Pedagogët nuk ndalen: Nuk ka vit akademik pa plotësuar kërkesat tona

Pedagogët nuk ndalen: Nuk ka vit akademik pa plotësuar kërkesat tona

07:50, 15/10/2022

Të hënën duhet të nisë viti i ri akademik, por nëse qeveria nuk u përgjigjet kërkesave të parashtruara me kohë, pedagogët janë të vendosur të mos hyjnë në auditorë.

Dhe këtë nuk do ta bëjnë vetëm në datën 17 tetor, por çdo ditë të javës. Ky ishte vendimi, me të cilin doli dje trupa e pedagogëve e punonjësve të universiteteve të Shqipërisë pas protestës, ku ftuan edhe studentët të bashkohen nën sloganin investim për arsim cilësor. Sindikata e punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë parashikon nevojën e një fondi prej 15 milionë eurosh për të vlerësuar rreth 5000 akademikë e staf administrativ, e kjo do të ishte e mundur sipas tyre duke kursyer nga tenderët publikë.

Të mbledhur përpara Universitetit të Arteve, pedagogët thanë se nuk mjaftohen me rritjen 7% nga buxheti i shtetit dhe 8% nga universiteti.

“Protestat tona nuk kanë bazë vetëm rritjen e rrogave tona. Protesta kërkon të vërë në vend dinjitetin e pedagogëve dhe universitetit. Nëse nuk financon në infrastrukturë, specializime, projekte, është e kotë të kërkohet që të konkurrojmë me universitet e tjera jashtë shtetit, është e kotë. Këto nuk bëhen me frymën e shenjtë”, u shpreh një pedagoge e Fakultetit të Histori-Filologjisë.

Pasi janë konsultuar, vendimi për vijimësinë e viti akademik mbetet ai i mëparshmi, bojkot deri në një përgjigje pozitive nga ana e qeverisë. Këto dy ditë, sipas tyre, do të jenë shansi i fundit i qeverisë për të nisur një vit normal akademik. Pedagogët bënë me dije se do të paraqiten në orën 08:00, por jo për mësim. Ata do të braktisin auditorët pasi të kenë njohur studentët e rinj me lëndën që japin.

“Shpallim vijimin e protestës në mbarë universitetet publike, duke filluar nga dita e hënë, 17 tetor 2022, nëpërmjet qëndrimit në ambientet e jashtme të çdo fakulteti nga ora 10:00-12:00. Ky qëndrim lidhet me qëllimin tonë për të sensibilizuara institucionet, organet dhe autoritet vendimmarrëse të arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, citohet në pikën e parë të deklaratës, me të cilën dolën dje pedagogët.

Pika e dytë ka të bëjë me thirrjen e Asamblesë së Përgjithshme, duke ftuar dhe forume dhe punonjës akademike/administrativë dhe përfaqësuesit e qeverisë studentore për të diskutuar hapat e mëtejmë që duket se nuk do të mbeten vetëm në kuadrin e protestave.

Paradoksalisht me sloganin për anëtarësimin në unionin evropian “ta bëjmë Shqipërinë si Europa”, duke iu referuar nivelit të pagave që shteti fqinj ka, kreu i Sindikatës, Sandër Kovaçi, tha se ky togfjalësh duhet ndryshuar tashmë.

“Ka pasur keqkuptime mbi përmbajtjen e peticionit, ka pasur sugjerime që propozimi të përfundojë me një manifest. Ne e kemi thënë që nuk bëhet fjalë për rrogën e një pedagogu që të mbajë familjen e tij, por që të jetë dinjitoz. Kemi kërkuar rritje 30% këtë vit dhe 20 % vitin e ardhshëm. Duke u nisur nga kriza ekonomike, ne e kemi zbritur kërkesën duke qenë solidarë me këtë situatë. Kërkesat tona Kryeministri i quajti ultimatum, por i themi Kryeministrit ta shikojë universitetin me një sy tjetër. Sot gjendja e profesoratit është mjaft e stresuar, pasi nuk është marrë parasysh asnjë kërkesë dhe nuk ka pasur rritje. Nëse e krahasojmë me Kosovën, ka ardhur koha të mos themi që ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa, por ta bëjmë si Kosova”, nënvizoi ai, duke shtuar se pagat e pedagogëve nuk janë në përputhje me tregun e punës.

Nëse nuk ka përgjigje për kërkesat e tyre, do të jetë qeveria ajo që do të mbajë përgjegjësi për zhvillimin e vitit akademik. Kështu ka deklaruar në një deklaratë për “News 24”, Sandër Kovaçi, kryetar i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë.

“Në çdo fakultet do të ketë një protestë nga çdo staf përkatës. Ky është një lloj përshkallëzimi i protestës, pasi qeveria nuk ka ofruar zgjidhje. Rritjen 7% e quajmë të papranueshme, ndërsa 8% i kërkuar të mbulohet nga universitetet është i pamundur për universitetet. Kemi thënë që të ardhurat e studentëve duhet të përdoren për studentët. Një pedagog në vend duhet ta ketë pagën rreth 1200 euro, ndërsa asistentëve rreth 900 euro pas rritjes që ne kërkojmë, ndërsa pa të rrogat janë shumë më të ulëta. Edhe pas kësaj shtese rroga më e madhe do jetë 1200 euro, që nuk arrin as nivelin e Kosovës pas rritjes. Universiteti është i pavarur kur pavarësia financiare sigurohet nga ai vetë. Që të kërkosh llogari, duhet edhe të financosh, nuk ka kërkim shkencor pa para. Jemi në situatë emergjente, Kryeministri bën vlerësimet e tij politike. Këto kërkesa janë bërë çdo vit që nga 2018. Ka legjislacione për sindikatat. Kemi kërkuar përmes shkresave, bisedimeve dhe kemi kaluar më pas te protestat”, deklaroi Kovaçi teksa u bëri thirrje pedagogëve të mos ndikohen nga presioni, ndërsa tha se protesta do të sjellë një ndryshim të jashtëzakonshëm në arsimin e lartë publik.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco