Shkarkimi i Erion Veliaj/ Përplasja kushtetuese mes qeverisë, presidencës dhe autonomisë vendore

Shkarkimi i Erion Veliaj/ Përplasja kushtetuese mes qeverisë, presidencës dhe autonomisë vendore

11:11, 31/10/2025

Në seancën kyçe në Gjykatën Kushtetuese ku po gjykohet shkarkimi i Erion Veliaj si kryebashkiak i Tiranës nga Edi Rama, pala kërkuese paraqiti një argument të detajuar ligjor kundër shkarkimit të një kryetari bashkie, duke sfiduar si vendimin e Këshillit të Ministrave (VKM), ashtu edhe dekretin pasues të Presidentit të Republikës.

Argumenti kryesor kundër VKM-së ishte se vendimi cënon në thelb decentralizimin dhe zëvendëson vullnetin e zgjedhësve me diskrecionin ekzekutiv, pa asnjë bazë juridike të fortë. Sipas kërkuesit, qeveria ka anashkaluar nenin 115 të Kushtetutës, i cili është i vetmi që përcakton rastet e shkarkimit të një të zgjedhuri vendor, dhe në vend të tij ka përdorur në mënyrë të gabuar nenin 62 të ligjit 139/2015, duke e shndërruar një ligj të zakonshëm në një burim kompetencash mbi Kushtetutën.

Ky veprim, sipas tyre, krijon një precedent të rrezikshëm për të ardhmen e institucioneve vendore.

Më tej, argumenti u fokusua tek dekreti i Presidentit për caktimin e zgjedhjeve të parakohshme. Pala kërkuese këmbënguli se Gjykata Kushtetuese ka juridiksion të plotë për të shqyrtuar këtë dekret, pasi ai nuk është një akt i thjeshtë administrativ, por një akt kushtetues.

U pretendua se Presidenti, duke caktuar datën e zgjedhjeve, ka cenuar parimin e ndarjes së pushteteve, ka marrë rolin e një autoriteti gjyqësor duke përcaktuar kompetencat e gjykatave dhe ka krijuar një situatë të faktit të kryer që ushtron presion mbi gjykatën.

Ky veprim, sipas kërkuesit, minon sigurinë juridike, të drejtën për një proces të rregullt ligjor dhe efektivitetin e mjeteve mbrojtëse, duke cenuar thelbin e demokracisë përfaqësuese.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco