Djegësi i Tiranës/ Berisha: Amnistimi i Veliajt, monument turpi i SPAK-ut

Djegësi i Tiranës/ Berisha: Amnistimi i Veliajt, monument turpi i SPAK-ut

09:30, 16/09/2023

Kryetari demokrat, Sali Berisha, deklaroi dje se amnistia që po i bën SPAK, Erion Veliajt për djegësin e Tiranës, është një monument turpi.

“Çdo ditë që kalon me amnistinë e Erion Veliajt, apo amnistia e Erion Veliajt nxin si monumenti më i shëmtuar, më i turpshëm i kontrollit të drejtësisë, i triumfit të padrejtësisë.

Duke mbyllur sallat e parlamenteve lokale, kryetarët mafiozë të zgjedhur me vota të vjedhura nga krimi, para, etj., duan të fshehin para qytetarëve krimet e tyre të vazhdueshme.

Nxin çdo ditë e më shumë monumenti i turpit i amnistisë së Erion Veliajt. Sot ai kalon në Këshillin Bashkiak vendimin për 600 milionë lekë tjera në kompaninë e tij, me pronarë në letra Zoto dhe Mërtiri.

6 milionë euro kalon ky mafioz duke zhvatur qytetarët shqiptarë me tarifën 29 euro tonin, në një kohë kur kontrata parashikon 11 euro. Erion Veliaj, çdo ditë që kalon është aktakuzë e rëndë për SKAP-in e partisë dhe kontrollin e tij nga qeveria, nga Edi Rama.

Qytetaret duhet ta dinë se këto 600 milionë lekë, apo 6 milionë euro, ku i ka marrë do thoni ju? 430 milionë lekë i ka marrë nga arsimi i fëmijëve. I ka marrë nga zëri i arsimit në buxhet. I ka hequr 430 milionë lekë.

130 milionë lekë ka hequr nga fondi i emergjencës. Por këto do presësh kur SKAP-istët marrin përsipër krimin e shëmtuar të amnistimit të tij. Nuk mund të priten gjëra të tjera. Pra, merr fondin e emergjencës dhe e çon në sipërmarrjen e djegësit të tij, merr fondin e vogëlushëve, të fëmijëve, kopshteve, çerdheve dhe e çon në sipërmarrjen e tij.

Edhe njëherë u bëj thirrje qytetarëve për ta kapur për zverku dhe për ta çuar aty ku e ka vendin, te dera e burgut. Sepse në qoftë se presim për SKAPin, ju garantoj se ai do bëhet edhe kryeministër i Shqipërisë në mendjen e tij. Erion Veliaj është mafiozi që vendosi të heqë dorë nga praktika e mëparshme e trajtimit të plehrave me landfill-veçim-seleksionim dhe riciklim dhe të kalojë me djegie. Askush në Shqipëri nuk mund të vendoste, përveç atij.

Erion Veliaj është falsifikatori monstruoz, ka firmosur në emër të Këshillit Bashkiak dhe Këshillit të Qarkut të Tiranës për të paguar 90 milionë euro një ndërmarrje e cila nuk ekzistonte, por do regjistrohej 6 muaj më vonë.

Erion Veliaj është iniciatori i përdorimit të koncesionit privat për trajtimin e plehrave të Tiranës, në dallim nga dy djegësit e tjerë, të Fierit dhe të Elbasanit. Erion Veliaj është përgjegjës për tetë pikët, së bashku me Edi Ramën dhe Agaçin që ju dhanë një kompanie që nuk ekzistonte 8 muaj para se ajo të ekzistonte, 9 muaj në këtë rast.

Erion Veliaj është përgjegjësi numër 1 i mashtrimit të madh, zhdukjes së rreth 200 milionë eurove pa nam, pa nishan. Gjoja për investim në 5 objekte të djegësit të Tiranës, ndërkohë që asnjë prej tyre nuk është ndërtuar. Detyra e tij me shkrim ishte të raportonte çdo muaj për ecurinë e punimeve

Tani, Erion Veliaj i amnistuari i SKAP-it, heq nga fondet e arsimit, kopshteve, çerdheve 430 milionë lekë dhe i inkason në sipërmarrjen e tij.

Kjo është një histori kriminale, që duhet të marrë fund,” tha Berisha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco