Pas vendimit të Kushtetueses për Veliajn, Rama mbledh me urgjencë socialistët e Tiranës

19:32, 05/11/2025

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur në selinë e Partisë Socialiste shtabin elektoral të qarkut të Tiranës.

Në një lidhje live, gazetarja e SYRI-t, Abrozia Meta bën me dije se ky takim vjen menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të lënë në detyrë kryebashkiakun nën arrest, Erion Veliaj, duke anuluar kështu zgjedhjet e pjesshme në kryeqytet.

Në mbledhjen e thirrur nga kreu i qeverisë marrin pjesë deputetë, ish-deputetë dhe emra të tjerë të angazhuar në fushatën për zgjedhjet e pjesshme tashmë të anuluara.

E pranishme është edhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e caktuar si drejtuese politike e fushatës për Tiranën. Vlen të theksohet se Balluku është një ndër emrat e lakuar së fundmi në media, pasi SPAK e mori zyrtarisht të pandehur për shkelje të barazisë në tenderin për tunelin e Llogarasë.

Takimi është i fokusuar te zhvillimet e fundit politike pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila pranoi kërkesën e Erion Veliajt, duke e lënë atë në detyrë. Me këtë vendim, Gjykata shfuqizoi vendimet e mëparshme të Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij.

Si pasojë, Gjykata Kushtetuese rrëzoi edhe dekretin e Presidentit Bajram Begaj për caktimin e zgjedhjeve të pjesshme në kryeqytet. Kjo nënkupton se në Tiranë nuk do të mbahen zgjedhje, pasi Veliaj vijon të jetë zyrtarisht në postin e kryetarit të bashkisë, pavarësisht se ndodhet në ambientet e paraburgimit në burgun e Durrësit që prej muajit shkurt.

Meta: Në fakt, siç edhe ti e the, kryeministri Edi Rama ka thirrur një mbledhje me shtabin elektoral të qarkut të Tiranës. Pikërisht janë deputetët e Tiranës, por gjithashtu edhe disa ish-deputetë apo emra të tjerë të cilët ishin angazhuar për zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Tiranës. Mbledhja ka nisur prej orës 19:00 këtu në Selinë Rozë dhe në të gjithashtu merr pjesë edhe ajo që ishte caktuar si drejtuese politike e fushatës së Tiranës, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e cila ka qenë dhe një nga emrat më të diskutuar përgjatë ditëve të fundit prej momentit kur në fakt SPAK e mori zyrtarisht të pandehur për shkeljen e barazisë në tenderave sa i përket tunelit të Llogarasë. Në fakt, është një mbledhje e cila vjen e fokusuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila pranoi kërkesën e Erion Veliaj duke e lënë atë në detyrë dhe duke shfuqizuar dhe hedhur poshtë vendimin e Këshillit Bashkiak dhe të Këshillit të Ministrave që e shkarkonte Erion Veliajn nga posti i kryetarit të Bashkisë. Gjykata Kushtetuese rrëzoi gjithashtu edhe dekretin e Presidentit të Republikës Bajram Begaj për caktimin e zgjedhjeve të pjesshme në kryeqytet dhe doli me vendimin se nuk do të ketë zgjedhje në Tiranë për shkak se Erion Veliaj vijon të jetë në detyrë pavarësisht që ai tashmë ndodhet prej muajit shkurt në ambientet e paraburgimit në burgun e Durrësit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco