SYRI TV/ Zgjedhjet e pjesshme në 5 bashki - Në garë për kryebashkiakë, 13 kandidatë

12:18, 08/11/2025

5 bashki të vendit do të shkojnë të dielën në zgjedhje të pjesshme vendore. Vlora, Berati, Tepelena, Cërriku dhe Mati do të çojnë qytetarët e tyre në kutitë e votimit për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj pasi një pjesë e tyre morën mandatin e deputetit, apo u dorëhoqën si rasti i Ermal Dredhës në Vlorë. PS në këto zgjedhje do të dalë me kandidatët e saj, ndërkohë që Partia Demokratike dhe opozita kanë vendosur të mbështesin një pjesë të kandidaturave të pavarura.

Syri TV

308 mijë qytetarë në 5 bashki të vendit do t’i drejtohen kutive të votimit të dielën e 9 nëntorit për kryetarët e ri të bashkive. Në kutitë e votimit do të shkojnë qytetarët e Vlorës, Beratit, Tepelenës, Cërrikut dhe Matit. Fushata zgjedhore sipas përcaktimeve të KQZ zgjati vetëm një javë nga 1 nëntori deri në 7 nëntor. Partia Demokratike dhe opozita do të mbështesin kandidatët të pavarur, që kanë depozituar pranë institucionit të zgjedhjeve dokumentacionin e regjistrimit bashkë me firmat që i nevojiten për të qenë pjesë e procesit, ndërsa PS ka shpallur kandidatët e saj disa javë më parë, të cilët janë propozuar nga kryeministri Rama.

Gjithsej janë 13 kandidatë që do të garojnë në 5 bashki. Në Vlorë, Brunilda Mersini e PS e cila la mandatin e deputetes për kandidatimin si kryebashkiake, do të garojë përballë kandidatit të pavarur të mbështetur nga opozita, Dionis Sota, teksa në garë do të jetë edhe Gjergj Nika, që ka shpallur kandidaturën e tij të pavarur. Në Berat, opozita do të mbështesë kandidatin e pavarur Pavlo Shkarpa, ndërsa PS ka propozuar kandidatin Ervin Ceca. Në Cërrik, Florenc Doka i PS do të kandidojë përballë kandidatit të pavaruri Amarildo Hoxha që do të marrë edhe mbështetjen e opozitës. Po në këtë bashki do të kandidojë nën logon e Partisë “Lëvizja Shqipëria Bëhet” edhe Eligert Hima. Në bashkinë e Matit, PS ka propozuar kandidatin Altin Bojni, ndërsa një tjetër socialiste ka sfiduar propozimin e Ramës duke shpallur kandidaturën e pavarur. Kryetarja e Gruas së PS, Suzana Pasha do të garojë jo vetëm kundër rivalit politik por më së shumti, një garë brenda llojit kundër kandidatit socialist Alin Bojni.

Ndërkohë në këtë bashki, opozita do të mbështesë kandidaturën e pavarur të Eduart Brahilikës. Në Tepelenë, PS ka propozuar ish drejtuesin e Gardës së Republikës, Gramoz Sako, ndërsa opozita do të mbështesë të pavarurin Gabriel Guma. Ndërkohë zgjedhjet në Tiranë, janë anuluar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kushtetuesja pranoi kërkesën e Erion Veliajt për të shpallur të pavlefshme vakancën e shpallur nga këshilli ministrave gjithashtu rrëzoi dhe dekretin e presidentit të republikës, Bajram Begaj për zgjedhjet e 9 nëntorit në bashkinë të madhe në vend. Erion Veliaj që prej 10 shkurtit është i arrestuar dhe mbahet nën masën e sigurisë ‘Arrest në burg’ në paraburgimin e Durrësit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco