SYRI TV/ Aeroporti i Vlorës zhytet në ujë, përmbytet pista dhe terminali

22:26, 20/11/2025

Aeroporti i Vlorës, projekt që i kushtoi taksapaguesve shqiptarë plot 104 milionë euro është zhytur në ujë ende pa përfunduar. Ndërsa kryeministri Edi Rama nxitoi që të inauguronte pistën e këtij Aeroporti për efekte elektorale, me reshjet e para të dimrit, sipërfaqe e madhe në këtë aeroport, pranë pistës dhe terminalit është përmbytur. Prej muajsh Aeroporti është përfshirë në skandal, ku dyshohet se edhe në këtë projekt zyrtarët më të lartë të qeverisë janë të përfshirë në afera korruptive.

Syri TV

Aeroporti i Vlorës ndodhet nën ujë. Teksa Kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministrja Belinda Balluku e inauguruan me bujë certifikimin e aeroportit të Vlorës për arsye elektorale ne muajin maj, duke bërë prove edhe uljen e parë të një avioni sot ai është i mbuluar nga uji. Pas  6 muajsh, ai që cilësohet si aeroporti ndërkombëtar i jugut dhe i kushtoi taksapaguesve shqiptarë plot 104 dhe që do të shërbente si një portë për jugun e vendit, është nën pushtetin e ujit.

Sipërfaqe e madhe në këtë aeroport, pranë pistës dhe terminalit është përmbytur. Këtë e  tregojnë pamjet teksa infrastruktura e drenazhimit duket e papërgatitur për reshjet, pasi ka mjaftuar shumë pak shi dhe ai të mbushet me ujë duke ngritur pikëpyetje mbi cilësinë e punimeve dhe menaxhimin teknik të kantierit.

Kjo situatë vjen në një kohë kur afatet e premtuara për përfundimin e aeroportit janë shtyrë disa herë. Fluturimet e para projektoheshin të bëheshin në verën e vitit 2025, por jo vetëm nuk ndodhi por tashmë zona është përmbytur duke ngritur dyshime serioze për sigurinë dhe funksionalitetin e tij në të ardhmen. Autoritetet nuk kanë dhënë ende një sqarim zyrtar për praninë e ujit në pistë. Prej muajsh Aeroporti është përfshirë në skandal, ku dyshohet se edhe në këtë projekt zyrtarët më të lartë të qeverisë janë të përfshirë në afera korruptive.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco