Udhëheqësit e sistemit prokurorial, thirrje për dekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe rritjen e numrit të prokurorëve

Udhëheqësit e sistemit prokurorial, thirrje për dekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe rritjen e numrit të prokurorëve

14:49, 01/11/2025

Udhëheqësit më të lartë të sistemit prokurorial, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, dhe kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdaraj, kanë kërkuar mbështetje më të madhe institucionale dhe buxhetore për sistemin e drejtësisë, ndërsa kanë kërkuar përmbylljen urgjente të procesit të dekretimit të Kryeprokurorit të Shtetit”.

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, në fjalimin e tij në Konferencën Vjetore të Prokurorëve, ka bërë thirrje për , duke theksuar se mungesa e prokurorëve po dëmton efikasitetin e ndjekjes penale dhe po cenon të drejtën e qytetarëve për një gjykim të drejtë e në kohë. Ai theksoi se “drejtësia e vonuar nuk është drejtësi”, shkruan Reporteri.net.

Kelmendi ka thënë se vitet që po lëmë pas, sistemi i drejtësisë, ku bën pjesë edhe sistemi prokurorial, është përballur me sfida të mëdha, por sipas tij përkundër këtyre sfidave, ruajtja e pavarësisë, paanshmërisë dhe rritja e efikasitetit kanë qenë prioritetet kryesore të punës së Prokurorit të Shtetit.

“Siç e kam thënë në vazhdimësi, mosaprovimi i kërkesave tona buxhetore për plotësimin e nevojave institucionale, veçmas për rritjen e numrit të prokurorëve, ka kufizuar punën e Prokurorit të Shtetit, por edhe të gjyqtarëve, e me këtë edhe një drejtësi efikase, edhe pse qytetarët, me të drejtë, presin që rastet e tyre të trajtohen me kohë dhe brenda afateve të parapara ligjore.
Andaj, edhe në këtë konferencë, e përsëris se është koha e fundit që institucionet kompetente të mendojnë shumë seriozisht për krijimin e kushteve për punë më efikase në prokurori dhe gjykata, sepse drejtësia e vonuar nuk është drejtësi; përkundrazi, një drejtësi e vonuar vetëm sa paraqet shkaqe dhe arsye për zhgënjim dhe rritje të kriminalitetit dhe dëmtim të rëndë të të drejtave të njeriut”.
Image

“Mungesa e prokurorëve në raport me numrin e lëndëve të grumbulluara që nga koha e UNMIK-ut dhe EULEX-it dhe numri i madh i rasteve të reja të pranuara në punë janë sfidat më të mëdha të Prokurorit të Shtetit, sepse nuk mund të vazhdohet më tutje gjendja në të cilën një prokuror, brenda një dite, të përfaqësojë në gjykatë një numër të lartë të aktakuzave, shumica e të cilave janë punuar nga kolegët e tjerë prokurorë. Ndërkaq, ai që i përfaqëson ato aktakuza, mund të mos jetë fare i njoftuar për rrjedhën e hetimeve dhe provat që duhet t’i prezantojë në gjykim.
Pasojat e numrit të pamjaftueshëm të prokurorëve po i vuajnë qytetarët dhe gjyqtarët, të cilët, me të drejtë, i caktojnë seancat gjyqësore, mirëpo, për shkak të mungesës së arsyeshme të prokurorëve, nuk mund t’i mbajnë ato seanca. Nëse prokurorët janë të detyruar që çdo ditë të marrin pjesë në seancat gjyqësore, shtrohet një pyetje e thjeshtë: kur ata prokurorë mund të kryejnë hetimet e atyre rasteve që i kanë në punë, ose, thënë ndryshe, çfarë cilësie mund të kenë hetimet nëse prokurorët nuk e kanë asnjë ditë të lirë nga seancat gjyqësore për të kryer hetimet bazuar në cilësi dhe afate të arsyeshme ligjore. Prandaj, ata që nuk ndajnë buxhet për rritjen e numrit të mjaftueshëm të prokurorëve në raport me numrin e çështjeve penale të pranuara në punë dhe atyre të hapura në gjykatë, mbajnë përgjegjësi edhe për mungesën e drejtësisë sipas standardeve të avancuara ndërkombëtare”,
ka thënë Kelmendi.

Ai ju ka bërë thirrje prokurorëve të ruajnë pavarësinë profesionale dhe integritetin personal.

“Shfrytëzoj rastin që t’ju bëj thirrje të gjithëve ju, që të ruani pavarësinë tuaj profesionale dhe integritetin tuaj personal. Të veproni me paanshmëri dhe të kundërshtoni çdo tentativë, nga kushdo qoftë, që ka për qëllim cenimin e këtyre dy vlerave themelore. Mos harroni kurrë betimin që keni dhënë për të vepruar vetëm në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Besoni se çdo vendim dhe çdo veprim i juaji kontribuon drejtpërdrejt në forcimin e shtetit dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë ndër të tjera Kelmendi.

Kurse, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdaraj, bëri thirrje për përmbylljen urgjente të procesit të dekretimit të Kryeprokurorit të Shtetit, duke paralajmëruar se zvarritja e këtij vendimi krijon pasiguri institucionale dhe cenon stabilitetin e sistemit të drejtësisë.

“Një nga sfidat më të mëdha me të cilat po përballet sistemi prokurorial i Kosovës është edhe emërimi i Kryeprokurorit të Shtetit. Këshilli Prokurorial i Kosovës, edhe sot, e sheh si një prioritet urgjent përmbylljen e këtij procesi. Ne vazhdojmë të jemi të përkushtuar që të gjitha proceset tona të zhvillohen në mënyrë të hapur, transparente dhe plotësisht në përputhje me ligjin.
Procesi i përzgjedhjes ka ndodhur në pajtim me dispozitat ligjore që ishin në fuqi në momentin e realizimit të tij. Deri më tani, asnjë organ gjyqësor nuk ka konstatuar ndonjë shkelje gjatë këtij procesi. Këshilli, pas pranimit të njoftimit se nuk do të lëshohet dekret për kandidatin e propozuar nga Presidentja, ka proceduar me propozimin e kandidatit për herë të dytë, gjithmonë duke respektuar procedurat ligjore. Megjithatë, ende nuk është marrë një vendim nga ana e Presidentes për këtë propozim, duke lënë procesin në një gjendje pa epilog përfundimtar”, tha ai.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco