KAFE SHQETO/ Gjecaj: Mungesa e infrastrukturës dhe shërbimit cilësor pengojnë rritjen e turizmit në Alpe

09:58, 15/10/2024

Gjatë një lidhjeje me Skype për emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, moderuar nga Flavio Qarri, Aida Gjecaj, eksperte turizmi për zonën e veriut, ndau përvojën dhe sfidat që has sektori i turizmit në zonën malore të Thethit dhe më gjerë.

Duke theksuar rëndësinë e një infrastrukture të qëndrueshme dhe të një shërbimi cilësor, ajo u shpreh mbi vështirësitë që përballen bizneset turistike lokale për të garantuar një turizëm gjithëvjetor dhe të qëndrueshëm. Gjecaj veçanërisht vuri në dukje se, megjithëse ka investime në struktura moderne, mungesa e stafit të kualifikuar dhe problemet infrastrukturore ndikojnë negativisht në përvojën e klientëve, veçanërisht atyre elitarë që kërkojnë standarde të larta shërbimi.

'Përveçse eksperte si guidë malore, unë kam edhe një bujtinë dhe një restorant të hapur këtu në Theth, ku mikpres njerëz çdo ditë, gjatë gjithë sezonit, nga fillimi i majit deri në fund të tetorit. E njoh mirë terrenin dhe di cilët turistë lëvizin, si dhe në cilën kategori hyjnë, jo vetëm në Theth, por edhe në Valbonë, Lumin e Shalës, Koman, Razëm, pra në gjithë pjesën malore.

Gjatë dimrit, për shkak të shkollave dhe fëmijëve, Thethi mbetet me rreth 30 familje që banojnë aty, dhe e njëjta situatë është edhe në Valbonë e në të gjitha zonat e tjera turistike ku ndodh kjo lëvizje e popullsisë.

Sa i përket turizmit, edhe pse disa bujtina mbajnë dyert hapur, unë nuk mund të them që kemi një turizëm gjithëvjetor, sepse të mbash bujtinën hapur vetëm për fundjavat dhe vetëm për turistët shqiptarë nuk është ekonomikisht e qëndrueshme. Megjithatë, ka disa që rrinë gjatë gjithë vitit dhe ka edhe nga ata që rikthehen për të investuar.

Ajo që dua të theksoj është se mund të ndërtojmë strukturat më të mira në Alpe, pranë liqenit, apo në mes të qytetit, për një klientelë elitare siç kërkon tregu. Por, kur mungon infrastruktura përreth dhe kur mungon personeli i kualifikuar për t’i shërbyer klientit, sërish do të përballemi me të njëjtën notë negative. Klienti që shpenzon shumë do të largohet i zhgënjyer dhe në vend që të sjellë tre të tjerë, do të na largojë tre të tjerë.

Ai nuk do të harxhojë më, sepse nuk do të gjejë shërbimin që kërkon. Ky është një klient shumë kërkues, që pret më shumë si brenda hotelit, ashtu edhe përreth tij dhe në strukturat e tjera. Për shembull, nëse hoteli ynë ka ndërprerje të energjisë për qoftë edhe dy orë, ai klient nuk do të mbetet i kënaqur.'- u shpreh ekspertja.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco