SYRI TV/ Gjykata Kushtetuese e rrëzoi, Rama e përshëndet: U provua që nuk i kam kapur të gjitha pushtetet

14:55, 04/11/2025

Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi vendimin e qeverisë dhe presidencës, duke lënë Erion Veliajn në krye të Bashkisë Tiranë. Duke pretenduar pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese, Edi Rama u shpreh se ky vendim është një sinjal për Gjykatën e Posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, që duhet të lirojë Erion Veliajn, për të mundësuar që ai ta drejtojë Tiranën nga zyra dhe jo nga burgu i Durrësit.

Teatri Rama-Veliaj, që nisi me arrestimin, shkarkimin dhe shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë me kërkesë të Edi Ramës, sot ka marrë një tjetër kthesë, duke ja faturuar të ardhmen e skenës politike Gjykatës Kushtetuese.

Duke pretenduar pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese, Rama ka përshëndetur në mënyrë të tërthortë këtë vendim, duke e cilësuar si pavarësi të drejtësisë, që vendosi kundër tij, ndonëse 90% e vendimeve të kësaj gjykate i ka pasur në favor.

“Disa rrjedhime logjike nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese:

Ja që edhe njëherë u provua se nuk i paskam kapur unë të tëra pushtetet dhe kjo është një gjë sa e qartë, aq edhe e mirë, apo jo?”

Rama vijon më tej në reagimin e tij në Twitter, duke iu drejtuar Gjykatës së Posaçme, e cila, sipas tij, pas këtij vendimi duhet t'i hapë rrugë lirimit të Erion Veliajt, për të mos lejuar që Bashkinë e Tiranës ta drejtojë ai nga qelitë e burgut të Durrësit.

“2. Nëse Tirana nuk do të ketë zgjedhje deri në 2027-ën dhe Kushtetuesja mendon se kryebashkiaku i burgosur i Tiranës nuk mund të largohet përveçse me zgjedhje, atëherë disproporcioni i mbajtjes së tij në qeli nuk është më thjesht në dëm të lirive e të drejtave kushtetuese të personit, po edhe në dëm të së drejtës kushtetuese të popullit të kryeqytetit për t’u shërbyer nga i zgjedhuri i vet, apo jo?”

**3. Çdo njeri normal që nuk sheh tek qëndrimi i Kushtetueses një qëndrim të verbër kundër qeverisë, në dëm të madh të Tiranës, po një qëndrim të vendosur parimor, nuk ka se si të mos presë që, me të njëjtën parimësi, kur të gjykojë paraburgimin e tij, Kushtetuesja ta kthejë Erion Veliajn në detyrë, për të vijuar procesin gjyqësor në gjendje të lirë, apo jo?”

Pika 1 dhe 2 janë të sigurta, pika 3 mbetet për t’u parë. Ndërkohë, le të urojmë që kushdo që ka në dorë ta ndihmojë zgjidhjen e këtij ngërçi absurd, të kujtohet se kryeqyteti nuk mund të trajtohet si jetim për vite me radhë.”

Në vendimin e saj të marrë më 3 Nëntor, Gjykata Kushtetuese rrëzoi vendimin e qeverisë për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i Kryetarit të Bashkisë Tiranë dhe dekretin e Presidentit Bajram Begaj për zgjedhjet e 9 Nëntorit në Tiranë. Me këtë vendim, zgjedhjet në Bashkinë Tiranë do të mbahen në 2027.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco