Pas 6 vitesh, Shkëndija 'ndan rrugët' me sulmuesin e saj më të mirë

Pas 6 vitesh, Shkëndija 'ndan rrugët' me sulmuesin e saj më të mirë

13:56, 31/08/2021

Në vitin 2015, Besart Ibraimi kaloi nga skuadra qipriote e Ermis Aradippou tek Shkëndija, duke u bërë një titullar i padiskuteshëm tek tetovarët.

Pas 6 vitesh, sulmuesi 34 vjeçar vendos të largohet nga Shkëndija, duke dalë si lojtar i lirë. Klubi tetovar dhe Ibraimi kanë vendosur me marrëveshje ndërprerjen e bashkëpunimit.

Në vite si lojtar i klubit kuqezi, Ibraimi ka shënuar plot 147 gola në të gjitha kompeticionet, duke fituar edhe epitetin “Mbreti i Golave”.

Lajmin e bëri me dije klubi i Shkëndijes përmes një postimi në faqen zyrtare, ku falënderon Ibraimin për kontributin e dhënë me fanellën kuqezi.

“Faleminderit për gjithçka që ke bërë për klubin tonë, Besart! Faleminderit për të gjitha momentet e mira, për kontributin tënd në fanellën kuqezi! Të dëshirojmë shumë suksese në karrierën tënde si futbollist!”,-  shkruhet ndër të tjera në njoftimin e Shkëndijës.

Pas lajmit të publikuar nga Shkëndija, ka reaguar edhe Besart Ibraimi, i cili e përshkruan me emocion gjithë karrierën e tij te kampionët e Maqedonisë së Veriut.

 “Krenar që i shërbeva kësaj fanelle dhe i lumtur që dhashë kontribut për sukseset e Shkëndijës.

Pas aq shumë sukseseve e arritjeve të mëdha që do mbeten të shkruara me germa të arta në historinë e Shkëndijës dhe për të cilat unë gjithmonë do të jem krenarë, lamtumirën e kisha menduar më ndryshe edhe pse një ndarje asnjëherë nuk mund të ketë shije të mirë!

Kam shijuar maksimalisht çdo moment te Shkëndija, kam dhënë gjithçka nga vetja përherë dhe jam i vetëdijshëm se jo gjithmonë gjërat kanë ecur ashtu si kemi dëshiruar. Përkushtimi im ka qenë i njejtë edhe atëherë kur gjërat shkonin mirë, ashtu si në rastet kur fatkeqësisht rezultatet nuk ishin të duhurat.

I lumtur pa masë që në emrin tim dhe si futbollist i Shkëndijës mbeten të shkruara disa rekorde në nivel shtetëror, si golashënuesi më i mirë në historinë e futbollit vendor dhe si fitues i katërfishtë i çmimit “Golashënuesi më i mirë i vitit”.

Falenderim deri te të gjithë për mbështetjen brenda këtyre viteve, mirënjohje e pafund për mbështetësit e Shkëndijës në krye me “Ballistët” që më dhuruan momente të paharruara.

Me këtë rast dua të përcjell konsideratat më të sinqerta deri te gjithë ata me të cilët bashkëpunova në Shkëndijë gjatë këtyre viteve, bashkojtarë, trajnerë, ekip mjekësorë, ekonomat, administratë, kryesi e kryetarë.

Mirënjohje e madhe dhe e përzemërt për udhëheqësin e këtij projekti madhor dhe më meritorin që Shkëndija preki këto nivele, z. Lazim Destani.

Ndoshta kemi mundur dhe është dashur më shumë, por unë në çdo moment dhash gjithçka nga vetja. Uroj tjerët që do të na pasojnë të tejkalojnë arritjet tona, ndërsa Shkëndijës i uroj shumë suksese tjera për gëzim të tifozerisë më të zjartë.

Respekt dhe gjitha të mirat në të ardhmen!

I juaji, Besart Ibraimi”.

Gjatë përvojës si kuqezi, Besart Ibraimi ka fituar 2 tituj kampion të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut dhe dy Kupa, si dhe është shpallur dy herë futbollisti i vitit në 2016-ën dhe 2018-ën.

Në CV-në e tij si futbollist spikatin edhe përvojat me Shalken, Sevastopolin dhe Metalurg Zaporozhjen.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco