Me ftesë të Presidentit Bajram Begaj, presidenti i Estonisë, Alar Karis, më 7-9 qershor 2023, viziton Shqipërinë.
Kjo është vizita e parë e një Presidenti të Estonisë në Shqipëri dhe një ngjarje e shënuar në marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve.
Sipas axhendës së vizitës të bërë publike nga zyra e shtypit të Presidencës, pas ceremonive të mirëseardhjes, që do të zhvillohen më 7 qershor 2023, ora 15:00, në Institucionin e Presidentit të Republikës, të dy presidentët do të zhvillojnë një takim kokë më kokë e më pas do të kryesojnë delegacionet zyrtare në një takim të zgjeruar.
Në fund të takimeve, të dy presidentët do të kenë dhe një dalje të përbashkët për mediat.
Bëhet e ditur se në qendër të bisedimeve do të jenë nevoja e nxitjes së mëtejshme të marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht në çështjet e bashkëpunimit ekonomik dhe qeverisjes elektronike, por edhe zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, integrimi evropian i Shqipërisë dhe i vendeve të këtij rajoni, si dhe ndikimi i agresionit ushtarak rus në Ukrainë, për Estoninë dhe rajonin e vendeve Balltike por edhe të Ballkanit Perëndimor.
Më 9 qershor, të dy presidentët do të ndjekin një stërvitje të përbashkët kibernetike të ekspertëve nga Estonia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
© SYRI.net