Berisha: Prokurorët e partisë injoruan të gjitha dokumentet për Olsi Ramën

Berisha: Prokurorët e partisë injoruan të gjitha dokumentet për Olsi Ramën

09:29, 03/04/2024

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR NË ‘RRUGËN E SHPRESËS’

Mirëmbrëma qëndrestare dhe qëndrestarë, misionarë të shpresës, dinjitetit dhe lirisë së shqiptarëve.

Një përshëndetje të përzemërt për ju, përshëndetje të përzemërt oratorëve fjalëartë, që nga kjo tribunë e parlamentit të lirisë përcjellin anë e kënd vendit shpresë, besim, guxim.

Të dashur miq!

2 Prilli është i gdhendur në memorien e demokracisë si një ditë e zezë, një ditë e përgjakshme.

Me 2 Prill të vitit 1991, të rinjtë e Shkodrës, qytetarët e Shkodrës dolën në protestë paqësore kundër vjedhjes dhe rrëmbimit të votës së tyre të lirë nga diktatura e fundit komuniste në Europë.

Në një akt hakmarrje primitive ndaj Shkodrës antikomuniste, falangat e krimit të diktaturës derdhën mbi të rinjtë dhe qytetarët e Shkodrës breshëri automatikësh dhe mitrolozësh.

Në këto sulme mizore, në këtë masakër të vërtetë ranë për votën e lirë për t’u bërë të pavdekshëm Arben Broci, ish-anëtar i kryesisë së PD, student themelues i kësaj partie. Ranë bashkëluftarët e tij Bujar Bishanaku, Nazmir Kryeziu, Besnik Ceka dhe u plagosën 87 qytetarë të tjerë.

Të dashur miq!

Duke shprehur nderimin tonë më të madh për sakrificën e tyre që u bë dritë për shqiptarët, sakrificë që çeli dyert e votës së lirë në Shqipëri, sakrificë që jehoi në të katër anët e planetit. Theksoj dhe shtoj këtu se këtë vit ne jemi më të detyruar se kurrë ndaj martirëve të 2 Prillit.

Sepse sot, njëlloj si në 1991-shin, ne jemi qytetarët e votës së vjedhur dhe kontrolluar nga pushteti. Sepse sot, njëlloj me 1991-shin, ne jemi qytetarë që po braktisim pasivisht vendin. Njëlloj si në 1991-shin, regjimi bën gjithçka për të asgjësuar opozitën.

Ndaj dhe për ne, sakrifica dhe gjaku i martirëve të 2 Prillit duhet të na frymëzojë në një betejë të fuqishme për të rikthyer shqiptarëve votën e lirë.

Ata ranë që Shkodra dhe Shqipëria të votojnë në liri. Ata nuk duruan, nuk ulën kokën po dolën ballë për ballë regjimit të egër. Ndaj dhe ne, o sot o kurrë, duhet të dalim ballë për ballë këtij regjimi dhe ta përmbysim atë.

Të shkojmë në qeveri teknike dhe zgjedhje të lira.

Të dashur miq!

Sot Edi Rama, me skapistët e tij që mbrojnë çdo krim, ka shuar çdo shpresë te shqiptarët se ata mund të votojnë të lirë. Ka shuar çdo shpresë te shqiptarët se ata mund të gjejnë të drejtë në këtë vend. Ka shuar çdo shpresë te shqiptarët se ata mund të gëzojnë pasuritë e këtij vendi.

Çdo ditë dalin skandale që tejkalojnë imagjinatën.

Këto ditë u rikthye përsëri në skenë Olsi Rama, si bashkëpunëtori ndër më aktiv i grupit të Xibrakës. Me fakte, me dokumente, të gjitha të provuara. E provuar se Olsi Rama drekonte dhe darkonte me Genci Xhixhën, Gentian Gjonajn, Ermal Hoxhën e të të tjerë. E provuar dhe e faktuar se me makinën e tyre, me makinën e grupit të drogës, Olsi Rama ka kaluar kufirin 18 herë. Ka hyrë në Shqipëri dhe ka dalë jashtë 18 herë.

E faktuar se ditën e arrestimit të dështuar të grupit, ai ka kaluar kufirin me makinë pa targa në Morinë. E faktuar se Genci Xhixha, kryetrafikanti me bazë në Kubë ishte paditur nga organet ligjzbatuese gjatë qeverisjes sonë për larje parash, bashkë me nënën e vet, bashkëpunëtore e afërt e Edi Ramës.

Të gjitha këto janë të faktuara, por megjithatë prokurorët e partisë injoruan të gjitha këto dokumente. I fshehën këto dokumente, nuk i çuan në gjykatë këto dokumenta, dhe ai shkoi në dosje si bashkëpunëtori i paidentifikuar.

Olsi Rama, të kemi identifikuar ne dhe gjithë Shqipëria. Ti je një trafikant kriminel dhe do marrësh atë që meriton bashkë me vëllanë tënd që të mbron.

Të dashur miq!

A mund të ndodhë që me firmë dhe vulë kryeministri t’i falë me një euro, 37 mijë metër katrorë tokë, vëllait të vet?

A mund të ndodhë t’i falë kazerma me një euro, në një kohë kur ish-pronarët, kur kanë marrë tokën e konfiskuar 60 vite më parë, për vjetërsinat e diktaturës, kanë paguar 800 mijë, kanë paguar 500 mijë, kanë paguar 1 milion dhe më shumë dollarë, në mënyrën më të padrejtë, por ligji ai ishte.

Të dashur miq!

A do presim ne, që ndaj Olsit të veprojë drejtësia, që ndaj Edi Ramës të veprojë drejtësia? Do ishte qesharake po të prisnim ne. Drejtësinë duhet ta bëjnë qytetarët, qytetarët, qytetarët!

Të dashur miq!

Shoqata për mbrojtjen e teatrit ka thirrur protestë ditën e premte para Bashkisë së Tiranës.

Qytetarë dhe qytetare të Tiranës, demokrate dhe demokratë, të gjithë në protestë në ora 11. Të gjithë në protestë.

A ka poshtërim më të madh për Tiranën?

A ka poshtërim më të madh për qytetarët e saj se sa një bandit, një hajdut, një i pafytyrë, pasi del vendimi i Gjykatës Kushtetuese, shkelmon mbi të dhe vazhdon të shkelë vendimin.

Qytetarë dhe qytetare, shkoni dhe pështyjeni hajdutin aty ku është.

Të dashur miq!

Këtë javë Belind Këlliçi, të cilin e përgëzoj, në mbrojtje të votës suaj, në përpjekjen e tij për të mbrojtur votën tuaj, iu tregoi ju dhe shqiptarëve se si janë vjedhur me ndërmarrjen e drejtorëve 30 milionë euro në dhjetëra tendera.

Iu tregoj ju dhe qytetarëve të Tiranës, se si një i quajtur Redi Molla, të regjistruar një ndërmarrje me një punëtor, pa asnjë bilanc, ndërton hotel 20 milionë euro në Durrës. Dhe punonjësja e tij vetë thotë se është i Lali Erit, është i vjedhës Erit.

Po si mund ta lini ju të hyjë në bashki hajduti mo? Nxirreni për zverku mo! Pështyjeni ku ta shihni.

Gjuajeni me domate, gjuajeni me vezë, largojeni hajdutin e poshtër nga bashkia.

Belindi e kapi me hotel në dorë, me vjedhje në dorë. Sulm kundër tyre për dinjitetin e Tiranës, për dinjitetin tuaj. Sulm gjer në fitore!

Miqtë e mi!

Një rrjet drejtorësh që bënin tendera për ndërmarrjet e tyre, që i fitonte tenderat e bashkisë ndërmarrja e tyre, siç donin ata vetë, që ndërtonin hotele në Durrës dhe Dhërmi. Një rrjet i tmerrshëm merimange, haptas padronë, pa dorashka, pa asgjë.

Në sulm, në sulm, në sulm! Në sulm!

Olsi Rama, hiq dorë nga 37 mijë metrat, se atje do e kesh popullin edhe ti. Hajdut! Në qoftë se populli nuk e merr në dorë, a e keni vënë re ju se çdo ditë Edi Rama poston grabitjen 4 miliardëshe në Portin e Durrësit.

Demokrate dhe demokratë të Durrësit, në këmbë në mbrojtje të pasurisë së Durrësit. Ora nuk pret, ora na thërret të përballemi me hajdutët që po e shkatërrojnë Shqipërinë.

Miqtë e mi, një demokrat më thoshte se hoteli në Durrës është i Olsi Ramës dhe Erion Veliajt. I them unë: a ke ndonjë dokument për këtë punë?

Dëgjojeni mençurinë e tij. Dokument me shkresë nuk kam, por kam qenë aty dhe më kanë thënë punëtorët.

E dyta tha, po injorojnë edhe punëtorët. Po si ka mundësi, tha, cili është ai kryeministër në botë që mund t’i japë status strategjik një njeriu me një ndërmarrje me një punëtor, pa bilanc të ndërmarrjes së tij. Atëherë ai e bën për veten e vet.

Të fillojmë pra të premten, të mbështesim aleancën fitimtare. Çështja e teatrit është kauza e fitimtarëve. Nuk braktiset kurrë!

Por këto që dëgjojmë, këto që shohim janë absolutisht kazus për të gjithë mosbindjen civile dhe betejën fitimtare tonë.

Erion o horr, mos u duk më në bashki. Jep dorëheqjen menjëherë!

Së fundmi miqtë e mi, dy fjalë për ata të cilët më falni, po nuk dua t’i fyej, por bëjnë gjithë ditën Skap, Skap, Skap, e kuptoni vetë ju.

T’ju pyes njëherë një gjë o zotërinj që u ka ngelë Skapi në gojë, më thoni pak: këta drejtorë a nuk janë një grup i organizuar kriminal? A nuk janë një organizatë e organizuar kriminale? A nuk kaluan paratë e drejtorive tuaj tek sipërmarrja 5D? Janë apo nuk janë ju që thoni bëri punë Skapi.

Skapi nuk bëri punë, por bëri poshtërsi. Se Skapi duhet t’i akuzonte ata për grup të strukturuar kriminal.

Po a e dini pse nuk i akuzon dot? E dini pse? Se do thonë ata që hoteli është i Lal Vjedhësit, nuk është i imi. E dini se ç’do thonë: atë statusin e investitorit strategjik e pagoi Lal Vjedhësi me dy-tre kate dhe te Rama.

Tani t’i pyesim pak skapistët e Edi Ramës: Po ju o zotërinj, a keni marrë në atë hotel ndonjë dhomë a ndonjë gjysmë kati që silleni në këtë mënyrë?

Turp të keni!

Turp të keni!

Turp të keni!

Duke e mbyllur, edhe njëherë ftoj shqiptarët ditën e premte tek bashkia. Çlirimi i saj nga hajdutët, llumi, fundërrinat, rikthimi i bashkisë te qytetarët.

Erion Veliaj jep dorëheqjen, mos i prit aty qytetarët.

Fitore, fitore, fitore!

Rroftë protesta, rroftë mosbindja civile.

Rroftë fitorja!

Të premten në ora 11:00, të gjithë të mbështesim aleancën për dinjitetin, aleancën për qytetin, për teatrin, kundër vjedhjes

Aleancën e fitores!

Faleminderit!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco