Nga burgjet tek rrjetet sociale, Topalli: Krimi po përdor influenceret për pastrim parash

Nga burgjet tek rrjetet sociale, Topalli: Krimi po përdor influenceret për pastrim parash

09:05, 18/05/2026

Gazetarja Aida Topalli, nga studioja e “Kafe Shqeto” në Syri TV, ka bërë deklarata të forta lidhur me situatën në burgjet shqiptare, duke zbuluar se nga telefonat e sekuestruar së fundmi janë zbardhur biseda mes të burgosurve për organizime vrasjesh brenda ambienteve të burgut.

Topalli u shpreh se aksionet e fundit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve kanë nxjerrë në pah komunikime të vazhdueshme mes personazheve të botës së krimit, të cilët vijojnë të kenë akses me botën e jashtme dhe të organizojnë ngjarje kriminale edhe nga qelitë.

Sipas gazetares, një personazh i rëndësishëm i botës së krimit, aktualisht në paraburgim dhe në proces gjyqësor, ka qenë objekt i një tentative për eliminim fizik brenda burgut, ç'ka ka sjellë më pas lëvizje dhe masa të shtuara sigurie në disa institucione të vuajtjes së dënimit.

Në deklaratën e saj, Topalli ndaloi edhe tek fenomeni i influencerëve dhe ekspozimi i jetës luksoze në rrjetet sociale, duke ngritur dyshime se disa prej tyre përdoren për pastrim parash nga grupet kriminale.

Ajo tha se një pjesë e këtyre personazheve figurojnë edhe në dosjet e Prokurorisë së Posaçme dhe të prokurorive të tjera në vend.

Gazetarja theksoi se kjo kulturë e luksit artificial po ndikon drejtpërdrejt tek të rinjtë, të cilët shohin figurën e influencerit si model suksesi, pa kuptuar mekanizmat dhe mbështetjen kriminale që fshihet pas disa prej tyre.

Deklarata e plotë:

“Kanë shkuar deri në pikën saqë kanë organizuar vrasje brenda ambienteve të burgut. Të them dhe diçka se çfarë po ndodh tani me sekuestrimet e fundit të telefonave të bëra.

Të gjitha këto, qoftë edhe videot të cilat janë gjetur dhe për të cilat sot po flitet, janë bërë nga telefonat e të burgosurve. Së fundmi ka pasur një aksion të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të sekuestruar telefonat.

Dhe në fakt, të gjitha këto të sekuestruarat shkojnë ose tek SHKB-ja ose merren pastaj nga prokuroria dhe një pjesë e tyre edhe hapen. Dhe aty çfarë s'janë gjetur? Pra janë gjetur edhe biseda mes të burgosurve nga njëri burg në tjetrin, për të kryer vrasje në një burg të caktuar?

Vetëm përpara disa kohësh (unë e kam thënë dhe më herët) një personazh jo pak i rëndësishëm i botës së krimit, i cili aktualisht është i paraburgosur dhe është edhe në proces gjyqësor në gjyq themeli, i është rrezikuar jeta. Pra i është organizuar dhe ka pasur një tentativë organizimi të çuar përtej, jo në fillimet e saj, për ta vrarë brenda ambienteve  të burgut.

Dhe kjo solli pastaj që të kishte një aksion të mirëfilltë edhe në burgjet e tjera dhe ka pasur edhe lëvizje të të burgosurve të tjerë apo të paraburgosurve të tjerë, pikërisht sepse, për shkak të aksesit që kishin me botën e jashtme dhe në telefon, të organizonin apo të rrezikonin jetën e disa prej personazheve kryesorë të botës kriminale në vend. Se nuk është çudi që po bëhen shumë ndryshime së fundmi.

Shfaqja e jetës së luksit, shfaqja e udhëtimeve të vazhdueshme, të cilat për hir të së vërtetës, ne e dimë shumë mirë se sa mund të paguhet një influencer, qoftë për një reklamim në rrjetet sociale.

Ka raste që përdoren edhe për pastrimin e parave të këtyre personazheve, pra për mua nuk është shqetësuese se sa ata ndërhyjnë tek kjo ndershmëria e tregut, por se sa ato i përdorin këto vajza për të pastruar paratë dhe për të dhënë edhe një status të caktuar shoqëror

Patjetër që janë aksesorë në krim. Janë disa prej tyre të cilët ekzistojnë edhe në dosjet qoftë të Prokurorisë së Posaçme apo prokurorive të zakonshme që pastrojnë paratë e anëtarëve të grupeve kriminale dhe patjetër që e gjithë kjo përshfaqje e kësaj jete luksi ka ndikuar tek brezi i ri që duan të bëhen si ato.

Dhe nëse pyet brezin e ri çfarë do të bëhesh, dua të bëhem influencer. Dhe kur e provojnë të bërit influencer në kushte normale, atëherë tërhiqen dhe thonë, po shiko se nuk qenka e njëjta gjë dhe nuk qenka ashtu siç e kemi parë tek filanja, apo filanja.

Patjetër që nuk është sepse ka edhe një industri të tërë mbrapa që e mbështet këtë të fundit për të qenë në majë"

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco