Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka bërë një hap të hapur që shkel rregullat e heshtjes zgjedhore, duke publikuar sot thirrje të drejtpërdrejta për votim të kandidatëve socialistë në zgjedhjet e pjesshme lokale në pesë bashki të vendit.
Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, reagoi duke theksuar se thirrjet elektorale gjatë ditës së votimit janë të ndaluara dhe se kjo veprimtari shkel ligjin zgjedhor. “Është e ndaluar të bëhen thirrje elektorale, mund të bëjnë vetëm thirrje për pjesëmarrje masive. Shpresoj që kjo rikujtesë e kësaj problematike të merret seriozisht,” deklaroi Celibashi, ndërsa theksoi se procesi i votimit në të gjitha qendrat vijon normalisht.
Postimi i Ballës në rrjetet sociale nuk la hapësirë për interpretim: ai inkurajoi qytetarët e Vlorës, Beratit, Cërrikut, Matit dhe Tepelenës që të votojnë kandidatët e Partisë Socialiste, duke e shoqëruar thirrjen me premtime për rritje të pensioneve, pagave dhe integrim në Bashkimin Evropian.
Veprimi i Ballës është një shkelje flagrante e heshtjes zgjedhore dhe një përpjekje për të influencuar rezultatin e votimeve në mënyrë të paligjshme. Shkelja e rregullave të fushatës zgjedhore mund të ketë pasoja ligjore, duke vënë në pikëpyetje integritetin e procesit zgjedhor në këto bashki.
Në ditën e votimit, çdo thirrje për votim të drejtpërdrejtë mund të konsiderohet manipulim dhe shkelje e ligjit, duke cenuar besimin e qytetarëve në procesin demokratik.
Postimi i plotë i Ballës:
Prej mëngjezit qytetarët e Vlorës, Beratit, Cërrikut, Matit dhe Tepelenës po votojnë për kryebashkiakët e rinj për të vazhduar rrugën drejt #Shqipëria2030🇦🇱🌹🇪🇺 me Edi Rama dhe
Partia Socialiste e Shqipërisë 🤗Ne socialistët shqiptarë po mbajmë zotimin tonë në zgjedhjet e majit se ky mandat do të jetë mandati i rritjes së përvitshme të pensioneve 👵🏻 👴🏻 pagave 👮♂️ 👷🏻♀️👩🚒👩✈️👩🔬dhe mandati i anëtarësimit në Bashkimin Europian 🇪🇺
Kështu pensionistët tanë, përveçse do të marrin këtë dhjetor, bonusin e fundvitit, duke filluar nga janari, do të kenë një rritje tanimë të shtrirë në çdo muaj të katër viteve që kemi përpara përmbi indeksimin e përvitshëm, natyrisht.
Prandaj ju ftoj të dilni masivisht dhe të votoni kandidatët tanë.
© SYRI.net