Tragjedia në Himarë, Koalicioni Shqiptar Pro Familjes dhe Jetës apel Qeverisë, lutje shoqërisë

Tragjedia në Himarë, Koalicioni Shqiptar Pro Familjes dhe Jetës apel Qeverisë, lutje shoqërisë

13:48, 03/08/2022

Koalicioni Shqiptar Pro Familjes dhe Jetës reagoi me dhimbje dhe shqetësim të thellë për ngjarjen e ndodhur një ditë më parë në Himarë, ku skafi përplasi për vdekje në breg të detit vajzën 7-vjeçare, e cila kishte ardhur me pushime në Shqipëri së bashku me familjen e saj.

Në një deklaratë lëshuar sot, Koalicioni Shqiptar Pro Familjes dhe Jetës është i shqetësuar për situatën në të cilën ndodhet vendi ynë,  situatën e rendit dhe qetësisë publike në plazhe, por edhe në qytetet shqiptare.

Koalicioni Shqiptar Pro Familjes dhe Jetës i kërkon qeverisë shqiptare dhe në veçanti institucioneve shtetërore që janë pjesë e menaxhimit të turizmit të reagojnë dhe të marrin masa për të ruajtur jetën e qytetarëve shqiptarë dhe turistëve që vijnë për të pushuar në Shqipëri.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Policia e Shtetit, Bashkitë duhet të marrin masa konkrete për të kontrolluar plazhet, për të ushtruar kontroll për mjetet lundruese, të vendoset shiriti i sigurisë, të respektohen rregullat, si dhe të monitorohet situata nga personat përgjegjës.

Ngjarja në Himarë nuk është vetëm një kambanë alarmi për sigurinë e jetës në vend, por një thirrje për të gjithë shoqërinë që duhet të jenë të kujdesshëm. Jeta e njeriut është e çmuar dhe nuk  ka çmim.

Koalicioni Shqiptar Pro Familjes dhe Jetës ka një apel dhe një lutje për të gjithë shoqërinë. Kujdesuni për familjen tuaj, qëndroni pranë fëmijëve tuaj, ruajeni me kujdes atë që është e çmuar për  ju.

Koalicioni Shqiptar Pro Familjes dhe Jetës i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes Avdia për humbjen e bijës së tyre 7-vjeçare. Zoti t’u japë paqe dhe forcë zemrave të tyre. Dhimbja është përtej fjalëve.

Lutemi që ngjarje të tilla  të mos përsëriten në familjet shqiptare dhe jeta e të vegjëlve tanë të jetë e sigurt," përfundon deklarata e Koalicioniy Shqiptar Pro Familjes dhe Jetës

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco