Rama flet për anëtarësim me ‘marrëveshje’ dhe kushte në BE/ Gonzato ia pret shkurt: Traktati është hapi themelor

Rama flet për anëtarësim me ‘marrëveshje’ dhe kushte në BE/ Gonzato ia pret shkurt: Traktati është hapi themelor

12:00, 05/11/2025

Kryeministri Edi Rama tha në një konferencë për shtyp sot se ai e ka dhënë i pari idenë që Shqipëria të anëtarësohet me kusht në BE.

Kjo do të thotë që Shqipëria të mos ketë veton dhe të jetë në periudhë provë.

Reagimi i tij vjen pasi komisionerja Marta Kos tha se BE-së nuk i duhen ‘Kuaj Troje’.

Por Rama tha se kjo gjë duhet bërë me marrëveshje, duke mos prekur traktatet e BE-së.

“Tani do më falni mua shumë për këtë që do them, por përpara se ta merrni si mungesë modestie, referojuni arkivave tuaja.

Këtë ide e kam hedhur vetë shumë vite më parë dhe e kam përsëritur sa herë më është dhënë mundësia.

Është një qasje që i jep mundësi të dy palëve të marrin atë që duan pa krijuar problem me njëri-tjetrin.

Unë e shoh këtë si një gjë shumë pozitive. Ne kemi bërë edhe propozime konkrete. Jemi gati të marrim pjesë në çdo lloj propozimi. Kjo mund të bëhet me një marrëveshje, jo me ndryshim traktatesh. E rëndësishme është që ne të mos kemi veton dhe ata të mos tremben nga vetoja jonë,” tha Rama.

Kurse ambasadori i BE, Silvio Gonzato ia preu shkurt.

Ai tha se traktati i anëtarësimit është themelor dhe ai përbën një mekanizëm të fortë garancie për sundimin e ligjit.

“Ajo që dëshiroj të shtoj është se një hap themelor për një vend që bëhet shtet anëtar është traktati i anëtarësimit në BE. Ky traktat prezanton disa ndryshime ligjore dhe kushtetuese. Traktati i fundit u bë 14 vite më parë. Komisionerja fola për mekanizma të fortë mbrojtës që përforcojnë sundimin e ligjit tek ato vende që bëhen shtete anëtare për të mos pasur kthim pas. Ne nuk po flasim për ndryshime tërësore të traktateve,” tha Gonzato.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco