VIDEO-SYRI TV/ Ahmetaj në arrati, SPAK i sekuestron 4 banesa

19:14, 18/07/2023

Mëngjesin e të martës Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Policia e Shtetit kanë zbarkuar në 7 banesa të Arben Ahmetajt apo personave të lidhur me të. Prokuroria e Posaçme që kërkoi kontrollin tha se ka sekuestruar 4 apartamente, një vlerë të majme parash  si dhe ka siguruar sende me vlerë për hetimin.

Nga SYRI TV

4 apartamente dhe 2 llogari bankare me total 124 300 € janë pasuritë e radhës të vendosura nën sekuestro preventive të Arben Ahmetajt apo personave të lidhur me të.

Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, dhe shërbimet e Policisë së Shtetit, zbarkuan në Tiranë dhe Gjirin e Lalzit, ku ushtruan kontrolle në 7 banesa, teksa Prokuroria e Posaçme që urdhëroi operacionin, thotë se ka sekuestruar sende me vlerë për hetimin.

SPAK njoftoi se disa nga prej këtyre materialeve janë dokumente me interes për hetimin ku bëjnë pjesë kompjuter lap-top, telefona celularë, USB etj të cilët do ti nënshtrohen verifikimeve të mëtejshme. Ndërsa Arben Ahmetaj ndodhet në arrati, dhe Gjykata ende nuk është shprehur me një vendim për arrestimin ose jo të tij, SPAK vijon veprimet, ku tashmë numri i banesave të sekuestruara shkon në 6, përfshirë vilën në Hamallaj të bashkëjetueses Erjola Hoxhës dhe vilën tjetër në Palasë të ish-bashkëshortes së Ahmetajt Albina Mançkës.

SPAK dyshon se pronat në fjalë janë përfituar përmes transaksioneve të paligjshme mes Ahmetajt dhe bosëve të inceneratorëve Klodian Zoto e Mirel Mërtiri. 4 apartamentet e sekuestruar të martën thotë prokuroria janë të ish-zëvendëskryeministrit. Referuar dosjes hetimore, këto apartamente, u përdorën nga Ahmetaj në bashkëpunim me shtetasit Klodian Zoto, Mirel Mërtiri, Besmir Prifti, Gerian Kuka, Erjola Hoxha, Albina Mançka, Sonila Goxhaj, Sokol Meqemeja dhe Reshit Çollaku për të pastruar paratë e inceneratorëve, që kapin një vlerë prej rreth 500 mijë eurosh.

SPAK kërkon arrestimin e Arben Ahmetajt për veprat penale korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Veç tij, burime pranë organit të akuzës konfirmojnë se priten urdhërarreste të tjera ndaj personave që direkt apo indirekt kanë shkelur ligjin, qoftë në arstin e procedimit penal për inceneratorin e Elbasanit, apo procedimit tjetër mbi pasurinë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco