Patriotizmi i shtirur i Ramës për të mbuluar pazaret e tij korruptive

Patriotizmi i shtirur i Ramës për të mbuluar pazaret e tij korruptive

14:52, 16/09/2023 Nga Agim Nesho

Çështja Beleri po merr përmasa të mëdha në diskutimin politik në Shqipëri, të nxitur nga patriotizmi fals i Ramës për helenizimin e Shqipërisë, por edhe arroganca e autoriteteve greke të cilët mendojnë se mund të zgjidhin punët shpejt në Shqipëri, sidomos kur bëhet fjalë për minoritetin dhe të drejtat e njeriut.

Që Rama nuk ka të bëjë fare me patriotizmin dhe shqiptarinë kjo është më se e dukshme dhe e provuar në Shqipëri. Ai me një formim artisti ka zgjedhur të përfaqësojë modernen, kozmopoliten, të ndryshmen dhe rebelin.

Ishte pikërisht Rama që voziste në plazhet nudo të Francës apo i jepte çelësin e qytetit të Tiranës këngëtarit serb që i thurte himn, kriminelëve serbë që bënin genocid në Kosovë. Rama nuk zgjodhi Shqiptarinë as kur u bë palë me Vuçiçin për të realizuar planet ruso-serbe për një zgjidhje të re gjeopolitike në Ballkan.

Patriotizmi i Ramës ishte zero kur shante dhe hidhte në gjyq kryeministrin e Kosovës dhe qëndronte në krah të Vuçiçit, që nënqeshte se sa poshtë ka rënë Shqiptaria.

Patriotizmi i Ramës u zhduk kur ai bridhte rrugëve të Europës për të justifikuar nacionalistët në Beograd, që perëndimi duhet t’i kuptonte se pse ata nuk duhet të vinin sanksione kundër Rusisë. Patriotizmi i Ramës u harrua kur i bëri lëshime Greqisë për çështjen e detit dhe hapësirat e zonës ekonomike ekskluzive detare duke shkelur edhe Kushtetutën e Shqipërisë.

Rama nuk e zgjodhi pa synim çështjen Beleri dhe çfarë do të arrinte ai prej saj. 

Së pari, Rama ishte shumë i interesuar të luante rolin e patriotit për një çështje tepër të nxehtë si çështja e Himarës. Duke dalë si patriot ai donte të fshinte profilin e tij të një argati të përulur të Beogradit që vazhdimisht kishte nëpërkëmbur çështjen kombëtare.

Së dyti, Rama kërkon dëshpërimisht të zbatojë vetë projektin “turistik” të Shqipërisë, ku ai dhe klientët e tij të bëhen pronarët de facto të bregdetit për të vazhduar përjetësisht të mbeten rentierët e pronave shqiptare.

Së treti dhe më kryesorja, Rama ka kuptuar me vonesë se ka shkuar shumë larg në trajtimin e çështjes së detit me Greqinë, duke shkelur të gjitha procedurat dhe Kushtetutën Shqiptare. Prandaj kërkon kohë për të rimodeluar qëndrimin e tij. Me gjithë shkeljet e bëra, Rama një ditë do të përgjigjet para drejtësisë shqiptare dhe do të jenë pikërisht pinjollët e tij që do të vrasin babanë e tyre politik me këtë çështje. Një pushtet i korruptuar i rilindjes mund të korruptonte edhe individin Beleri, por çështja qëndron pikërisht në ridimensionimin e marrëdhënieve tashmë me grekët.

Po pse zoti Rama dhe të tjerët që i venë pas në “shfaqjen patriotike” frikësohen kaq shumë edhe nga minoritarë që mund të shërbejnë kryetar bashkie në Himarë?!

Në qoftë se problemi i evidentimit të pronave dhe dhënies me prioritet të zhvillimit të turizmit sipas klientelës së qeverisë është një problem në Himarë, kjo është e drejtë e qytetarëve për të zgjedhur njerëzit e ndershëm dhe tek të cilët kanë besim, pa pasur kompleks që investimet që do të vijnë të jenë brenda një konkurence të lirë.

Zoti Rama ka shpërdoruar pronat publike shqiptare, si rasti i faljes së pronës publike në projektin e Portit të Durrësit me sheikët arabë të teokracive të Gjirit Persik, ku investimi do ti kushtojë shqiptarëve, nga prona dhe të ardhurat e tyre të përbashkëta, mbi 5 miliardë dollarë.

Apo këto projekte që i realizon ai vetë dihet se kush i përfiton! Të paktën Greqia ka ndihmuar mbi 700 mijë shqiptarë për të mbijetuar në kohën e ndryshimit të sistemit. Ajo që Greqia tejkalon është mbrojtja e çështjes Beleri pa e vlerësuar situatën e funksionimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri. Ata e mbajtën të privilegjuar Ramën dhe heshtën duke menduar se ky karrierist i etur për pushtet do t’ju jepte gjithçka vetëm ta përkrahnin politikisht. Por Rama nuk kishte vetëm grekët. Erdogani qëndron madhështor si mentori i parëi tij.

Nga ana tjetër, duke qenë se sistemi demokratik në Shqipëri pothuajse ka rënë se shteti është kapur dhe pushteti po merr format e një regjimi putinesk, Rama nuk e shikon rolin e Greqisë si një rol parimor të një partneri strategjik europian.

Perspektiva e Ramës nuk është Europa, ose të paktën jo për sa kohë ai do të jetë në pushtet. Ai sot sillet sikur është mik i Amerikës, por urren vlerat dhe parimet e demokracisë amerikane. Ai do një sistem politik ku ligji të jetë ai vetë dhe të mos ketë llogaridhënie dhe transparencë. Në qoftë se i rrezikohet pushteti nga ato që Greqia sot “po insiston për të drejtat e liritë e individit dhe minoritetit” ai bashkohet shpejt me Kinën apo kush i siguron përkrahje.

Prandaj Greqia të mos lodhet kot dhe përkrahë individë që flasin për helenizimin e vendeve në Shqipëri, se është diçka e vdekur me kohë dhe arkaike. Për më tepër Shqipërinë e kanë tkurrur aq shumë fqinjët e saj sa çdo tokë në horizont na duket shqiptare.

Greqia si një vend mik dhe i rëndësishëm i BE-së duhet të marrë rolin primar në Ballkan me një politikë aktive për të rikthyer demokracinë dhe shtetin e së drejtës në Ballkan. Vetëm duke luajtur në mbrojtje të vlerave dhe parimeve ajo do të ketë një impakt të rëndësishëm në rajon.

Sa për ata që shajnë opozitën pse përkrahin Partinë e të Drejtave të Njeriut dhe Belerin, ju themi të marrin dezinfektantë të fuqishëm, të fshijnë lidhjen Rama-Vuçiç që u përpoq të eliminojë Kosovën dhe shkatërrojë shqiptarizmin. Pastaj të marrin rreckën e patriotizmit që zoti Rama ua ka përgatitur me kujdes!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco