Përse e djathta lufton kaq fortë me shqiptarët, për shqiptarët dhe përballë shqiptarëve?

Përse e djathta lufton kaq fortë me shqiptarët, për shqiptarët dhe përballë shqiptarëve?

20:29, 17/05/2023

Shqipëria, ky vend i etur për të eksperimentuar politikisht, ka një qasje interesante me ideologjinë. Më saktë, terreni i saj ideologjik është aq pjellor sa të mos quhet shkretë, e në të njëjtën kohë është aq shterpë sa të mos rritë dot ideologji të shëndetshme. Të shëndetshme jo për turmën e shoqërinë altruiste (bashkë me barazinë, solidaritetin, mirëqënien sociale, feminizmat, e të tjera brockulla utopiko-propagandistike të kësisojta), por për individin dhe krejt të drejtën e forcën e tij për të vendosur mbi vetveten, pra ideologji të djathta.

Në këndvështrimin tim, modest sa i dikujt pa asnjë status politik, dhe profesional sa i dikujt me njohuri dhe eksperiencë të paktën akademike, ka dy grupe argumentash përse shqipëtarët nuk mbështetin dot masivisht dhe bindshëm ideologjinë e djathtë. Njëkohësisht po këto grupe argumentash shpjegojnë përse demokratëve u është dashur të moderojnë idetë e djathta për të ardhur në pushtet në Shqipëri, duke ia përshtatur ato një populli të papërgatitur intelektualisht, ekonomikisht dhe psikologjikisht për t’i përqafuar. Së fundmi, po këto argumente ia dalin të shpjegojnë përse dorëzimi përballë varfërisë dhe të tjera inferioriteteve shoqërore, nuk është karakteristikë e një populli që ka qasje të djathta.

Grupi i parë i argumenteve është ideologjik ose i filozofisë politike. Argumentet ideologjike janë subjekt i këtij shkrimi. Grupi i dytë i argumenteve është ai emocional-psikologjik dhe mbeten për t’u diskutuar në një tjetër shkrim. Argumentet ideologjikë do të dëshmojnë përse shqiptarët e kanë të vështirë të luftojnë përtej gjithë vështirësive për një forcë politike të djathtë e përse përqafojnë lehtësisht teori dhe praktika të majta. Në radhë të parë, rrymat e djathta, prej konservatorizmit deri tek liberalizmi klasik, kanë në qendër individin, të cilin e shohin si minoritetin më të vogël në shoqëri. Megjithatë, edhe pse ai qëndron në themel të çdo bashkësie tjetër, individi është një qenie sociale e lidhur me një familje, një kontekst social, një komunitet, dhe me një trashëgimni të caktuar.

Pikërisht këto formësojnë identitetin e tij, i përveshin atij vlera dhe tradita dhe i zgjojnë një ndjenjë përkatësie e mbrojtjeje për ato që trashëgon. Këtu nis mospërputhja e parë. Kronologjia e historisë së shqiptarëve karaterizohet nga venitja e ndjenjës së përkatësisë, deri tek dashuria për pushtuesin, e ushqyer kjo e fundit nga një ndjenjë inferioriteti. Inferioriteti moral, i shoqëruar më pas nga ai ekonomik dhe deri emocional, ka bërë që shqiptarët të dashurohen me popuj që historisë së tyre i kanë kursyer vite lirie.

Në kohët moderne, shqiptarët do renditeshin ndoshta ndër popujt që në një kohë rekord, të paktën prej vitit 1990, përthithën më me lehtësi axhendat globaliste të një rrace, feje e ngjyre gri. Ata besojnë masivisht se “e huaja” është superiore kundrejt traditës e se vetë tradita është pengesë për të kapur ritmet e emancipimit. Ndjenja e përkatësisë së shqiptarëve kufizohet tek ngjyrat e flamurit (i tatuazhuar shpesh në llërët e krahëve), por kurrsesi tek ruajtja me fanatizëm e objekteve, monumenteve dhe ndërtesave që dëshmojnë trashëgimninë. Përpos shkatërrimit dhe zhdukjes së qindra ndërtesave, shesheve e monumenteve me dëshmi dhe vlerë historike, një zhdukje aggressive në dekadën e fundit, shqiptarët, ky popull me më shumë shqiponja në trup se në qiell, nuk inicioi asnjë formë reagimi popullor. Kjo, jo sepse pushteti i intimidon, por sepse shqiptarët në vetvete besojnë se trashëgimnia është një barrë që nuk po i lejon të emancipohen e se gjithcka e re, dhe e huaj, e reklamuar bindshëm në propagandën globaliste, është për definicion e duhura. Një reagim pa rezistencë deri në moskthim pas, është kamuflazh i reagimit.

Një popull që e do trashëgimninë e që ndihet i paidentitet pa të, do të duhej të ndalonte rrjedhën normale të jetës përkundrejt rrënojave të teatrove, monumenteve, shesheve të flamujve pa shesh, koncesioneve të qyteteve të lashta, e kështu me radhë. Si t’ia shpjegosh vlerën e së 2 djathtës për trashëgimninë një populli që i ulur mbi rrënojat e trashëgimnisë, rren prej lindjes së diellit në përëndim se është atdhetar? Së dyti, në filozofinë e djathtë, individi lind me disa liri dhe të drejta të patjetërsueshme, të cilat, nuk ia ka dhënë asnjë institucion burokratik, apo ent juridik. Ai lind me to prej Të Madhërishmit që i jep jetë. Disa prej këtyre të drejtave individi i delegon te disa individë të tjerë, të cilët marrin përsipër t’u japin përgjigje dhe zgjidhje çështjeve që prekin komunitetet e krijuara nga individi dhe familja. Në filozofinë e djathtë, që një individ t’i delegojë këto të drejta e liri duhet te ketë garancinë se ato nuk do të cënohen e as do të shpërdorohen. Duket bukur të mendosh se mjafton që e djathta t’i garantojë shqiptarët se vizioni i saj është i denjë për t’i përfaqësuar, pra nuk do të cënojë të drejtat dhe liritë e tyre, dhe ata do të mësyjnë në kutitë e votimit? Vështirë. Shqiptarët nuk kanë marrëdhënie të mirë me lirinë.

Historia u ka dëshmuar se liria është provizore, ajo merret dhe jepet me kusht nga pushtetet dhe në shumicën e rasteve liria kushtëzohet, të drejtat kushtëzohen dhe të dyja bashkë shkëmbehen. Si fillim, populli që për paraardhës të afërt të tij, ka patur babë e gjyshër që jetuan në shtetin e parë ateist në botë, në diktaturën enveriane, e ka të vështirë të besojë se ZOTI të parën dhuratë që i dha bashkë me frymën, është liria. Më tej, shqiptarët janë një popull që krijon varësi, dhe varësia përkundrejt cdo gjëje është kufizim i lirisë për të patur kontroll mbi veten. Për shembull, shqiptarët janë të varur obsesivisht me paranë. E duan paranë me cdo kusht e me cdo cmim, aq sa në një paralalizëm në kohë, do thoja se e duan paranë po aq sa skllevrit donin lirinë. Për shqiptarët liria ka cmim, prandaj ata besojnë se ajo jepet dhe merret nga frymorët sipër tyre. Ata e dinë se ka fuqi blerëse për lirinë e tyre, e cila kushton sa një rrogë fatura-larëse, sa një makinë me xhamin hapur e muzikë të lartë, sa një biznes i pashqetësuar nga tatimorët, deri edha sa një racion bukë. Shkurt, për shqiptarët liria kushton po aq sa nevoja e tyre urgjente, sot për sot. Nuk mund t’i garantosh mos-cënimin e lirisë dikujt që nuk beson se është i lirë. Së treti, e djathta beson se individët duhet të kenë mundësi të barabarta, por ata nuk mund kurrë të jenë të barabartë. Njerëzit i ndajnë vlerat, prejardhja, konteksti social, ngjarjet e jetës, deri dhe vizionet, bindjet, e më kryesorja, aftësitë. “Rrnova për me kuptue” në librin e At Zef Pllumit dhe drithëroheshe teksa njihje vetveten.

Drithëroheshe kur teksa e rrihnin i ulërisnin në vesh se si partia i kishte bërë nga teneqexhi në prokurorë e i përmirnin verbalisht e pastaj literalisht në diturinnë e tij. Unë besoja se duke e lexuar atë kushtetutë historike, do njihja të shkuarën time dhe do kuptoja limitet e racës nga vij, por cuditërisht gjeta fund e krye Shqipërinë sot. Teneqexhiu dhe prokurori ishin sot shqiptari me karton fiktiv që ose punon në administratë ose ka talent të rrallë si sipërmarrës. Verbalisht kishte përmjerë njëherë në shkollimin e dijen time një punëdhënës shqiptar kinse perëndimor e më kishte thënë: “E zgjuar shumë je, po kush e pjerdh sot trurin tënd!” Edhe pse ende në bangat e shkollës, pata urtësinë ta mirëkuptoja sepse fatmirësisht isha rritur me bindjen se shqiptarët kanë një agresivitet patologjik ndaj superiores. E urrejnë të ndihen të pabarabartë në dije, në vlera dhe në pasuri. Sa më të paditur të jenë, aq më shumë ambicie kanë, sa më pak të shkolluar, aq më shumë të sulen për ta zhvlerësuar shkollimin, sa më pak të pasur, aq më shumë e adhurojnë barazinë. Një mentalitet i tillë nuk dëshiron mundësi të barabarta, por kërkon me ngulm mundësi të ndryshme që do t’i bënin të barabartë. Së katërti, një tjetër argument përse e djathta shkel në terren guror e të vështirë në Shqipëri lidhet me qasjen e shqiptarëve ndaj shtetit dhe raportin e tij me zgjedhësit.

Dy nga shtatë shtyllat e konservatorizmit (të cilin po e marr si etalonin e spektrit të politikave të djathta) lidhen me “Limited 3 Government” dhe “Human Dignity”. Së pari, sipas të djathtëve, për të mbrojtur lirinë individuale, qeveria duhet të reduktohet dhe qeveria legjitime funksionon vetëm me pëlqimin e të qeverisurve dhe është më efikase dhe më pak e korruptuar kur është e kufizuar në madhësinë dhe shtrirjen e saj. Sipas të djathtëve, mbrojtja më e mirë kundër shkeljeve të qeverisë është një elektorat i angazhuar dhe i informuar. Utopike për Shqipërinë apo jo? Elektorati ynë fatkeqësisht nuk është as i angazhuar e as i informuar. Shifrat alarmante të analfabetizmit, apo të dhënat e INSTAT ku mbi 30% e të rinjve janë të paangazhuar as në punë dhe as në shkollë, mjaftojnë për të kuptuar profilin e elektoratit shqiptar. Varfërisë intelektuale për të kuptuar si po i qeverisin, shtoji skamjen ekonomike që në shumicën e rasteve zhvesh njeriun nga parimet. Jo vetëm nuk di dhe nuk mund të mbrohet ndaj praktikave korruptive apo shkeljeve të qeverisë, por verbërisht bëhet palë në rolin e viktimës. Së dyti, sipas të djathtës, për shkak se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe sipas shëmbëlltyrës së Zotit, çdo jetë njerëzore ka dinjitet dhe vlerë të paçmuar dhe çdo person duhet të matet vetëm me përmbajtjen e karakterit të tij. Një qeveri e drejtë mbron jetën, nderon martesën dhe familjen si institucionet kryesore të një shoqërie të shëndetshme dhe përqafon ndikimet kulturore jetësore të fesë dhe moralit. Politika publike duhet gjithmonë të inkurajojë arsimin dhe të theksojë virtytin e punës së palodhur si një rrugëdalje nga varfëria, ndërsa programet e ndihmës publike duhet të rezervohen vetëm për ata që janë vërtet në nevojë.

Ka dy konflikte të mëdha të këtyre parimeve me shqiptarët. Fillimisht, ashtu si thamë më sipër, shqiptarët janë të etur për emancipim me cdo kusht e në cdo formë. Ata turpërohen nga fanatizmi tradicional po aq sa krenohen se janë vend shqiponjash. Është e vështirë të joshësh elektoralisht duke promovuar familjen sepse sot perëndimi i dëshiruar nuk kërkon atë. Sot ti josh me diversitet, me halucionacione seksuale dhe morale, apo me guximin për të mos patur komplekse. Për shembull, kandidati që livadhiti lakuriq përpara zgjedhjeve, sipas cdo matësi rriti pëlqyeshmërinë në elektorat. Populli që ka shpikur legjendat e trimave e kreshnikëve, është në fakt indifferent ndaj të shkuarave ylberiane të udhëheqësve të tij. Në radhë të parë sepse është jetë private, në radhë të dytë sepse kështu e do bota, e në radhë të tretë sepse janë trima vetëm në legjenda. Së fundmi, si të etur pas parasë pasive, që në tregun e punës sot e fitojnë lehtësisht dhe masivisht me metoda mashtrimi, apo me cdo formë tjetër të paligjshme, vështirë se fiton zgjedhje duke promovuar programe për krijimin e vendeve të punës. Një premtim për asistencë sociale të majme, si ato që shqiptarët janë lëshuar sot për të marrë në perëndim për fëmijët e tyre, e për të cilat më duhet të paguaj edhe unë, do kishte më tepër sukses. Shteti i madh që fal, mbron dhe jep në këmbim të lirisë dhe vendimmarrjes, josh mentalitetin shqiptar.

Ka të tjerë argumenta, - si për shembull the rule of law, meritokracia, - ku parimet e djathta përplasen me idealet e shqiptarëve. Megjithatë, po e mbyll këtë pjesë të parë me bindjen se e djathta ka qenë forca politike me sfidat më të ashpra në Shqipëri për vetë faktin se kërkon të instalohet aty ku vështirë të pranohet parimisht. Megjithatë, idealet e mëdha e mendimet e vyera kurrë nuk janë zhvilluar në zona komforti.

Pranvera Shehaj, Politologe, Doktoreshë e Shkencave Ekonomike

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco