Lihet në burg ish-efektivi i RENEA-s/ Prokuroria: Dyshojmë se...

Lihet në burg ish-efektivi i RENEA-s/ Prokuroria: Dyshojmë se...

11:28, 28/07/2022

Gjykata e Tiranës ka vendosur masën ‘arrest me burg’ për Remal Radën dhe Elton Hithin, të arrestuar pasi u kapën me snajper në mjetin e tyre luksoz. Më pas u gjetën armë të tjera në dy banesa.

Sipas prokurorisë, dyshohet se ish-efektivi i RENEA-s, Remal Rada të jetë pjesë e një grupi kriminal vrasësish me pagesë. Organi i akuzës ka kërkuar mostra për të bërë analiza ADN-je, por kjo nuk është pranuar nga të pandehurit.

Ndaj tyre rëndojnë akuzat e armëmbajtjes pa leje dhe mbajtje pa të drejtë të uniformave të policisë.

Rada ka mohuar të ketë lidhje me armët pasi, sipas tij, në çantë ka menduar se ka rroba sportive dhe jo armë.

Por Rada nuk tregon se kush është personi që ia ka sjellë çantën me snajper brenda, ndërkohë që policia bën me dije se në atë çantë nuk janë gjendur para.

Tashmë Rada do të hetohet për një mori ngjarjesh, por së pari do të priten rezultatet e Policisë Shkencore, për të parë nëse armët janë përdorur në ndonjë ngjarje tjetër ende të pazbardhur.

Policia e Shtetit dhe ajo e Tiranës kanë kyçur informacionin me ish-efektivin elitë, ndërkohë që askush nuk di të thotë se si ka përfunduar në probleme të tilla Remal Rada, i riu që shërbeu për shumë vite në repartin e Forcave Speciale. Policia nuk bën me dije nëse zbulimi i tij ishte rastësor apo dorëzimi i armëve mbrëmjen e së hënës ishte një dorëzim i kontrolluar, ndërkohë që burime konfidenciale bëjnë të ditur se Remal Rada dyshohet si i rekrutuar nga grupe të fuqishme kriminale.

Referuar të dhënave policore, mësohet se arma e gjendur ditën e djeshme në banesën e tij është një armë e sofistikuar, ndërkohë që snajperi i kapur në çantën e kuqe sportive është një armë me kalibër të lartë saktësie, çka rrit dyshimet se arma ka qenë për ekzekutimin e ndonjë personi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco