Në edicionin e mesditës në SYRI TV, Alfred Lela, Drejtori i Komunikimit të Partisë Demokratike, ishte i ftuar për të komentuar zhvillimet e fundit në skenën politike dhe aksionin e opozitës.
Gjatë intervistës me moderatorin Arnold Karriqi, Lela dha një deklaratë të fuqishme mbi situatën e krijuar në parlament, të cilën e cilësoi si një ditë të zezë për demokracinë dhe parlamentarizmin shqiptar.
Ai e përshkroi ngjarjen si “armatosjen e parlamentarizmit shqiptar”, duke bërë një krahasim të rëndë me raste të tjera të dhunës në histori, si atentati ndaj Azem Hajdarit apo Beqir Valterit ndaj Mbretit Zog.
Lela kritikoi ashpër ndërhyrjen e forcave speciale të policisë, të cilat, sipas tij, kishin shkelur ligjin dhe Kushtetutën duke pushtuar hapësirat e parlamentit dhe duke penguar hyrjen e deputetëve të Partisë Demokratike.
Ai theksoi se kjo ishte një shfaqje e pastër e intimidimit ndaj opozitës dhe një tregues i rënies së mëtejshme të shtetit ligjor në Shqipëri. Lela nuk kurseu kritikat ndaj qeverisë dhe ministrit të Brendshëm, duke nënvizuar se këto akte të dhunës dhe presionit fizik ndaj deputetëve ishin të papranueshme në një vend demokratik.
Duke denoncuar heshtjen e organizatave të medias dhe të ndërkombëtarëve ndaj këtyre ngjarjeve, Lela e konsideroi situatën si një dëmtim të rëndë të lirive themelore të qytetarëve, përfshirë lirinë e fjalës dhe të grumbullimit.
'Sot u hap një kapitull i ri dhe i zi që unë do ta titulloja si armatosje e parlamentarizmit shqiptar. Një gjë e paprecedentë, përveç rastit kur Gafur Mazreku i bëri atentat të ndjerit Azem Hajdari, apo edhe më herët, në shekullin e kaluar, në vitet ’20, kur Beqir Valteri i bëri atentat mbretit Zog. Asnjëherë parlamenti shqiptar nuk ka qenë i armatosur dhe i pushtuar si sot.
Kapitulli i parë: Garda jashtë dhe brenda sallës së parlamentit, në një intimidim dhe kërcënim të hapur ndaj deputetëve të Partisë Demokratike, për turp të tyre dhe të deputeteve gra.
Garda përjashta ishte vendosur për të ndaluar deputetët e Partisë Demokratike dhe të partive të tjera aleate të hyjnë në sallë, për t’iu bashkuar punimeve legjitime dhe të nevojshme të parlamentit.
Dhe kapitulli i dytë, edhe më i zi, edhe më i turpshëm: Forcat speciale të Policisë së Shtetit të Republikës së Shqipërisë hyjnë dhe pushtojnë, në kundërshtim me ligjin, një perimetër, një territor që nuk u takon.
Deputetë që, për të hyrë në tagrin kushtetues që u jep Kushtetuta, përballen me forcat e ndërhyrjes së shpejtë, të cilat kanë një tjetër funksion, bazuar në ligjin dhe Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
E pakuptueshme dhe e turpshme ishte edhe tërheqja e tyre, pasi kuptuan që ishin në vendin e gabuar dhe në kohën e gabuar. Si qytetar i këtij vendi, më vinte keq të shihja forcat speciale, ajkën e policisë së çdo vendi, në këtë rast të vendit tonë, teksa vraponin nëpër kopshtet e parlamentit të Shqipërisë.
Moskordinimi është i pafalshëm, por unë mendoj se ishte koordinim i qëllimshëm, sepse ne pamë se këtë koordinim e bëri ministri zellstar i Punëve të Brendshme. Kjo kuptohet lehtësisht nga gjuha e përdorur prej tij në kuvend.
Pas një ore, e pamë atë gjuhë të shpërfaqet në akte fizike të vartësve të tij, të policëve specialë, të cilët shkuan deri aty – siç tregojnë pamjet e qarta që po bëjnë xhiron e mediave – sa kapën armët për të kërcënuar dhe ndaluar fizikisht deputetët e PD-së, të armatosur vetëm me xhaketa. Policët me skafandra, mburoja, bombula gazi dhe revolverë panë nevojën, ose marrëzinë e mendjeve të tyre dhe të shefave të tyre, për të vënë dorën në pistoletë kundër Luan Baçit me një xhaketë, Bledian Nallbatit me një këmishë, ose Elda Hotit me një çantë të vogël grash.
Zelli i përgjithshëm për të kapërcyer muret e Kushtetutës dhe për t’iu bindur urdhrave politikë të padenjë dhe të padrejtë, preku edhe gazetarët. Gardistët, sigurisht, e dinë që janë në shkelje të kodit, sepse ata e njohin kodin, por kanë parë edhe deputetët që i shtyjnë dhe i përbuzin gazetarët lart e poshtë ambienteve të parlamentit. Në një farë mënyre, ata e kanë marrë “lejen” nga lart për t’u sjellë ashtu.
Kjo nuk do të thotë që është e pranueshme; është e papranueshme. Heshtja e organizatave të medias dhe e ndërkombëtarëve është sigurisht pjesë e gjithë “gjellës” së pakapërdishme që prodhohet në Shqipëri në dëm të lirisë së fjalës, lirisë së grumbullimit, lirisë së shprehjes dhe të gjitha lirive të tjera të njeriut, për të cilat çuditërisht u fol si pjesë e kapitullit të parë të hapjes së negociatave.'- u shpreh Lela.
© SYRI.net