Fjalimi i Ramës dhe optimistët e paepur

Fjalimi i Ramës dhe optimistët e paepur

09:29, 15/07/2023 Nga Genc Pollo

Hiq refrenin vetëmburrës fjalimi i Ramës spikati në pesë çështje:

1- Jo më krenar!

Nuk përsëriti, si shpesh herë më parë, se “ishte krenar për inceneratorët” dhe se po të ishte para vendimmarrjes për to “edhe njëqind herë do të bënte fiks të njëjtën gjë.

Optimistët e paepur lipset ta shohin këtë si progres.

2- Arratisja nuk i hyn në sy

Nuk tha një fjalë për shmangien nga drejtësia të Arben Ametajt, sebepçiut të fjalimit. Arratisja nga vendi e një (ish) anëtari të qeverisë kur dihej urdhër-arresti është precedenti i parë i në këto 32 vite; apo edhe 100 vite. Kjo ngjarje përbën lajm të madh (dhe të trishtuar). Lëvizja e prokurorisë dhe votimi në Kuvend ishin pakashumë të pritshme.

Optimistët e paepur me gjasë mbeten disi të zhgënjyer.

3- Shpëtoni patjetër shokët e Benit

Nuk i zuri emrin në gojë katër ofiqarëve socialistë që pretenca i nxori të pleksur personalisht e familjarisht me  inceneratorët: një ministri, kryebashkiakut të Tiranës, një deputeti (e nr. 2 në parti) dhe një drejtoreshe të rëndësishme në Min. e Drejtësisë. Nuk tha p.sh. se do e bëjmë si në Europë ku deklarohet se për të shëndoshur besimin publik në institucionet ata duhet të ikin (me shkarkim, dorëheqje ose përjashtim).

Optimistët e paepur shpresojnë se mos Rama vepron pa folur, por amá nuk pranojnë  të venë bast me lekë.

4- Kush ha lekë pa djegur plehra

Nuk përmendi fare inceneratorin e Tiranës, i cili nuk është nën sekuestrim  dhe është paguar deri tashti me 58,5 milion Euro nga Thesari i Shtetit. “Pronarët“ e tij vazhdojnë të paguhen çdo muaj afro 1 milion Euro për një shërbim që inceneratori nuk e ofron. Kështu konkludon Kontrolli i Lartë i Shtetit e kështu e di tërë dynjaja.

Optimistët e paepur janë konfuzë në këtë pikë, dëgjojnë se “parja e hudh ujin përpjetë” dhe për momentin nuk prononcohen.

5- Fajin e kanë gjithmonë ata

Nuk i nxuri goja një llaf të mirë për opozitën, e cila prej shtatë vjetësh ka dëftuar problemet me inceneratorët dhe që  akuza e SPAK-ut pjesërisht i kishte detajuar. Pra Rama e quajti të dobishme aktakuzën e prokurorit dhe të besueshme sa për t’i dhënë votën; por akuzat publike idem të opozitës ai vazhdon t’i konsiderojë gënjeshtra e baltosje.

Optimistët e paepur e dinë se logjika e koherenca janë cilësi pozitive të njeriut por atyre u duket pretendim i tepruar në këtë moment që Rama të jetë logjik e koherent.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco