Premtimi i Ramës për rritjen e pensioneve, zhgënjen pensionistët: Nuk na dalin as për ilaçe, le më për bukë!

Premtimi i Ramës për rritjen e pensioneve, zhgënjen pensionistët: Nuk na dalin as për ilaçe, le më për bukë!

14:54, 05/11/2025

Premtimi i kryeministrit Edi Rama për një rritje të pensioneve nga janari i vitit të ardhshëm nuk është pritur me entuziazëm nga pensionistët shkodranë. Të lodhur nga varfëria dhe kostot gjithnjë në rritje të jetesës, ata shprehen se kjo rritje është simbolike dhe nuk ndryshon asgjë në jetën e tyre të përditshme.

Image

Të moshuarit, që çdo muaj presin me ankth pensionin për të përballuar shpenzimet bazë, thonë se çmimet e ushqimeve, barnave dhe faturave të energjisë janë rritur aq shumë, sa rritja e premtuar nuk mbulon as një pjesë të vogël të nevojave jetike.

“Pensioni nuk më del as për ilaçe, as për drita e ujë. Çfarë rritje thotë ai? Është turp të flitet për rritje kur ne mezi marrim frymë nga varfëria,” – thotë një e moshuar nga Shkodra.

Një tjetër pensioniste thekson se çdo muaj detyrohet të zgjedhë mes ilaçeve dhe ushqimit, pasi të ardhurat janë minimale dhe nuk ka asnjë mbështetje reale nga shteti.

“Na gënjen sa herë ka zgjedhje, pastaj harron. E kemi dëgjuar këtë fjalë ‘rritje pensioni’ çdo vit, por asgjë nuk ndryshon,” – shton ajo me zhgënjim.

Ka edhe prej tyre që e konsiderojnë këtë premtim si një tjetër mashtrim elektoral të radhës nga kryeministri Rama, në prag të vitit të ri.

“Janë fjalë për t’i mashtruar njerëzit. Ai e di mirë që pensionistët po jetojnë me 10 mijë lekë në muaj. Kjo është tallje me vuajtjet tona,” – shprehet një tjetër pensionist.

Ndërkohë, realiteti i hidhur i pensionistëve shqiptarë bëhet edhe më i rëndë për shkak të emigracionit masiv të fëmijëve, duke i lënë të moshuarit vetëm dhe pa mbështetje.

Në qytetet e veriut, veçanërisht në Shkodër, pensionistët thonë se çdo ditë përballen me mungesën e ngrohjes, ilaçeve dhe ushqimeve bazë, ndërsa rritja e premtuar nga qeveria për ta është “thjesht një tallje në letër”.

“Rama s’na kujtohet kurrë përveç kur ka ndonjë kamerë për të bërë propagandë. Ne po vdesim në heshtje,” – përfundojnë ata me hidhërim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco