Malltezi: Akuzat për Ahmetajn sekondare dhe qesharake, Rama ka përgjegjësi direkte

Malltezi: Akuzat për Ahmetajn sekondare dhe qesharake, Rama ka përgjegjësi direkte

20:48, 10/07/2023

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD Jamarbër Malltezi komentoi në edicionin e lajmeve në MCN TV kërkesën e SPAK drejtuar Kuvendit ku kërkohet t’i hapet rruga arrestimit të ish-zv.ministrit Arben Ahmetaj.

Malltezi tha se akuzat ndaj Ahmetajt për bileta avioni dhe net qëndrimi në hotele luksoze janë sekondare dhe qesharake. Malltezi thekson se afera e inceneratorëve është shumë e thellë, dhe përgjegjësi direkte ka kryeministri Rama.

‘Në Zimbabve shkoi ministri në burg, dhe ishte në tentativë, nuk vodhi pare. Ndërsa tani janë para që vidhen çdo javë. Çdo muaj nga buxheti i bashkisë jepen miliona euro për Klodian Zoton. Ndonëse në kontratë ka që duhet të bëjë 6 vepra aty, nuk ke asnjë. Prapë pagesat Veliaj ia bën të plota, është të vësh duart në kokë. Për fat të keq ne nuk kemi përgjigje ndaj pyetjeve, si ndodhi, pse u dashkan tre inceneratorë, kush mban përgjegjësi që asnjëri nuk funksionon. U bë me regji sikur ishte një emergjencë mjedisore në gjithë Shqipërinë, vetëm që të shkonin të gjithë të lidhnin kontratë me Klodian Zoton. Kjo ishte me regji, këtë s’e bënte dot as Ahmetaj, as Koka. E bënte vetëm Edi Rama dhe falangat e Ramës.

Në rast se SPAK po merret seriozisht me këtë çështje dhe është në hapat e parë, mund të themi që është i vonuar. Por në rast se SPAK do ta mbylli është një trishtim i madh. Kjo s’është një aferë për disa bileta avioni apo net qëndrimi në hotele luksoze për Ahmetajn, as ryshfete të vogla për Ahmetajn. Është një aferë 430 milionë euroshe. Kjo është një aferë që ato që u bënë nga Zoto dhe Mërtiri kishin garanci në nivele të larta që s’do t’i hynte gjemb në këmbë dhe do dilnin me para të madhe. As Tatimet s’kanë vepruar, asnjë gjë. Nëse do merren me akuza sekondare do ishte gjynah, do ishte një reformë e çuar dëm. Thelbi i akuzës do të ishte kush, si dhe pse, mundësoi që këto të merrnin kontrata për 430 milionë euro, ku po vazhdojnë të paguhen miliona euro ndonëse nuk kemi inceneratorë’, tha Malltezi.

 ‘Kemi një korrupsion masiv dhe prapë Erion Veliaj i jep miliona euro këtij. Kjo është një aferë shumë herë më e thellë se kaq. Ka dalë nga mediat që Ahmetaj ka thënë ‘s’e di pyesni Ramën’. Kjo është thelbi i aferës së inceneratorëve. Asnjë s’mund të kalonte pa miratimin e Ramës. Te inceneratori i Tiranës kemi tre ministra, Ahmetaj, Manjani, Felaj që i dolën kundër sepse nuk përmbush kushtet, e megjithatë Rama firmosi VKM-në. A ka përgjegjësi Rama? Direkte. Shpërfilli 3 ministra, 3 nga 5 të mundshëm. Kontratat e i kalon sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave.

Këto kontrata janë qartësisht korruptive. Kemi të gjithë shtetin të vënë në dispozicion të inceneratorëve. Ahmetaj ka zbuluar që mënyra më e mirë e mbrojtjes është që s’di gjë, i di kryeministri. Kjo që ka ngritur SPAK-u është shumë sekondar, nëse ka marrë 5 bileta dhe 5 netë hoteli, 10-15 mijë euro është qesharake. Ahmetaj mund të ketë përgjegjësi në lidhjen me Mërtirin dhe Zoton, që i ka pasur vartës dhe mendohet që ka qenë truri i kësaj gjëje, dhe te prekja e fondit rezervë. Aty përgjigjësinë direkte e ka Rama, por fondin rezervë s’e prek nëse ministri i Financave s’jep miratimin.

Pika e tretë është mbledhja e famshme, që ditën që u përmbyt Vlora u mblodh Komiteti i Emergjencës që miratoi Ndihmë Shtetërore për këto që po bënin inceneratorët. Të tjerat janë natyrë sekondare. Këto duan ta bëjnë pis Ahmetajn, ta fusin pak vite apo muaj në burg, për të sfumuar aferën e inceneratorëve. Afera e inceneratorëve fillon me Ramën, kryekorruptonjësi i kësaj afere është Rama. Sa kohë që s’ekzistojnë inceneratorët SPAK duhet të kërkonte menjëherë ndërprerjen e parave publike. Kryesorja është kush u tha këtyre që duhen 3 inceneratorë ndërkohë që në strategji apo plan veprimi s’kishte asnjë?!’, shtoi ai.

Duke folur mbi ndryshimet e fundit në qeveri, Malltezi tha se ministri i ri Brendshëm Taulant Balla është një politikan i lidhur me bandat, që duhet të merrej i pandehur nga Prokuroria. Ai shtoi se Presidenti Begaj është vendosur në detyrë si vartës i Ramës, dhe nuk ka treguar se është në lartësinë e detyrës.

/MCNTV

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco