Të dielën, 334 mijë e 539 qytetarë me të drejtë vote në pesë bashki të vendit do t’i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj. Zgjedhjet do të zhvillohen në bashkitë Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë tashmë të gjitha materialet zgjedhore në këto bashki, ndërsa Policia e Shtetit ka përgatitur një plan masash për mbarëvajtjen e procesit. Sipas njoftimit zyrtar, policia ka marrë në ruajtje 9 objekte zgjedhore, ku janë vendosur KZAZ-të, si edhe 473 qendra votimi, ku do të ushtrohet e drejta e votës.
Në total, 612 efektivë të Policisë së Shtetit do të jenë të angazhuar për sigurinë e procesit, ruajtjen e objekteve dhe shoqërimin e materialeve zgjedhore. Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast që synon të tjetërsojë votën e tyre.
Kjo garë konsiderohet fushata më jo tipike e viteve të fundit, pasi munguan figurat e liderëve kryesorë politikë. As kryeministri Rama dhe as ish-kryeministri Berisha nuk janë shfaqur në takime apo mitingje zgjedhore.
Numri i votuesve në secilën bashki është si më poshtë:
• Vlorë: afro 172 mijë votues
• Berat: mbi 82 mijë
• Cërrik: rreth 39 mijë
• Mat: 29 mijë
• Tepelenë: 12,600 votues
Partia Demokratike dhe opozita zyrtare nuk marrin pjesë me kandidatët e tyre zyrtarë, por kanë deklaruar mbështetjen për disa kandidatë të pavarur, të cilët do të përballen me kandidatët e Partisë Socialiste.
Garat kryesore:
• Vlorë: Brunilda Mersini (PS) përballet me Dionis Sotën (mbështetur nga PD) dhe Gjergj Nikën.
• Berat: Ervin Ceca (PS) kundrejt Pavlo Shkarpës.
• Mat: Altin Bojni (PS), Suzana Pasha (e pavarur, ish-anëtare e PS) dhe Eduart Brahilika (i mbështetur nga PD).
• Cërrik: Florenc Doka (PS), Amarildo Hoxha (i pavarur, i mbështetur nga PD) dhe Eligert Hima (Lëvizja Shqipëria Bëhet).
• Tepelenë: Gramoz Sako (PS) përballet me Gabriel Gumën (i pavarur, i mbështetur nga opozita).
Kryebashkiakët që do të zgjidhen të dielën do të kenë një mandat të shkurtuar prej 1 viti e gjysmë, deri në zgjedhjet vendore të planifikuara për pranverën e vitit 2027.
© SYRI.net