro, një hapësirë minimale që lë të hapur mundësinë e një akordi të menjëhershëm.
Rrahmani, 25 vjeç, ka kaluar një sezon shumë të mirë me Spartën e Pragës, duke shënuar 16 gola dhe duke dhënë 4 asistime në të gjitha garat, përfshirë kampionatin, kupën dhe ndeshjet e Conference League. Ai gjithashtu ka regjistruar 7 gola në 25 paraqitje me Kombëtaren e Kosovës, duke konfirmuar rritjen e tij të vazhdueshme.
Sulmuesi ka përvojë të konsiderueshme edhe në kompeticionet evropiane, me 14 gola të shënuar në Champions, Europa League dhe Conference League, përfshirë edhe fazat kualifikuese. Karriera e tij ndërkombëtare nisi në vitin 2023, kur u transferua nga Ballkani te Rapid Bukureshti, përpara se të kalonte te Sparta e Pragës për rreth 5 milionë euro. Tani, ai është shumë pranë hapit të madh në Serie A me Venezian.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: